Kategori
Uncategorized

DASHNOR SELIMI PERSE IKE?

 DASHNOR SELIMI   PERSE IKE?

PERSE IKE?
______________

DASHNOR SELIMI

Përse ike këtë dimër të ftohtë,
ku dhe flokët e stinës kishin ngrirë
dhe nëpër pasqyra pellgjesh copëtoheshin,
ëndrrat e mia në gjunjë lutjesh?
Mbledh copat e mbetura nëpër rrugë,
si lule të mardhura, të ngrohen
brenda afshit të trupit tim,
zhytur në hijet e qiellit që s’lëviz,
shpresat e pragmuzgut të fundosur.

* * *

Ti ike me mbështjelljen e purpurtë
të ditës së përgjumtë,
pa shkëmbyer asnjë fjalë me njerëzit,
e thinjur, të cilët qëmtojnë buzështëpive,
përfytyrimet e ëndrrave,
të ëndrrave, që zhvishen në pragjet e gurtë.

* * *

Ti ike me ata sy të rënduar,
andej nga pasqyroheshin në lisin plak,
ca rreze dielli,
mbytur nga zërat e shiut.
Le një derë mbështjellë me çarçafë dhëndërie,
derën e hapur…Të shikoje ëndrrat,
shkundur nga plogështia,
duke nënshkruar fjalën e fundit:

”Jetova në një botë pa dashuri”.