Kategori
Uncategorized

Agjentët Sërbë në Shqipëri

Ky-është-një-nga-dokumentet-klasifikuar-si-tepër-sekret-kopja-e-cilit-gjendet-në-arkivin-e-KOS-itKy është një nga dokumentet, klasifikuar si tepër sekret, kopja e cilit gjendet në arkivin e KOS-it (Shërbimi i Zbulimit i Ushtrisë së ish- Republikës Serbi-Mali i Zi). Aktualisht, Brukseli po i kërkon Serbisë hapjen e arkivave për të njohur emrat e bashkëpunëtorëve të shërbimeve të fshehta të Millosheviçit.

Sipas raportit në Bruksel, janë rreth 700 agjentë të shërbimit sekret të Serbisë në Kosovë, ndërsa 200 të tjerë janë në Shqipëri, Bullgari, Greqi etj. Pjesa më e madhe janë politikanë, gazetarë, biznesmenë dhe ushtarakë. Brukseli kërkon hapjen e dosjeve të agjentëve të Milosheviçit, çka mund të shkaktojë një “tërmet politik” edhe në Prishtinë e Tiranë

Ish-diktatori serb Sllobodan Millosheviç kishte mbi 2200 agjentë në Ballkan, mes të cilëve dhe në Shqipëri. Kjo shifër u bë publike në forumin për rolin e ish-shërbimeve sekrete në Ballkan, që i zhvilloi punimet në Bruksel më 18 maj 2012, njofton portali telegrafik bullgar “actualno.com”. Takimi ishte informal. Aty folën ekspertë që kanë bërë investigime mbi ish-sigurimin e shtetit në Jugosllavi që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 2010. Takimi u ndoq nga përfaqësuesit e të gjitha vendeve ish-komuniste, anëtare të NATO-s. Diskutimi u organizua mbi bazën e forumit të organizuar nga CEAS (Centar za evroatlantske studije – Qendra për Studime Euro-Atlantike), me presidente Jelena Miliç, më 21 prill 2014 në Beograd. Ky fakt ka ngjallur shqetësime jo vetëm në Bullgari, por edhe në qarqe politike dhe ka zënë vend në media të vendeve të Ballkanit, me përjashtim të atyre të Kosovës (ku numëroheshin 700 agjentë, ose një e treta e rrjetit ballkanik) dhe të Tiranës.

RRJETI

Pjesëmarrësit që diskutuan në Bruksel, ishin të prerë në mendimin se autoritetet e Beogradit, menjëherë, brenda 100 ditëve, duhen të hapin dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në qoftë se duan sinqerisht të përballen me të vërtetën e zymtë. Gjatë debateve, Zoran Petroviç i organizatës joqeveritare “Koop i Kapiniç” paraqiti të dhëna me interes mbi agjenturën e shërbimeve sekrete serbe në Ballkan dhe që përdorej nga regjimi i Millosheviçit. “Regjimi i Millosheviçit kishte në dispozicion një rrjet prej 2200 agjentësh jashtë territorit të vetë Serbisë. Në Kroaci – 450, në Slloveni – 150, në Maqedoni – 150, në Bosnje-Hercegovinë – 350, në Kosovë – 700, në Mali të Zi – 200. Kurse dyqind të tjerët punonin në Bullgari, Greqi, Shqipëri, Rumani, Qipro, Hungari dhe Austri. Një pjesë e agjentëve kishin shtetësi të dyfishtë”, thuhej në raportin e ekspertit të njohur serb të OJQ-së  “Koop i Kapiniç”, Zoran Petroviç. Agjentët e Millosheviçit ishin “politikanë, punonjës në media, biznesmenë, shkelës të embargos, si dhe zyrtarë të forcave të sigurimit të ushtrisë, policisë, inteligjencës dhe grupe të ndryshme lobuese në favor të Millosheviçit”, nënvizoi Zoran Petroviçi.

Shtrirja e rrjetit të fshehtë serb

  • 700 në Kosovë
  • 450 në Kroaci
  • 150 në Slloveni
  • 150 në Maqedoni
  • 350 në Bosnje-Hercegovinë
  • 200 në Mal të Zi
  • 200 në Bullgari, Greqi, Shqipëri, Rumani, Qipro, Hungari, Austri.

Profesionet zyrtare të agjentëve

–          politikanë

–          gazetarë

–          biznesmenë

–          shkelës të embargos

–          SHIU

–          policë

–          SHIK

–          lobues në favor të Millosheviçit

Bamir Topi: SHISH-i zbuloi spiunin në media

Presidenti i Republikës më 13 shkurt 2008: “Në rrjetën e interceptimeve që u bëhet agjenturave serbe në Shqipëri, ditët e fundit, është peshkuar edhe një eksponent i medias, i cili në kulmin e vizitës së Presidentit në Kosovës, i jepte garanci agjentit serb: “Shikoni se ç’do t’i bëj Presidentit në gazetë”, sepse Presidenti kishte akuzuar politikën serbe dhe ruse që po minon procesin e paqes dhe marrjes së pavarësisë së Kosovës”.

