Kategori
Uncategorized

Nga Agim Avdyli/
Eh more shoku jem i vjeter- më tha - Kush mund t'u rezistonte atyre?
Para një viti më bëri kërkesë për miqësi profili një shok shkolle nga koh' e fëmijërisë…

Si zakonisht, por edhe nga kureshtja (kishin kaluar 45 - 50 vjetë pa u takuar), i hodha një sy profilit të tij.

U surprizova kur në albumet e fotove të tij, e pashë të kishte dalë me persona mjaft të njohur për mua: ish- komisarë repartesh ushtarake të zonës së Veriut, ish- sekretarë partie dhe ish- shefa sigurimi të këtyre reparteve ushtarake apo edhe të ish-DPB Shkodër, Lezhë e Pukë.

Natyrisht nuk ja pranova kërkesën.
Jo për këtë fakt, pra jo për faktin se ai jetonte nën shoqërinë e këtyre ish-ave komunistë. Por për një fakt tjetër që kishte lidhje me të kaluarën.

Kishte lidhje me faktin se ky ish-shoku im i fëmijërisë, vinte nga një familje me tradita të fuqishme legaliste, nga një familje që në vitet e para-çlirimit ishte një nga familjet më në zë të nën-Shkodrës me lidhje të fuqishme me mbretërinë zogiste.
Ishte kjo, një familje që edhe në vitet e para të mbas-çlirimit, pësoi një persekutim të tmerrshëm prej rregjimit komunist, që fillonte qysh me vrasjen prej komunistëve të kreut të familjes, një eksponent në zë legalist … vazhdonte me brezin e dytë të tij dhe, (siç kujtonim neve), edhe me brezin e tretë (ky shoku im, me vëllezërit e vet) …

E takova para gjashtë muajsh në Tiranë.
Duke pirë kafen që ma qerasi, e pyes drejtpërdrejt për fotot me të cilat krenohej në fb, dhe lidhjet me ta, në kontekstin e të kaluarës së tyre si të persekutuar …
Nuk kishte as mundësi dhe as arsye më të më fshihej …

”Eh more shoku jem i vjeter- më tha - Kush mund t'u rezistonte presionit dhe dhunës së tyre për nji gjysë shekulli?

Por m'beso: vujtja ma e madhe e jona, qi zgjati rreth dy dekada, ishte se duhej që ditë për ditë dhe orë e çast të ruheshim prej jush.

Duhej të hiqeshim me t'vertet si shumë të persekutuem dhe t'perndjekun, në mnyrë që të gjith ju të tjerët të mos e kuptonit për gjatë 20 vjetve se në ishim jo ma si ju, por gadi- gadi si ata!

Jo vetem na kishin rekrutuar por, na kishin ba gadi si vedin.

M'beso- kur ishim atje brenda duke informuar, ishim asgja mangut tyne! Fatkeqsisht."

Mbaj mend nga ajo ditë se, as kafenë nuk arrita ta mbaroj dot.

Më përzihej nga fundi i stomakut- kafeja me zhgënjimin dhjetra vjeçar!
Por që çuditërisht dhe fatmirësisht, nuk isha as në gjendje të urreja…

Kë të urreja më parë?
Dhe kë, të fundit?

S'ja vlente më! …

Lini një koment