Mbreti punonte për bashkimin mbarëkombëtar

Replikë e detyruar për intervistën e Hasan Luçit, në “Gazetën Shqiptare”.
Si emigrant politik në Suedi, ndjek me vëmendje shtypin shqiptar dhe, në këto kohët e fundit, vihet re një botim i shtuar i historive me “kaubojsa” komunistë, që bënin krime dhe kërkojnë tashmë të bëhen edhe heronj të krimeve të tyre. Në “Gazetën Shqiptare” ka pasur disa ditë një intervistë me Hasan Luçin. Me sa kuptoj unë, ky hero i krimeve të regjimit më gjakatar që njeh historia deri tani, kundër popullit të vet, kërkon ndoshta edhe një dekoratë apo të shpallet hero për atë punë aq “frutdhënëse” që aludon, për spiunimin dhe sabotimin e diasporës.
Ai, gjoja paska ruajtur jetën e idhullit të popullit (sipas tij) të kryekriminelit Enver Hoxha. Pa pikë skrupulli, del tani pas 27-vjetësh dhe krekoset për bëmat e tij. Ai, si duket, e kaloi lumin, sepse në Shqipëri, fatkeqësisht, nuk u bë asnjë Nuremberg, për gjenocidin më të madh në histori, në një popull aq të vogël dhe të pafajshëm. Kjo ka qenë shumë e nevojshme që vendi të binte në qetësi, pra kriminelët t’i dorëzoheshin gjyqit sikundër ka ndodh dhe ende vazhdon p.sh. në Kamboxhia. Enveri nuk qe larg nga Pol Poti i Kamboxhias për krimet monstruoze kundër bashkëkombësve të vet.
Por unë mendoj edhe këtë; se vazhda e komunistëve kriminelë dhe mullvadët e tyre të gjirizëve kanë një angazhim. Ajo asht porosia e pasuesit të xhelatit, dishepullit të tij, Ramiz Alioviçit që tha: “Vetëm mos lejoni që ta marrin legalistët, të tjerët le ta marrin se janë tanët”. Kjo paska qenë porosia e atij delikuenti famëkeq.
Në vazhdim, kuptohet se e gjithë makineria e persekutorëve ka qenë e drejtuar kundër të ndierit Mbretit Zog, oborrit mbretëror dhe partisë historike të Legalitetit. Atij, dhe asaj i trembeshin dhe vazhdojnë t’i tremben sepse kanë pasur frikë nga drejtësia, rregulli dhe ligji. Një shtet ligjor, një drejtësi dhe një Kushtetutë moderne nuk do të lejonte që ata të mos jepnin llogari për krimet makabre dhe që e mbushën vendin me burgje e kampe përqendrimi gjatë 45 vjetësh.
Por lluci i gjirizeve të mos krekoset se paska bërë kërdinë në diasporë se paska shkuar natën tek shqiptarë për informata. Enver Hoxha dhe regjimi i tij e kishin popullin në një burg të madh dhe ai ishte me disa rrathë, sikurse Ferri i Dantes dhe në të kishte çengelat, kasaphanat dhe llogoret e varreve masive. Pra, Hoxhës nuk i duheshin aq shumë mijtë e hendeqeve që kishte nëpër botë për të spiunuar, sepse i kishte mbushur burgjet dhe kampet e përqendrimit plot në gjithë vendin. Ai e dinte se askush nuk e sulmonte, por donte të vriste e priste sa të donte si paranoid që ishte dhe të mbillte panik, frikë dhe tmerr në popull me pretekstin e grupeve armiqësore, sa deri edhe në vetë aparatin e vet. Ai ishte i traumatizuar psiqikisht nga mynxyra e gjaku i derdhur që kur ishte i fshehur nëpër katundet ku gjoja luftonte okupatorin. Vendet fqinje që ishin çelësi i një ndërhyrjeje për rrëzimin e diktaturës komuniste, nuk lejonin në asnjë mënyrë këtë. Përveç pengesave të tjera, shtet fqinj doni që Shqipëria të mbetej një shkretëtirë tmerruese për qytetarët e atyre vendeve. Një shembull konkret: shqiptarët e Kosovës që arratiseshin e vinin në vendin amë vuanin kalvarin 20-25 vjeçar ose ia kthenin Titos, sipas marrëveshjes Enver-Tito. Lexo librin: “25 vjet në burgjet e Enverit”, nga Nazmi Berisha. Prandaj, them se xhahili e dinte se askush nuk e pushtonte, por si kanibal që ishte, nuk ngopej me gjak shqiptari dhe donte të eliminonte edhe ata që i kishin ikur.
