
TAKIM ME NJË MIK TË VEÇANTË!
Portret i paatorizuar për mikun tim, Muharrem Meko drejtor i Radio – Televizionit të Korçës
Nga Pëllumb Gorica
Kur vjen në Korçë është e pamundur të mos takosh miqtë, që nuk i ke takuar prej kohësh, duke e kthyer në një ditë të gëzuar ardhjen dhe shumë miqësore e të këndshme mes bisedave për artin, me mendimin se jeta e pasur shpirtërore, është vlerë e trashëguar!
Korça gjithmon të duket ndryshe, jo si herët e tjera kur ke ardhur këtu e bukur me përmasa të admirueshme në të gjitha fushat e jetës, e sidomos në arsim e kulturë, me intelektualë që hijeshojnë atë dhe i kontribuojnë në zhvillimin e saj.
Shpesh fjalët më vijnë natyrshëm kur shprehet takimi me miq plot vlera. Prandaj sot në këtë status, më lindi dëshira të shkruaj për Muharrem Mekon.
E takova aty në kafenenë e Radio Televizionit të Korçës.
Miq si Muharremi dy gjëra i kanë gjithmonë të pranishme, respektin dhe buzëqeshjen, që i japin të plota dhe kurrë të copëzuara. I mëkuar me traditën e një trungu të lashtë lirik, por që njëherazi ushqehet me punë e përkushtim në vitalitetin e kohës që jetojmë, me energjitë e njerëzve të çmuar, me emocionet dhe mbresat e pafundme respekti meriton fjalë përgëzuese.
Gazetar veteran i kësaj treve prej 30 vjetësh dhe sot drejtues i Radio Televizionit të Korçës, ka kontribuar për pasqyrimin e kulturës së trevës, si ideator dhe projektues i shumë rubrikave radio-televizive, të ndjekura kudo në Shqipëri.
Vërtet si njeri i veçantë, është i thjeshtë si ne, madje shumë i thjeshtë, me problemet e shqetësimet e tij.
Si çdo njeri që ka kaluar shumë çaste të vështira në jetë, e nuk është përkulur, dhe gëzuar me çaste të bukura, optimiste, e të gëzuara.
Kur takohesh me të nuk të flet për kostume firmato, për makinat e shtrenjta, për vilat, për pronat, që nuk i ka, por të flet për familjen, për njerëzit e dashur, për të patur sukses në jetë.
Të flet me pasion më shumë për gjëra që ushqejnë trurin dhe shpirtin.
Mund të ndryshojnë nga një grusht i fuqishëm i jetës, nga një dhimbje e fortë, nga një dashuri, nga një përkëdhelje, nga një urrejtje, pabesi, por njeriu nuk ndryshon, duke u shoqëruar me njerezit e zakonshëm.
Ata janë dhe duhet të jenë të vetmit që meritojnë gëzimin, lumturinë, respektin dhe admirimin tonë, se janë ata që pa zhurmë, me modesti, pa kërkuar asgjë na krijojnë këtë miqësi të pastër.
E ku ka më bukur e më ngrohtë se sa kur takon e bisedon me njerëz që burojnë thjeshtësi, mirësi e dashuri.
Ne biseduam për shumë gjëra; rreth artit të shkruar, traditave e kulturës sonë, me admirim për dashurinë ndaj familjes, për profesionin, dëshirat, projektet, e sigurisht miqëve tanë të mirë.
E në fund bëmë dhe foto atje në ambientet e Radio Televizionit të Korçës.
Muharrem Meko, në çdo kohë i thjeshtë, i mençur, i ditur, zemërhapur për miqtë e shokët, për të pirë një kafe, për të shijuar një gotë raki a verë, ku ndjesia dhe përkushtimi ndaj fjalës së kultivuar mbetet gjithnjë hapësinore dhe e lakmueshme.
E ndjej si detyrim, të shkruaj për udhën e bukur te vlerave të Muharremit, mundin dhe sakrificat deri në shkëlqimin e merituar.
Në këtë rast ndihem i emocionuar e i motivuar, të nxjerr nga vetja thesarin e shpirtit të njerëzve me zemër të madhe, të bukurës jetë, që është kaq e bukur nëse kapesh pas saj.
Muharrem Meko ka një portret rrezatues. Shumë fisnik. Pyes veten a motivohet njeriu sot me veprën jetë, të këtyre njerëzve!?