Kategori
Uncategorized

16 t’arratisun të Kelmendit

Ushtrija N.Ç. Shqipatare V.F.L.P

Komanda e Qytetit Koplik Koplik me 15/3/1945.-

Nr. 13. III. Res

Komandës së Qarkut

Përgj. Urdh. Nr. 63/12 Res datë 1/3/1945. –

Këtu poshtë ju parashkruajmë raportin me shënimet e kërkueme mbi t’arratisunit politik të këtij rajoni (tue lanë jasht edhe 16 t’arratisun të Kelmendit për të cilët kemi kërkue nga Kom Vendit atjeshme për me na skjarue dhe do ju raportohen po sa të kemi marrë informatat e duhuna). –

1. – Nik Gjeloshi Kastrat. – Ka kenë Togër i Milicisë Fashiste. Në kohët e fundit ka kenë bashkue me grupin Indipendent dhe ka kenë nji ndër kryetarët në Malsi. Dallaverexhi i përsosun, ka mbajtë lidhje të ngushta me reaksionin ka kenë nji ndër Kryetarët për organizimin e sulmit të Lleshit. Arsyeja e arratisjes së tij asht: marrja pjesë në sulmin e Lleshit. –

2. – Nikollë Preka – fashist i dorës së parë, mik i ngushtë i Kol Bibës, Toger Milicije, spiun, provokator i luftës së Reçit, ka ba pjesë tash së fundi me Legalitetin bashkë me Llesh Marashin, Nikollë Prekën e Nik Gjeloshin kanë organizue sulmin e Koplikut. Arratisë qysh me shlirimin e Qarkut të Shkodrës. Arsyeja e arratisjes: spijun. –

3. Dom Nikollë Gazulli, – prift, fashist i dorës së parë, spiun. Ka kenë gjithmonë kundra lëvizjes. Ka ba ç’mos me na sabotue, me predikime qi ka mbajtë në kishë me spionazhe sa ka mujt atij. Ky bashkë me Llesh Marashin, Nikollë Prekën e Nik Gjeloshin kanë organizue sulmin e Koplikut. Arratisë qysh me shlirimin e qarkut të Shkodrës. Arsyeja: spijun. –

4. – Pjetër Gjok Doda. – Bajraktar i Shkrelit. Njeriu usullesh, ka sabotue mjaft lëvizjen në Shkrel. Asht bashkue me Llesh Marashin kuer ky ishte Komandant Qarku në Shkodër. Asht arratisë bashkë me Lleshin. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: bashkëpuntor’ i Lleshit.-

5. – Mirash Gjoka. – Ka kenë mik i ngushtë i Shaqir Omarit, ka ba pjesë në Milici, ka kenë spiun, asht arratisë bashkë me priftin Dom Nikollë Gazullin. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: bashkëpuntuer i Dom Nikollë Gazullit.

6. – Llesh Marashi. – Organizator’ i reaksionit në Malsi të Madhe arratisë qysh në shlirimin e qarkut të Shkodrës. Arsyeja e arratisjes: bashkëpuntuer i Ballit, Legalitetit, Grupit Indipendent dhe Gestapos. –

7. – Rrok Konti – i nipi i Lleshit. Asht arratisë bashkë me axhën, pse nip i tijë.

8. – Ndue Gjeloshi – edhe ky nip i Lleshit. Asht arratisë bashkë me axhën pse nip i tij.

9. – Vat Gjeloshi – nip i Lleshit. Asht arratisë bashkë me axhën pse nip i tij.

10. – Prek Leka – dallaverexhi i dorës së parë, bashkëpuntor e mik i ngushtë i Llesh Marashit. Asht arratisë me shlirimin e qarkut të Shkodrës. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: bashkepuntuer i Lleshit.

11. – Pashko Leka. – Edhe ky si i sipërmi, mik e bashkepuntuer i Llesh Marashit. Asht arratisë me shlirimin e qarkut të Shkodrës. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: bashkpunetuer i Llesh Marashit.

12. Luket Marashi. – Dallaverexhi. Tip bajraktari, mik i ngushtë e bashkepuntuer i Llesh Marashit. Ka hapë parrulla e ka ba agjit. e prop. Ka tradhtue partizanët kuer kanë shkue me rrethue Llesh Marashin. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: marrja pjesë në sulmin e Koplikut.

13. – Prel Frani. – Dallaverexhi, ka pasë lidhje të ngushtë me reaksionin e sidomos me Llesh Marashin, ka ba agjit e prop, ka hapë parrulla, ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut e te Ura e Rrjollit. –

14. – Palok Luketa. – Ka shkue gjithnjë mbas babës së vet, Luket Marashit, ka marrë pjesë në luftën e Grishajvet, në Bajzë, Koplik e Ura e Rrjollit. – Asht arratisë bashkë me babën e vet. –

15. – Ded Luketa. – Ka shkue gjithnjë mbas babës së vet. –

16. – Fran Luca: Dallaverexhi, ka pasë lidhje të ngushta me Llesh Marashin, ka ba agji e prop , ka marrë pjesë në sulmin e Bajzës e të Koplikut. Asht arratisë së bashku me Llesh Marashin. –

T’arratisun ordiner nuk kemi në rajonin t’onë. –

Komisar’ i Qytetit Komandanti i Qytetit

(Çun Jonuzi) (Bejto Faslija)

Oficerit Mbrojtjes Popullit Shkodër

Këshillit N. Ç. të Nënprefek. M. Madhe Këtu

Ju parashtrohet si ma sipër, e si në gjegje të shkresës

Nr. 144 datë 13/3/1945 të Këshillit N.Ç. të Nënpref. M. Madhe.

Komisar’ i Qytetit: Komandant i Qytetit

(Çun Jonuzi) (Bejto Faslija)

Vula, firma

Lini një koment