Të vijmë tek Hasan Luçi. Paska rrjedhur nëpër shtëpi natën në Paris. Po nuk di ndonjë shqiptar që nuk e hap derën, kur dikush i troket në derë. Zakonet tona janë që edhe hasmit i themi mirë se vjen, derën e ke të hapur. Këtu është poshtërsia e gjiriz-jetuesve, që shpërdorojnë bujarinë dhe zakonet.
Luçi përmend Zenel Çamin, se i paska marrë informata.
I ndjeri Zenel nuk paska helmuar Mbretin dhe gjithë njerëzit e oborrit. Justifikimi se gjoja lugati Enver nuk donte të kryente krime jashtë, se kishte frikë nga bota. Po a ka ndonjë njeri që e përtyp këtë gënjeshtër me bisht. Regjimi i xhelatëve të Tiranës dhe Beogradit do të festonin dhe do jepnin kushedi se çfarë për të zhdukur jo vetëm Mbretin Zog, me gjithë familjen, por edhe gjithë pasuesit e tij, po të mundeshin. Pra, kjo asht zero. Pallavrat se si sigurimi shqiptar me Luçin si zbulues ia hodhi UDB-s, KGB-s dheCIA-s, është një ëndërr me sy hapur. Për sa i përket Muharrem Gjokës (e kam pas njohur në vitin 1970), ka qenë me oficerët e Mbretit Zog por kur u shpërndanë dhe ai u largua sikurse të tjerët. Mbreti Zog ka pasur adjutant si në Shqipëri, Turqi, Egjipt, Angli, Francë (në Spanjë, prej 1962 dhe i ndieri Mbreti Leka I), kolonel Hysen Selmanin.
Luçi thotë se M. Gj. nuk ishte i kënaqur nga Mbreti Leka dhe se gjoja ai, Leka, nuk ishte si i ati. Asgjë nuk qëndron. M. Gj. i ka hapur derën një shqiptari, pa marrë parasysh se ky ishte një palaço, që nuk i shkonte ndërmend Gjokës me e keqinterpretu bujarinë e një shqiptari nacionalist.
Mbreti Leka ishte i një kohe tjetër dhe zotësinë dhe zgjuarsinë ta kushtëzon dhe përshtat koha që njeriu jeton. Unë e kam takuar për herë të parë më 22 maj 1968, në Altea të Spanjës. Prej atëherë e kemi vizituar si familje disa herë në vit, në Madrid. Për këtë ndihem i privilegjuar dhe krenar se e kam njohur dhe ruaj kujtimet më të mira dhe shumë mësime nga ai, një nacionalist, patriot dhe trim i orës së parë. Ashtu sikurse ishte proklamuar “Ushtar i atdheut deri në vdekje.”
Mbreti Leka ia kushtoi jetën dhe mundin kombit dhe Shqipërisë Etnike. Me përgatitjen e tij në çdo disiplinë, i kishte të gjitha kushtet të bëhej çfarëdo në botën e lirë. Por jo! Ai mori barrën e rëndë të punonte për komb dhe atdhe. Ai ëndërronte dhe punonte që ta shihte Shqipërinë një komb, me një gjuhë dhe me një flamur, që rilindësit, donin, luftonin dhe vdiqën. Ai thoshte se: “Sikur të bashkohej Kosova me Shqipërinë, do të ngrihesha edhe nga varri”.
