“Thuhet se njeriu lind dy herë:
herën e parë e lindë nëna, e herën e dytë gjuha në të cilën flet dhe e cila ia mundëson të rrëfejë për të tjerët dhe për vetveten! Por, siç duket, njeriu edhe vdesë dy herë: herën e parë kur e ngulfatë frika që t’i thotë të vërtetat për atë që ia bëjnë të fortët e të pushtetshmit dhe herën e dytë, kur shpirti ia braktisë trupin!
Ku ta dish, shqiptarët e Maqedonisë mbase do përjetojnë edhe lindjen e tretë: lindjen nga vetëdija se është vetëtradhti dhe vetëpërbuzje, të qëndrosh i përkulur dhe t’i përkrahësh politikisht ata që të kanë çuar nga ‘Sopoti’ në ‘Brodec’, nga likuidimi i Harun Aliut me shokët deri te ‘Monstra’, nga ‘Encliklopedia’ maqedonase që ofendoi tërë popullin shqiptar deri te ‘Shkupi 2014”…, pra nga një tragjedi në tjetrën, për të arritur deri te nata e përgjakur e Kumanovës, deri te nata kur regjimi DPMNE-BDI bëri diçka të paimagjinueshme për rrethana paqeje: bëri krim mbi njerëzimin dhe, para syve të tërë shqiptarisë dhe të tërë botës, ushtroi terror shtetëror mbi shqiptarët e tërë një lagjeje!” (Kim Mehmeti)
