
Krimi nuk erdhi nga Lazarati, por nga gjirokastritët
✍🏽 Nga Telnis Skuqi
Për vite me radhë, ekzistonte një narrativë e thjeshtë dhe e lehtë për t’u besuar: e keqja që preku Gjirokastrën vinte nga Lazarati. Ai u bë mit, një sinonim i kultivimit të hashashit, një fajtor i përgatitur për të mbajtur peshën e tragjedive që solli droga.
Por sot, pas një analize të thellë dhe përballjes me realitetin, e shoh se ky perceptim ishte i gabuar.
Gjirokastra nuk u shkatërrua nga Lazarati.
Ajo u shkatërrua nga vetë gjirokastritët – ata që e lejuan këtë situatë të ndodhte, ata që pranuan para të pista, ata që heshtën kur krimi u bë pjesë e strukturave sociale dhe politike.
Kur publikova një shkrim mbi praninë e një trafikanti droge në fushatën elektorale të Partisë Socialiste në Gjirokastër, prisja një reagim të ashpër nga Lazarati. Por komentet më të egra nuk erdhën prej andej. Ato erdhën nga vetë gjirokastritët, të cilët u përpoqën të rehabilitonin një bashkëqytetar të tyre dhe të largonin fajin nga vetja (nga natyra jam imun ndaj ofendimeve; ato nuk më prekin dhe nuk ndikojnë tek unë fare). Ishte një përballje e drejtpërdrejtë me një realitet të pakëndshëm: kur e keqja është brenda, ajo mbrohet nga brenda.
Askush nuk foli për 700 kg hashash të trafikuara nga trafikanti. Askush nuk e përmendi këtë shifër, këtë dëm konkret që ka kaluar mes duarve të kriminelëve dhe ka gjetur viktimat e tij. Ishte më e lehtë të heshtnin, të mbronin një figurë të diskredituar, sesa të përballeshin me pasojat e veprimeve të tij.
Një ditë më parë, një nënë më shkroi për dhimbjen e saj.
Djali i saj i vetëm u bë përdorues droge, ra në burg dhe në fund humbi jetën. Ajo nuk akuzoi Lazaratin.
Ajo e di saktësisht kush ia shiti vdekjen të birit – një trafikant që sot shfaqet në foto me strukturat politike, një figurë e rehabilituar nga një sistem që nuk u ndal kurrë për të dëgjuar viktimat e tij.
Kjo është pikërisht kur krimi nuk është më vetëm një fenomen shoqëror, por një instrument pushteti.
Sepse pas çdo kilogrami droge të trafikuar, pas çdo transaksioni të errët, qëndron një histori tragjike si e saj.
Gjirokastritët nuk mund të thonë se nuk e kanë ditur.
Ata kanë parë kush vjen e kush shkon.
Ata kanë parë trafikantët që festojnë në lokalet e tyre, që flenë në hotelet e qytetit, që bëjnë jetë të lirë në një vend që supozohej të kishte ligj dhe drejtësi.
Punëtorët që kultivonin hashashin në Lazarat nuk jetonin në Lazarat.
Ata flinin në Gjirokastër, hanin në restorantet e saj, lanin paratë e pista në ekonominë lokale.
Qyteti nuk ishte vetëm një vëzhgues i heshtur, por një përfitues i drejtpërdrejtë i kësaj industrie të paligjshme, madje sheshin “Omonia” nuk e shpikën lazaratasit, përkundrazi gjirokastritët.
Këto para u derdhën në biznese, në ndërtime, në një ekonomi që lulëzoi mbi kurrizin e një tregtie vdekjeprurëse.
Gjirokastra u bë kryeqendra e pastrimit të parave, një nyje ku krimi nuk ishte më një fenomen i jashtëm, por një mekanizëm i brendshëm.
Ky është realiteti që kam zbuluar: krimi nuk ka më nevojë të fshihet. Ai është normalizuar. Është bërë pjesë e lojës politike, një mekanizëm për të siguruar vota, pushtet dhe ndikim. Gjirokastra, dikur qytet i kulturës, mendimit dhe historisë, sot po sheh veten të konsumuar nga hipokrizia dhe heshtja.
Dhe ky është zbulimi më i dhimbshëm për një gazetar që për shumë kohë besoi në një tjetër realitet. Sepse e vërteta, sado e ashpër, është gjithmonë më e mirë se një gënjeshtër e ëmbël.