
✍🏽 Telnis Skuqi Norvegji /
Partitë politike e kanë të ndaluar të përgatisin lista e zgjedhesve
Hapja e qendrave të regjistrimit të emigrantëve jashtë territorit të Shqipërisë nga Partia Socialiste për votime është një akt i papranueshëm dhe një shkelje flagrante e ligjit.
Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë përcakton qartë se administrimi i procesit zgjedhor dhe regjistrimi i votuesve janë kompetenca ekskluzive të institucioneve shtetërore, veçanërisht të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Çdo përpjekje për të krijuar struktura paralele nga një forcë politike përbën një shkelje të rëndë të parimeve të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës.
A mundet një forcë politike të uzurpojë detyrat e institucioneve shtetërore, duke shpërfillur rregullat dhe proceset ligjore?
Ky veprim nuk është vetëm një akt i jashtëligjshëm, por një precedent i rrezikshëm që rrezikon të dëmtojë integritetin e procesit zgjedhor dhe të vendosë nën dyshim barazinë e votës.
Nëse Partia Socialiste pretendon se po vepron për të ndihmuar emigrantët të votojnë, atëherë ajo duhet të ndjekë rrugët ligjore dhe institucionale, duke respektuar integritetin e procesit zgjedhor dhe të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm. Ligji nuk është një sugjerim – është një detyrim, dhe çdo shkelje e tij është një akt i rëndë kundër neutralitetit të votës.
[Fotoja është marrë nga profili zyrtar në Facebook i Mirela Kumbaros dhe është përdorur vetëm për qëllime ilustrimi dhe informimi. Nëse ka ndonjë shqetësim lidhur me të drejtat e autorit, ju lutemi të na kontaktoni]