
Pushtetarët e degjeneruar dhe mashtrimi i termit “e majtë”
Në diskursin politik të viteve të fundit në Shqipëri, shpesh dëgjohet që pushtetarët aktualë etiketohen si “të majtë” apo madje vendosin dhe “shallin e kuq si komunistë”.
Por në realitet, këta njerëz nuk kanë asnjë lidhje as me idealet e majta, e aq më pak me ndonjë ideologji politike.
Ata janë thjesht një grup hajdutësh të degjeneruar që kanë uzurpuar shtetin dhe kanë kthyer qeverisjen në mjet për pasurimin personal.
Në një kohë kur afërsisht gjysma e qeverisë Rama është nën hetim ose në burg, skandalet e korrupsionit kanë kaluar çdo kufi. Kandidatja e radhës që po përflitet për t’u përballur me drejtësinë, Belinda Balluku, përfaqëson simptomën e së njëjtës sëmundje që ka përpirë shtetin shqiptar: arrogancën e pushtetit dhe kapjen e plotë të institucioneve.
Ndërkohë, vetë kryeministri, si një simbol i një sistemi të kalbur, duket se po përpiqet të mbrojë me çdo kusht strukturën që ka ndërtuar mbi korrupsion dhe klientelizëm.
Por problemi nuk qëndron vetëm tek individët. Ai është shumë më i thellë, është një shtet i ndërtuar mbi mashtrimin.

Mashtrimi më i madh që i është bërë shqiptarëve është përdorimi i ideologjisë si maskë për vjedhjen. Këta pushtetarë nuk janë as socialistë, as komunistë, as reformatorë, këta janë thjesht disa hajdutë që e kanë parë shtetin si pronë private.
Ata nuk luftojnë për ideale, por për pushtet, nuk mbrojnë qytetarët, por interesat e tyre personale .
Prandaj, është koha që qytetarët të mos mashtrohen më nga fjalët boshe, por të kuptojnë se pas premtimeve për “të majtën moderne” apo “rilindjen”, fshihet një realitet i errët i korrupsionit, pasurisë së paligjshme dhe shkatërrimit të vlerave publike.