
“Haxhi”, “Oj Sarë” , “ku o Sara”, janë fjalët shqip që dëgjohen trishtueshëm në një kamp të izoluar në Siri.
Aty janë strehuar të afërm të luftëtarëve të ISIS’it, e një video e publikuar nga The New York Times kapen fëmijë teksa flasin shqip. Nuk dihet se cili është fati i fëmijëve i kampeve të zeza, e as nëse institucionet kanë plan t’i kthejnë.
Në një kamp në veri të Sirisë po strehon të afërmit e luftëtarëve famëkeq të ISIS’it, pas humbjes që pësoi para disa javësh i ashtuquajturi kalifat, i njohur për krime dhe terror.

Ky është një vend i izoluar i quajtur Al Hol, i rrethuar me rojtarë të armatosur. Aty strehohen gratë, fëmijët dhe jetimët e luftëtarëve të ISIS’it.
Brenda këtij kampit, në një video të publikuar nga mediat perëndimore, dëgjohen dy fëmijë që flasin shqip, që sipas të gjitha gjasave i takojnë luftëtarëve të trojeve shqiptare që kishin marrë pjesë në ato luftime. Njëri prej tyre shihet në pamjet e publikuara nga prestigjiozja amerikane The New York Times, shkruan Express.
Fëmija i parë, në këtë video, thërret emra si Haxhi e Sara, ndërsa një zë tjetër i një fëmije të dytë dëgjohet në sfond duke pyetur se “ku është Sara”.
As në Zyrën e Kryeministrit nuk dëshiron të komentojnë asgjë rreth kësaj teme.
Në këtë zonë deri në dhjetor kanë qëndruar rreth 9 mijë persona, mirëpo me thellimin e humbjeve të ISIS’it dhe me ngushtimin e zonave të tyre, aty numri ka shkruar në 72 mijë javën e kaluar. Mirëpo nëntë mijë prej tyre janë qytetarë të vendeve jashtë Sirisë.
Të dhënat e fundit të publikuara në media tregojnë se më shumë se 150 burra, gra dhe fëmijë nga Kosova ende janë në vatrat e luftës, por që asnjë shtet nuk dëshiron t’i mbajë.
Ndërsa janë edhe 60 fëmijë të tjerë të cilët kanë lindur në vitet e fundit dhe të cilët së paku njërin nga prindërit e kanë me shtetësi të Kosovës.
Të kthehemi sërish te “kampi i Sarës dhe Haxhisë”: NYT raportoi se aty nuk kanë mjaftueshëm ujë e ushqim, ndërsa disa prej shteteve si Franca, Rusia e Çeçenia i kanë nxjerrë qytetarët e vet nga ky kamp. Të tjerat vende nuk duan t’i rikthejnë këto gratë, fëmijët, e jetimet.
Aty gjenden vetëm gratë e fëmijët që nuk i pranojnë shtetet e tyre dhe më nuk kanë më vend të tyre për të jetuar.
