
Faktikisht prej kohësh, veçanërisht që pas ndryshimeve të fundit në qeveri të cilat Edi Rama i bëri pa pyetur asnjë forum, ka pasur zëra për një grupim në formim e sipër, anti-Ramë në PS.
Këto pakënaqësi duket se janë shtuar edhe më shumë pas hapit radikal të opozitës për të braktisur parlamentit dhe mënyrës, se si po e menaxhon këtë krizë Edi Rama.
Ky i fundit, ditë pas dite, po tregon që edhe për vendime madhore pas të cilave qëndron fati i të ardhmes së vendit dhe të partisë që drejton, me një arrogancë të shtuar nuk pyet për askënd brenda PS-së.
Madje ai ka arritur së fundmi deri aty, sa që ti trajtojë eksponentët dhe deputetët e partisë ‘si dele’, të cilat i urdhëron ai ‘si çoban’ se çfarë të bëjnë. Ka qenë e pagëlltitshme për mjaftë figura politike të PS-së të cilat janë formuar vetë dhe nuk janë katapultuar nga Rama në udhëheqjen e partisë, urdhri i tij që i detyron se kur dhe me kë të dalin nëpër studio televizive.
Por, jo vetëm kjo. Duket se situata brenda kësaj force politike po zien dhe pikërisht për këtë, sipas një shkrimi të ‘Koha Jonë’ bazuar në burime të brendshme, tashmë emra të njohur po grupohen kundër Ramës. Deri më tani ky fraksion ka në përbërje (sipas kësaj media) 11 deputetë dhe udhëhiqet në hije nga Pandeli Majko, Ditmir Bushati e Fatmir Xhafaj.
Ja shkrimi i plotë me titull:
‘Grup antiRama në Partinë Socialiste. E kryeson ministri Pandeli Majko’
PS-ja po fillon çarjen brenda vetes qëkur Edi Rama ndryshoi qeverinë e fundit dhe emëroi emra që nuk kanë lidhje me socialistët. Largimi i tre ministrave VIP si Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati, Ditmir Bushati si dhe kriza e madhe ku është futur sot politika shqiptare për shkak të dorëzimit të mandatëve të deputetit nga ana e opozitës, ka sjellë pështjellime në kupolën e PS.
Pakënaqësia nga radhët e socialistëve të cilët janë papunë apo që nuk po shikojnë rritjen e mirëqënies së tyre, premtuar me bujë nga Rama, si dhe frika në radhët e deputetëve se mund të humbasin pushtetin për shkak të kokëfortësisë së kryeministrit në përplasjen për jetë a vdekje me PD dhe LSI; po konturon një grupim krejtësisht socialist që po forcohet në PS. Ministri Pandeli Majko, i cili ka eksperiencë dy herë si kryeministër, e ku menaxhoi kriza të forta politike në vend, por edhe krizën e Kosovës, tashmë po kthehet në një lidership antipod i Edi Ramës. Shpresat nga PS, por jo nga Rilindja që ka pushtuar PS-në, janë grumbulluar përreth Majkos.
Por Majko nuk është vetëm!
Janë disa deputetë, të cilët kanë dinjitet dhe nuk janë përzier në tenderime apo pazare me pushtetin, ata duan stabilitet politik të vendit. Ata po kërkojnë kryeministrit që të jap dorëheqjen dhe të shkohet në zgjedhje me një qeveri të gjithëpranuar nga pozita dhe opozita. Ky grup deputetës shpresojnë se nëse kjo bëhet shpejt dhe pa përplasje me popullin protestues, mund ti fitojnë zgjedhjet. Por sa më shumë Edi Rama vonon dhe nuk pranon asnjë zgjidhje, sepse nuk don të lëshojë karriken e kryeministrit, PS-ja do të marrë humbjen e sigurtë.
Edhe Fatos Nano veproi me konfliktualitet me partnerët, rriti korrupsionin e mafien e organizuar. Nuk pyeste njeri si një diktator provincial nga Gjirokastra, tamam siç e perifrazoi këtë të dielë mjaft bukur ‘Portokalli’. Dhe humbi pushtetin. Realisht socialistët humbën, nuk humbi asnjë privilegj kryeministri Nano.
Edhe tani Edi Rama nuk do humb asgjë, kur ta rrënojë PS-në dhe pushtetin e tyre. Ai do ikë me rrëmujë e dhunë, por baza socialiste do ta vuajë.
Ndaj Pandeli Majko me afro 11 deputetë po luftojnë brenda kupolës së PS-së për ta bindur Edi Ramën të hap udhë që Shqipëria të mos përfundojë në destabilitet.