
Nevrus Malo ; A mund tju besojmë ende premtimeve politike të Shehajt për pronën ?
Unë jam trashëgimtar i një familjeje ish-pronare.
Ky fakt nuk është argument emocional, por pozicion politik dhe juridik. Sepse vetëm në Shqipëri ekziston termi “ish-pronar”. Në çdo shtet normal prona trashëgohet.Në Shqipëri, historikisht, nuk është trashëguar.
Regjimi diktatorial na i mori pronat me dhunë. Kjo është e njohur. Por ajo që nuk thuhet mjaftueshëm është se dokumentet e pronës nuk u shkatërruan.
U ruajtën në arkiva për kontroll, presion dhe shantazh.
Biografia u përdor si instrument ndëshkimi. Varfëria u shpall kriter politik për përparim. Kush nuk i përkiste kësaj skeme, përjashtohej ose detyrohej të bashkëpunonte.
Pas vitit 1990, shteti shqiptar kishte një mundësi historike: të rivendoste të drejtën e pronës.
Kjo nuk u bë.
Në vend të saj u miratuan ligje që legalizuan pasojat e grabitjes, duke filluar nga ligji 7501. Ky ligj nuk ishte kompromis social, por zgjidhje politike për të shmangur kthimin e pronës.
Pas 36 vitesh tranzicion, prona në Shqipëri ka kaluar nëpër dhjetëra transaksione.
Ka pronarë të rinj, investitorë, banka, ndërtime, legalizime dhe interesa të konsoliduara.
Ky është realiteti juridik dhe ekonomik i sotëm. Kush e mohon këtë, ose nuk e kupton politikën, ose po mashtron.
Pikërisht këtu lind problemi me deklaratat e politikanëve të rinj, përfshirë z. Agron Shehaj. Të flasësh sot për “zgjidhjen e çështjes së pronës” pa thënë qartë çfarë do të ndryshosh, cilin ligj do të shfuqizosh, dhe kë do të prekësh, është mashtrim elektoral.
Nëse përgjigjja është “jo”, atëherë premtimi për kthimin e pronës është gënjeshtër politike. Jo opinion. Jo interpretim. Gënjeshtër që ju po e përdorni për vota .

Kjo situatë nuk është përgjegjësi vetëm e qeverisë aktuale.
Është produkt i gjithë klasës politike që nga viti 1991 e këtej.
Është gjithashtu përgjegjësi e atyre që, nga pozicione më të ulëta, zgjodhën të heshtnin dhe të përfitonin, në vend që të kundërshtonin.
Sot, shumë prej tyre paraqiten si “të rinj”, “reformatorë” apo “alternativë”.
Por pa u përballur me çështjen e pronës në mënyrë reale dhe të dhimbshme, çdo alternativë mbetet retorikë boshe.
Zgjidhja nuk vjen nga fjalimet, por nga pranimi i realitetit:
Çështja e pronës nuk mund të zgjidhet më drejt për të gjithë.
Mund të menaxhohet me kompensim, me politika të pjesshme dhe me pranimin e përgjegjësisë historike. Çdo gjë tjetër është mashtrim.
Nëse po, atëherë problemi nuk është më politika.
Është zgjedhja jonë.