Thembra e Akilit, për çdo patriot shqiptar, gjatë Luftës II Botërore ka qenë: Shqipnia Etnike. Asnjë nga partitë nacionaliste nuk pranuan që Kosova të ngelte jashtë diskutimeve për shtetin e ardhshëm shqiptar pas humbjes së nazifashizmit, pra, asnjë lëshim për Kosovën. Kjo u kushtoi nacionalistëve, kjo i kushtoi Zogut fronin, por kjo i kushtoi edhe Mbretit Leka i gjatë gjithë jetës. Komunistët nuk pranuan marrëveshjen e Mukjes se vinte si kusht edhe Kosovën të ishte brenda kufijve të shtetit të ardhshëm. Meqë Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha kishin marionetën Enver në dorë, dënuan marrëveshjen e Mukjes, madje i dënuan delegatët e saj me vdekje. Vrau pas shpine edhe kryetarin e saj patriotin nacionalist Mustafa Gjinishin dhe hapën vëllavrasjen. Është për t’u çuditur se si komunistëve dhe injorantëve si Luçit u ka ngel akrepi i orës po në një vend se, “Zogu mori floririn”!. Çdo gjë është shkruar pas 1990, dokumentuar bile edhe me shifra sa flori qe, ku u çua për ta mbrojt nga fashizmi e nazizmi u transportua në vendin e sigurt në Londër dhe si përfundoi ajo histori. Por në Shqipëri kanë ndodhur çudira. Çudia ma e madhe qe historia se gjoja një fshatar i Kërrabës vodhi floririn që ruhej atje dhe e transportoi me gomar?! Pra, gjithë ai flori u vodh me gomar!. U dënua një fukara, pse iu gjetën dy-tri monedha flori. Zhurma e shtypit u shua sikur kripa në ujë. Por ama, ajo e Zogut vazhdon, sepse e ka thanë merhumi dhe ajo është një plagë në trurin e atrofizuar të njeriut të ri që krijoi kalvari i xhelatëve për gati gjysmë shekulli.
Te zotësia e Lekës I? Intuita, zotësia dhe inteligjenca e tij është vlerësuar nga shumë qeveri të botës. Ai konsultohej me politikanë, pyeste dhe informohej. Ai, madje, qe edhe këshilltar i Presidentit Thiu në luftën e tmerrshme në Vietnam, po ashtu edhe në luftërat guerile në Rodezi (së bashku me bërthamën e ushtrisë kombëtare që përgatiti në periferi të Madridit, në Pozuelo) si dhe informohej vazhdimisht mbi gjithë teknologjinë e armatimeve të reja të fabrikave botërore.
Është e vërtete se Luçi kishte lidhje me Çufe Mullain, pseudonim i Manush Kelmendit, që u fut në Lëvizjen e Legalitetit në Belgjikë. Të gjitha partitë në diasporë kanë qenë të hapura dhe për pranime. Pra, nuk kërkohej që dikush të kishte vra, spiunuar apo burgos njerëz, si meritë, për tu ba anëtar si në PP e llucit të kuq. Bëmat e Cufes u thurën në romanin e fantazive të komunistit Nasho Jorgaqi dhe me porosi të sigurimit famëkeq, me titullin “Mërgata e qyqeve”. Mbreti Leka nuk përzihej në punët e asnjë partie. Ai ishte pa parti dhe i konsideronte të gjithë njësoj dhe ishte mbi partitë. Është e natyrshme që Mbreti Leka ishte në dijeni të të gjitha ngjarjeve si jashtë, ashtu edhe brenda në Shqipëri.
Kur Mbreti në 2-3 korrik 1972 thirri gjithë kryetarët e partive për një bashkim mbarëkombëtar të diasporës, (një Prizren i dytë) Ai, nuk bëri asnjë dallim. Mbledhja u mbajt në Madrid në Hotel Cisco. Kam qenë edhe unë i pranishëm dhe kam filmuar dhe fotografuar atë eveniment patriotik.
