Një libër monument për fëmijët martirë të Kosovës.
Children martyrs of Kosovo 1981 – 1999”
Është vepra tjetër kapitale e Dr. Nusret Pllanës për gjenocidin e shkaktuar nga Serbia në luftën fundit në Kosovë.

Në Stockholm u promovua libri më i ri i autorëve Hanëmshahe Ilazi e Nusret Pllana, “Fëmijët martirë të Kosvës 1981-1999”. Libri përveçse përkujton 1432 fëmijët, hedh dritë përjetësie edhe mbi emrat e secilit fëmijë martir të vrarë nga armiku në Kosovë. Promovimin e organizuan ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë dhe Rrjeti Shqiptaro-Suedez.
Ambasadën tonë në Stockholm e drejton diplomatja Shkëndije Geci-Sherifi. Këtë e dinë të gjithë. Por, jam i sigurt se të gjithë nuk e dinë se Shkëndije Geci-Sherifi , përveçse diplomate karriere është edhe përkrahëse dhe propaganduese e kulturës sonë brenda komunitetit shqiptaro-suedez .
Kujtoj, mes veprimtarive tjera, aktivitetin e bukur të saj dhe SAN-it për dhënien e titullit Ambasador i Kulturës Shqiptare në Suedi albanologut suedez Ullmar Qvick. “Rrjeti Shqiptaro-Suedez”, gjithashtu është log i denjë i shqiptarëve në Stockholm e më gjerë. SAN-i bashkë organizon me ambasadën tonë aktivitete të shkëlqyeshme kulturore që shqiptarëve në Suedi u bëjnë nder të madh. Përmes emrit të Salih Shalës -kryetar i SAN-it, duhet përshëndetur të gjithë anëtarët tjerë të këtij rrejti, për prezantimin dinjitar të emrit shqiptar në Skandinavi.
“Children martyrs of Kosovo 1981 – 1999”
Është vepra tjetër kapitale e Dr. Nusret Pllanës për gjenocidin e shkaktuar nga Serbia në luftën fundit në Kosovë. Në këtë libër dr. Pllana është bashkautor me zonjën Hanëmshahe Ilazi e cila nuk ishte e pranishme në këtë promovim. Ambasadorja Geci-Sherifi nisi promovimin me një minutë heshtje për të vdekurit në rrënojat e qytetit të Durrësit me rrethinë nga tërmeti fatal që këto ditë u ndali frymën gjithë shqiptarëve. Ambasadorja tha fjalët e merituara për punën me vlerë të dy autorëve.
Ndërkaq për librin “Children martyrs of Kosovo” (në Stockholm u promovua varianti anglisht) foli gazetari veteran i gazetarisë shqiptare në Suedi Shuquri Sejdiaj. Sonte, fatkeqësisht nuk mund të flitet për veçoritë estetike të librit-siç rëndom do të mund të flitej për secilin libër-tha Sejdiaj. Përgjigjja e pyetjes – pse jo estetike, rri në përmbajtjen mjaft tragjike të veprës. Tragjikja e kësaj vepre nuk është artistike. Është tragjikë reale, e përjetuar e popullit tonë në luftën e Kosovës.
Dr. Nusret Pllana përshëndeti organizatorët dhe bashkëkombësit që kishin ardhur në promovim. Pastaj rrëfeu për vullnetin-dëshirën peng të dy autorëve që të përkujtonin sot me një libër të tillë, e nesër me një obelisk madhështor fëmijët e vrarë të Kosovës. Jam shumë i lumtur për botimin -tha autori Pllana, i vetëdijshëm se terrori, masakrat e gjenocidi në Kosovë, ka nevojë për shumë vepra akademike, institucionale e shtetërore.
Libri është përuruar në Prishtinë, Mynih , Vjenë, Bruksel dhe sonte në Stockholm. Dhe do të vazhdojë të përurohet edhe në Amerikë, Australi e Afrikë. U shfaq edhe një rrëfim i shkurtër fotografik e pastaj Dr. Pllana u përgjigj në shumë pyetje të bashkëkombësve.
Për Televizionin AlbSe dhanë opinionet e tyre shumë të pranishëm. Ambasadorja Geci-Sherifi vlerësoi edhe një herë punën e autorëve Ilazi e Pllana dhe bëri të njohur për publikun aktivitetin tjetër të radhës. Autori Pllana, pavarësisht botimit që kemi sot këtu, mendon se vendi është vonuar me botimin e veprave të tilla.
Njëzet vjet më pas, nuk ka publikime të domosdoshme ku do të argumentoheshin viktimat, fëmijët e vrarë, populli i masakruar. Duke dokumentuar vrasjet e fëmijëve të pafajshëm luftojmë harresën dhe njëkohësisht i ofrojmë drejtësisë dëshmi e fakte sepse drejtësia nuk bëhet me supozime. Salih Shala njoftoi opinionin se më 10 dhjetor, bashkë me komunitetet tjera që vuajte gjenocidin e Serbisë do të organizojnë protestë në Stockholm, me rastin e dorëzimit zyrtar të Nobelit për letërsi shkrimtarit austriak.
Zyrafete Loshaj si koordinatore e Fondacionit “Albana” bëri të ditura përpjekjet e fondacionit dhe të Shoqatës së Nuseve Shqiptare në Suedi për ndihmat që po tubojnë (700,000 korona) për të dëmtuarit në tërmetin e 26 nëntorit. Edhe të intervistuarit e tjerë thanë se libri i sapo promovuar sjellë dokumente shtesë për vrasjet makabre që bëri ushtria e policia serbe në Kosovë.
Ky libër i paraprinë vendimit tashmë të protokolluar të qeverisë sonë për ndërtimin e obeliskut afër aeroportit ndërkombëtar në Prishtinë. Atëherë, të obelisku do të kthehemi shpesh të gjithë, jo për t´u ligështuar por, për t´u fuqizuar nga përkëdheljet që do t´u bëjmë mermerëve me emrat e gdhendur përmbi , të gjithë atyre fëmijëve që armiku shekullor na i këputi në lulen e fëmijërisë.
Dhe për t´i rikujtuar vetës e gjeneratave të ardhshme çmimin e lirisë sonë.
Një reportazh të zgjeruar për këtë veprimtari përgatiti Televizioni AlbSe.
Klikoni në linkun tonë për të shikuar reportazhin.
https://www.youtube.com/watch?v=iXJb7bmhUaE

Qerim Kryeziu