Kategori
Uncategorized

Manjola Nikollo:Një kambanë për gjithkënd që mendon se njerëzit me integritet mund të heshtin pafundësisht.

Manjola Nikollo: Një kambanë për ata që mendojnë se njerëzit me integritet mund të heshtin pafundësisht.

Ish-kryetarja e Partisë Demokratike në Sarandë, Manjola Nikolli, e cila së fundmi ka marrë detyrën si nënkryetare e Bashkisë Sarandë, ka folur hapur për padrejtësitë dhe përjashtimin që, sipas saj, e detyruan të largohej nga radhët e PD-së pas 15 vitesh angazhim politik.

Në një intervistë për mediat, Nikolli rrëfen përplasjen e saj me deputeten Ina Zhupa, e cila nisi gjatë procesit të primareve në Vlorë.

Sipas ish kryetares së degës Sarandë, deputetja ka përdorur pushtetin e saj për të ndikuar në rezultatin e votimeve, duke cenuar parimin e barazisë dhe meritës brenda partisë.

“Unë dhashë dorëheqjen si drejtuese e degës për të shmangur çdo konflikt interesi dhe për të qenë e barabartë me anëtarët e tjerë kandidatë, ndërsa deputetja përdori pozitën për të ndryshuar rezultatin real të primareve,” – tha Nikolli.

Pas këtij momenti, ajo tregon se është lënë jashtë çdo procesi partiak: e hequr nga grupet e komunikimit, e përjashtuar nga mbledhjet dhe e lënë në heshtje institucionale.

“Nuk më njoftonin për asnjë takim, as për mbledhje. 
U ndjeva e fyer, jo vetëm si individ, por si demokrate që kishte dhënë kontribut të gjatë për një forcë që dikur besonte në garë të ndershme dhe respekt për votën e anëtarit.”

E zhgënjyer nga mënyra si funksionon sot struktura e PD-së, Nikolli thotë se vendimi për t’u angazhuar në Bashkinë e Sarandës nuk është lëvizje për përfitim personal, por një reagim i ndershëm ndaj padrejtësisë.

Në fund, Manjola Nikolli nënvizon se angazhimi i saj në jetën publike vazhdon, jo më për parti, por për qytetarët:

“Do të vazhdoj të punoj për Sarandën, me dinjitet dhe përkushtim, sepse besoj se politika e vërtetë është ajo që i shërben njerëzve, jo interesave.”

Lini një koment