Lluçi paska gjet mjaft spiunë në mërgim, që nuk donin të jetonin vetë nën diktaturën enveriste dhe i ka përdorur për të komprometuar dhe të luaj me ndjenjat e njerëzve të larguar për disa dekada dhe të përmalluar. Aty është përzierë atdhedashuria, mallëngjimi, malli për familje në internim apo në burg. Dora e zgjatur e këtij zagari ka luajtur me ndjenjat e mjaft njerëzve si dhe janë përdorur edhe hakmarrjet kundrejt farë e fisit nëpër kampe përqendrimi. Me veglat e tyre të fëlliqura kanë shkaktuar tragjedi me pasoja fatale ndërmjet individëve në diasporë. Po e konkretizoj me një telegram kërcënimi që operativi xhelat i zonës Fierës në Dumre (vend kampi përqendrimit),Gani Garunja i jep vëllait për t’ma postuar me përmbajtjen: ”Hiqni dorë nga veprimet armiqësore kundër shtetasve tanë atje veprimet tuaj po rëndojnë mbi ne”. 28 gusht 1976. Një pjesë kanë pas karakter të dobët, janë mashtruar dhe janë kthyer në Shqipëri. Kështu, ky kriminel ka dënuar dyfish. Ka mashtruar dhe pastaj ka dënuar. Ata zagarët e Luçit të hendeqeve ishin në gjithë shtetet dhe neve i dinim, por nuk mund të vrisnim kënd, pse është me ide tjetër apo punon për të tjerët. Ne nuk ishim si xhelatët e regjimit Hoxha-Shehu.
Këtu në Stokholm dinim një person të arratisur nga fundi i viteve 50, që mundohej me nda edhe gratë nga burrat që të kthehej gruaja se burri ishte kokëfortë antikomunist. Ai çoi në Shqipëri tre prej Stokholmi, me sa njoh unë. Ata ishin qyqarë si Ethem Hoxhallari nga Korça, nuk di gjë për fatin e tij. Galip Colin një ish-Sigurims i Enverit që nga dajaku në Jugosllavi pas 9-vitesh burg erdhi në Suedi. Ai na thoshte në kafe se: “Unë u zbërtheva nga UDB-ja dhe dënohem me vdekje po të kthehem në Shqipni”. Atij ia mbushi mendjen këlyshi i Luçit dhe e çoi në Shqipëri. Ai u prit me lule me që në aeroplan kishte edhe suedez, por sapo të huajt ikën atij iu vunë prangat. Ai u dënua me sa di 25 vjet burg. Kurse Dulaver Hasën (prej Peshkopie) pasi e ndanë nga gruaja e fëmijët, shiti vilën mori parët për të jetuar luks në Shqipëri, e dënuan 25 vjet burg. Me që ishte shtetas suedez erdhi prapë në vitin 1990 dhe ndërroi emrin e quhej Alfons. Ai deklaroi që “unë nuk jam ma shqiptar”, nga kalvari që përjetoi, pra mohoi veten. Pas një viti, këtu, vdiq dhe nuk ishte as 50 vjeç. Këto janë heroizmat e Luçit me mijtë e tij. Si këto kanë ndodhur kudo në Perëndim. Pra, ai i ka ndihmuar Enverit të mbushë burgjet edhe me neve që jetonim jashtë, kurse nga ana tjetër nuk donte të eliminonte Mbretin. A hahen këto dëngla! Unë nuk dua të përmend se cilat familje janë provokuar nga ata, sepse nuk dua që t’i vrasë ndërgjegjja se pse kanë mbajtur kontakte me atë miun e Suedisë. Vetëm dua të dëftej pak se si erdhi ai këtu, pa i përmendur emrin, vetëm inicialet (N. SH. me të shoqen SH.), për të mos i turpëruar ata familjarë që vuajtën nga arratisja e tij. Arratiset për Greqi, nga fundi i viteve ‘50 dhe nga kampi i Llavrios në Greqi shkon, në Turqi aty u pagëzua në spiun batoqesh, pasi u martua me një shqiptare nga Kosova që kishte kontakte me ambasadën shqiptare në Turqi dhe me dy shqiptarë (Z.K. dhe L.T), që vepronin si spiunë atje. Çifti ndërmori disa udhëtime nëpër Europë dhe në prill të vitit 1964 na vjen në kampin e Llavrios në Greqi. U paraqit si legalist dhe filloi duke na këshilluar. Pas pak u zhduk se e pa që neve e kuptuam misionin provokues të ndytë të tyre. Ai i shpërbleu të ndierët që përmenda më lart me nga 25 vjet burg në “parajsën” e Luçit. Këto janë bëmat e mëdha të Hasan Luçit dhe veglave të tij.
