
Enver Kodra
Një jetë me matematikën
Enver Kodra i përket brezit të mësuesve të matematikës që përfunduan shkëlqyeshëm Universitetin e Tiranës me një kastë profesorësh të shquar të kohës.
Formimi i plotë shkencor dhe metodik, serioziteti dhe përkushtimi në punë e bëri atë të kërkuar nga shkollat e mesme dhe komunitetet e prindërve në Korçë e Pogradec.
Enver Kodra u lind në Pirg të rrethit të Korçës më 13 dhjetor 1948 në familje të mesme.Babai bujk arsimdashës, nëna rrobaqepëse.
Gjyshi nga nëna ka marrë pjesë në çetat patriotike të Gorës që shoqëronin në krahinë Themistokli Gërmenjin për organizimin e revoltës kundër turqve.
Më pas në detyrën e kryetarit të këshillit nacionalçlirimtar të fshatit, u internua nga gjermanët dhe vdiq në kamp përqendrimi.
Sot dëshmor i Atdheut.
Ruaj respekt të veçantë për prejardhjen patriotike të familjes dhe prindërit që bënë gjithçka për të arsimuar fëmijët e tyre, – thotë Enveri në bisedë.
Shkollën 7-vjeçare e mbaroi në Pirg me rezultate të shkëlqyera. Po atë vit u regjistrua në gjimnazin e Maliqit.
Pas dhjetë ditëve i doli e drejta e studimit në gjimnazin 3-vjecar të Vlorës, por autoritetet e kohës ia anuluan, meqë kishte dy vëllezër me studime.
U mërzit, nuk deshi të shkonte në gjimnazin e Maliqi, por i ati e la punën dhe e shoqëroi tre ditë rresht derisa rifilloi rregullisht.
- Çdo ditë nga shtëpia në shkollë e kthim bënte 25 km. rrugë, megjithatë merrte nota të larta. Muajin e parë mësuesi i matematikës nuk i jepte notë maksimale, ndonëse përgatitej rregullisht, po kur e pa se ushtrimet e problemet e vështira detyra shtëpie i zgjidhte vetëm ai, ndryshoi mendim dhe deri në mbarim të gjimnazit nuk ia ndau dhjetat.
Ndonëse në përfundim të shkollës së mesme në të gjitha lëndët kishte rezultate të larta, matematika mbetej pasioni i tij, ndaj në kërkesën për universitet vendosi vetëm degën matematikë, e cila iu realizua. Edhe atje u shqua për prirjen e natyrshme drejt matematikës dhe mbaroi me rezultate të larta.
Në janar 1971 u emërua mësues ne shkollën 8-vjecare Velçan të Gorës, ku punoi përkohësisht, se e transferuan në shkollën 8-vjecare Vinçan. Vitin tjetër shkollor u emërua nëndrejtor në shkollën e mesme Pirg me numër të madh nxënësish dhe kolektiv prej 50 mësuesish. Iu përkushtua punës me dhe pa orar, zhvillonte konsultime me nxënësit të cilët shkëlqyen në mësime gjatë shkollës së mesme e të lartë. Disa prej tyre u bënë kuadro drejtues në sektorë të ndryshëm.
Tre vite më vonë transferohet në rrethin e Pogradecit pranë shkollës së bashkuar Çërravë.- Për 5 vjet dha lëndën e matematikes e fizikës me ngarkesë rreth 30 orë në javë në 8-vjecare e të mesme. Ne vitin shkollor 79-80 emërohet drejtor i shkollës Bletas. Pas tre vitesh në këtë shkollë, për rezultate të mira dhe seriozitet të spikatur, emërohet metodist në kabinetin pedagogjik të rrethit për lëndën e matematikës.
- Në kabinet përgatisja materiale kualifikuese, duke vëzhguar të gjitha shkollat e rrethit, duke kontrolluar e dhënë ndihmesë në mbarëvajtjen e punës së mësuesve. Kam shkruar rregullisht artikuj në gazetën “Mësuesi”, – tregon Enveri përvojën e punës në kabinetin pedagogjik.
Në vitin 1987 filloi punë mësues i shkollës së mesme pa shkëputje nga puna dhe nga viti 1990 drejtues i saj, deri në vitin 2004 kur u emërua drejtor i shkollës së mesme profesionale. Pasi punoi 3 vjet drejtues e kaluan mësues për lidhjen e shkollës me prodhimin, derisa doli në pension në vitin 2013.- Për këtë periudhë kam kujtimet më të bukura, – tregon ai, – shkëmbyem eksperiencë pothuajse me të gjitha shkollat profesionale të vendit. Në Austri dhjetë ditë vizituam disa shkolla profesionale në Vjenë e qytete te tjera.
Pyetjes çfarë mendon për arsimin sot, iu përgjigj
• Në raport me kohën kur punuan ne, arsimi është në nivel më të ulët. Sugjeroj që në nivel qendror e lokal t’i kushtohet vëmendje e madhe arsimit profesional, deri tani pothuaj i braktisur. Keqardhje kur dëgjoj të regjistrohen në degët e arsimit në universitet nxënësit më të dobët të shkollës së mesme.
Enveri është i martuar dhe ka dy djem, të cilët kanë mbaruar shkollë të lartë.
✍🏽 Istref Haxhillari /Libri Misjonarët,- (mësuesit e spikatur ndër vite)