Në një intervistë të dhënë për “Ora News”, më 9 mars 2008, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka sqaruar dhe procedurën në zbulimin e gazetarit shqiptar bashkëpunëtor të serbëve. Ndërkohë “Investigim”-i është befasuar se në sajtin e Presidentit është censuruar deklarata e tij për rastin e mësipërm në intervistën e dhënë Alban Dudushit më 13 shkurt 2008 në “Top-Channel”: “Kur them se media duhet të jetë shumë e kujdesshme, kam parasysh edhe ndonjë fakt mjaft tronditës, dhe ky nuk është faji im, sepse ju e dini fare mirë që unë jam munduar gjithmonë që të jem në mbrojtje të së drejtës të gjithsecilit edhe për sa u përket interceptimeve apo përgjimeve telefonike. Në rrjetën e interceptimeve që u bëhet agjenturave serbe në Shqipëri, ditët e fundit, është peshkuar edhe një eksponent i medias, i cili në kulmin e vizitës së Presidentit në Kosovës, i jepte garanci agjentit serb: “Shikoni se ç’do t’i bëj Presidentit në gazetë”, sepse Presidenti kishte akuzuar politikën serbe dhe ruse që po minon procesin e paqes dhe marrjes së pavarësisë së Kosovës”.

Ky deklarim jo i zakontë i kreut të shtetit pati një jehonë të gjerë në qarqet gazetareske. Në një të përditshme është kërkuar nga z. Topi të dekonspironte personin, madje hamendësonte duke aluduar larg e larg se cili mund të ishte “fuksi” i ish-Sigurimit, tani i rekrutuar dhe nga serbët: “Llulla”, “Korani i Myzeqesë”, “Masoviku”, “Tigri”, “Holta”, “Kaposhi”, “Drita”, “Arsimtari”, “Vllahu”, “Malësori” etj.

Sektori shqiptar i Beogradit

Në Kuvend dhe në mediat shqiptare kanë qarkulluar akuza jo vetëm për agjentë të ish-Sigurimit të Shtetit, por disa me dy-tre padronë (shqiptar, jugosllav dhe grek), si dhe thjesht të rekrutuar nga shërbimet sekrete të Beogradit, që në kohën e ish-Jugosllavisë titiste, millosheviçane dhe deri në ditët tona. Forcat politike në Shqipëri nuk duan të hapin dosjet e fshehta, pasi u duhen për shantazhe të ndërsjella. Madje luajnë “kukamëçefti” me pseudonime. Kanë vërshuar me dhjetëra të tilla dhe nuk dihet se cili nga nga këta persona janë rekrutuar nga serbët dhe ish-sovjetikët: “Anteu”, “I Miri”, “Shishja e Qumështit”, “Këndesi”, “Cigarja”, “Inxhinieri”, “Shkrimtari”, “Dizenjatorja”, “Raketa 5”, “Samalot 6”, “Serbi”, “Greku”, “Qukapiku”, “Proletari”, , “Çiklisti”, “I Vogli”, “Dardan Podujeva”, “Llulla”, “Naftëtari”, “I Urti”, “Ylli”, “Gjeli”, “Profesori”, “Doku”, “Demoni”, “Nemërçka”, “Helika”, “Poeti”, “Lëngaraqi”, “Pëllumbi”, “Magazinieri”. “Vllahu”, “Malësori”, “Çanta”,”Plepi”, “Mekaniku”, “Bozhuri”, “Ajsbergu” “Intelektuali”, “Urithi”, “Çiklisti”,  “Financieri” etj. etj.