Hasan Luçi qenka një mikrob komunist që ende sipas angazhimit persekuton familjet e shumëvuajtura të naciaonalistëve (legaliste-mbretnore veçanërisht), duke u thënë se ata baballarët tuaj kanë punuar për regjimin “gjakatar” komunist. Hallall e keni pas burgun dhe internimin, sepse M. Gjoka më hapi derën dhe më priti. Unë nuk mbroj asnjë spiun kushdo qoftë ai. Edhe po të ketë qenë Zenel Çami, Andon Konomi apo Muharrem Gjoka, por ç’faj kanë familjet e tyre që kanë vuajtur të zezat e ullirit në ferrin komunist. Me këtë dua të them se ata tani e ndjejnë veten të turpëruar që prindërit e tyre paskan punuar (nëse), me kriminelët e Enverit pa pas asnjë detyrim apo kërcënim për burg në botën e lirë kur ne dergjeshim në kalvarin e xhelatëve komunistë.
Neve i kemi dit këto manovra të tmerrshme komuniste, por nuk mund të vrisnim njerëzit pse gënjehen nga premtimet, provokimet apo edhe kërcënimet. Njeriu zgjedh vetë si të veprojë. Nuk ka pas diktat.
Mbreti dhe Nana Mbretëreshë e lejuan përfaqësinë e Ambasadës Shqiptare në Paris të merrte pjesë në dasmën e Mbretit (në të cilën qesh emëruar filmuesi i saj dhe e kreva shkëlqyeshëm), më 10 tetor 1975, në çifligun Iljeska në Madrid. Mbreti dhe Nana Mbretëreshë (ndjesë paçin) i lejuan pa asnjë bujë. Mbreti i konsideronte të gjithë shqiptarët si bashkëkombës, pa dallim të ngjyrës. Ata që kanë lyer duart me gjak duhet t;i dënoj gjyqi dhe jo të vëllavritemi në tokë të huaj. Ky ka qenë një rregull i pashkruar, ky ishte shqiptarizmi jashtë atdheut. Njerëzit nuk vriteshin për ide politike, politika dhe feja është personale për një person që e kupton fjalën demokraci dhe që do të jetojë si demokrat.
Tani po çuditemi se si ish-persekutorët e djeshëm po flasin në emër të demokracisë, madje po japin leksione për demokraci. E filloi Ramizoviçi, pasi e mbrojtën ca kohë gjoja në burg, që të mos e vriste kush, vazhdoi me vejushën e zezë dhe tani Hasan Luçi, që paska mbrojt regjimin “famëkeq” dhe lavdërohet që ka ruajt jetën e Enver Hoxhës.
Këta që masakruan popullin afro gjysmë shekulli, kur u siguruan që nuk i gjen gjë, filluan të lulëzojnë dhe të na mësojnë se kjo tani nuk është demokraci e vërtetë.
Unë u jap plotësisht të drejtë si Ramizit, Naxhmijes dhe Hasanit. Ja pse u jap të drejtë: Në asnjë vend të botës që njihet si demokraci nuk ka shpëtuar një kriminel që ka bërë gjenocid kundër njerëzimit pa iu dorëzue gjyqit të vendit apo Hagës. Akoma ndiqen dhe arrestohen kriminelët e nazimit, edhe pse janë në moshë mbi 90 vjeçare. Kurse në Shqipërinë tonë kriminelët kritikojnë sepse nuk kemi një demokraci të vërtetë. Hajt e merre vesh këtë super paradoks. Por kjo ndodh veç tek ne se njeriu i ri i Enverit ndodhet në çdo vend kyç. Por po harrove të kaluarën, nuk e ndërton kurrë të ardhmen dhe kjo po ndodh tek ne pas mbi 20 viteve tranzicioni jemi dhe po mbetemi në tranzicion vendnumëro. Ajo e kaluar aq fatale e zymtë na ka paralizuar dhe nuk po dalim dot sepse luçat, ramisat, nexhmijet dhe plot të tjerë si këta nuk dhanë kurrë llogari, por po kërkojnë edhe llogari se kjo s’është demokraci e vërtetë.
Nga Adil N. Biçaku, Suedi
Short URL: http://www.gazetarepublika.al/?p=19334
Posted by redaksia on Jun 2 2012. Filed under Komente. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. Both comments and pings are currently closed.