EMBARGOJA

Nga ana tjetër, në qoftë se Tirana nuk i hap dosjet e shërbimit sekret komunist, nuk përjashtohet ta bëjë këtë Beogradi për sektorin e tij shqiptar, me kërkesë të BE-së. Krerët e Malit të Zi dhe Shqipërisë kanë pranuar se kanë shkelur embargon e naftës së vendosur nga OKB-ja ndaj ish-Jugosllavisë, kurse arkivat serbe kanë të listuar zyrtarë të lartë të dy vendeve si ministra, deputetë, drejtorë, biznesmenë nga të dy krahët e politikës deri në doganierë, shoferë, policë, trenistë, oficerë të SHIU-t, SHIK-sa etj.  Sipas librit “Kontrabanda në Europën Juglindore. Lufta në Jugosllavi dhe zhvillimi i rrjeteve kriminale rajonale në Ballkan”, botuar në vitin 2002 nga Qendra për Studimin e Demokracisë (Center For The Study Of Democracy), pjesa më e madhe e kanaleve të kontrabandës në Shqipëri janë zhvilluar nga ish-punonjës të shërbimit sekret shqiptar “Sigurimi”. Ky shërbim u shkri në qershor të vitit 1991 dhe u zëvendësua me Shërbimin Informativ Kombëtar SHIK. Si rezultat i këtij ristrukturimi më shumë se rreth 10 mijë agjentë të Sigurimit humbën vendet e tyre të punës dhe iu kthyen krimit të organizuar sipas një studimi të prillit 1992. Ata shfrytëzuan të gjitha mundësitë e ofruara nga sanksionet që iu vendosën fqinjit të vendit, Jugosllavisë dhe në partneritet me krimin e organizuar italian që hyri në Shqipëri menjëherë pas kolapsit të regjimit stalinist në vend. Kontrabanda e naftës me Jugosllavinë (në mënyrë të veçantë me Malin e Zi) u kthye në aktivitetin më fitimprurës për një numër të madh agjentësh të shërbimit sekret, të cilët morën edhe monopolin e operacioneve të kontrabandës në Shqipërinë veriore. Përveç kësaj shumë nga qytetarët e thjeshtë gjithashtu u përfshinë në këtë aktivitet. Ata transportonin naftë në anën tjetër të kufirit me barka, makina private dhe gjithashtu me gomarë, shkruan CIA në vitin 1995. Ndërkohë, në raportet ndërkombëtare pas vrasjes së Bin Ladenit, përmendet fakti se lideri i Al Kaedës është strehuar në Durrës gjatë vitit 1994.

SOT

Ishin po këta agjentë që shkaktonin trazira të brendshme (është pranuar në ish-parlamentin federativ jugosllav se për Shqipërinë janë investuar me miliona dollarë për destabilizim, në mënyrë që të pengohej pavarësia e Kosovës). Shërbimi i fshehtë serb ka financuar nxirjen e imazhit të UÇK-së si organizatë terroriste në shtypin dhe mjedisin politik të Tiranës, deri dhe në organizimin e një demonstrate antiqeveritare në Tiranë, më 24 mars të vitit 1999, ditën kur NATO-ja filloi bombardimin e Beogradit dhe luftën për çlirimin e Kosovës. Dhe në trafikun e sotëm ndërkombëtar të armëve dhe lëndëve plasëse të prodhimit shqiptar janë përfshirë persona të lidhur me shërbimet sekrete të Millosheviçit, por që tani merren me biznes apo maskohen si të tillë, ndonëse me të kaluar kriminale.

Damir Fazlliç dhe Miroslav Mishkoviç

Spiunazh, biznes dhe korrupsion nga Shqipëria në Bosnjë

“Damir Fazlliçin me Miroslav Mishkoviçin i lidh kriminaliteti, shërbimet sekrete… Fazlliçi është mjeshtër i mashtrimeve, e nga sa dihet, kjo është pikërisht ajo që i duhet Mishkoviçit në Ballkan. Prandaj ai dërgon atë kriminel të vogël që në emrin e tij t’i mbarojë punët më të ndyra korruptuese nga Shqipëria në Bosnjë. Ai është njeriu që përdoret nga Mishkoviçi për punët e pista”, ka deklaruar në vitin 2008 në gazetën “Slobodna Bosnia” Vladimir Popoviç, ish-ndihmësi i kryeministrit Zoran Xhinxhiç. Mishkoviçi është padyshim njëri nga afaristët më të mëdhenj dhe më me ndikim në Serbi, është pronar absolut, por sigurisht nuk është i vetmi.

Sipas Vladimir Popoviçit, Damir Fazlliçi çoi Jeremiçin në kabinetin e Zoran Xhinxhiçit, me lutjen që të kryente praktikën për dy a tre muaj, gjë që ishte e nevojshme në studimet për master. Nga ana tjetër, Fazlliçi ka shfrytëzuar Jeremiçin për disa informacione brenda kabinetit. Gjatë arrestimit të Volf Miniçit, një figurë groteske të përzier në punët e kontrabandës së cigareve, shërbimi sekret serb ka zbuluar një bisedë midis ambasadorit britanik Çarls Krauford (Charls Crawford) dhe Vuk Jeremiçit, në të cilën ambasadori britanik në panik e luste Jeremiçin të orvatej nëpërmjet kabinetit të kryeministrit të ndikonte në lirimin e Miniçit nga burgu. I vetëdijshëm se ndërhyrja në punë të tilla mund ta dëmtonte, Jeremiçi i shqetësuar dhe i frikësuar i ka thënë ambasadorit pse kërkonte një gjë të tillë prej tij dhe se do të ishte më e mirë që ta përdornin kur të fillonin privatizimet, ashtu siç ishin marrë vesh më parë. Biseda iu dorëzua Xhinxhiçit dhe ky është shkaku pse e largoi nga kabineti i tij Jeremiçin.

 Thanas Mustaqi

Lini një koment