
Një peticion ‘online’ është hapur nga shqiptarë të diasporës, të cilët kërkojnë angazhim konkret të Qeverisë së Edi Ramës për të mundësuar bashkëpunimin.
Në deklaratën e Komunitetit Global Shqiptar thuhet se qeveria e Ramës dështoi në samitin e organizuar së fundmi, i cili i shërbeu më shumë interesave politike sesa diasporës.
Në peticionin që mund të nënshkruhet ‘online’, jepen pesë rekomandime sesi mund të angazhohet konkretisht diaspora shqiptare për të bashkunuar me Tiranën, Prishtinën dhe hapësirat e tjera ku jetojnë shqiptarët.
1-Ministri i Shtetit për Diasporën t’u përgjigjet me shkrim letrave dhe kërkesave të dërguara nëpërmjet postës elektronike nga përfaqësues të ndryshëm të diasporës, dhe mos t’i injorojë përgjithësisht ato siç ka bërë deri tani.
2-Çdo Samit i ardhshëm i diasporës duhet të jetë mbarëshqiptar dhe duhet të organizohet nga Bashkësia Shqiptare Globale me mbështetjen e qeverive të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë Veriore dhe Malit të Zi.
3-Një grup pune prej 15-20 personash, të zgjedhet nga organizatat udhëheqëse të diasporës së bashku me Ministrinë e Shtetit për Diasporën, Agjensinë Kombëtare të Diasporës dhe Ministrinë për Diasporën në Kosovë.
*Ky grup pune të përbëhet nga udhëheqës dhe ekspertë të diasporës për të punuar së bashku me institucionet qeveritare sipas kushteve të paracaktuara për të garantuar përfshirjen e mendimeve të diasporës në politikat e qeverisë.
*Ky grup pune duhet të ketë një përbërje të barabartë midis përfaqësuesve të qeverisë dhe diasporës dhe të përfshijë përfaqësues të qeverive të Kosovës, Maqedonisë Veriore dhe Malit të Zi të angazhuar në çështjet e diasporës.
*Çështjet kryesore që rekomandojmë të trajtohen, përfshijnë: (i) Të drejtën e votimit për diasporën; (ii) Zhvillimin e rrjeteve të ndryshme profesionale për të lidhur diasporën shqiptare me Shqipërinë, Kosovën dhe vendet e tjera në rajon; (iii) Zhvillimin e një politike të qartë për nxitjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.
4-Deri më sot, qeveria shqiptare nuk është përpjekur zyrtarisht të marrë mendimin e diasporës rreth zbatimit apo rishikimit të Strategjisë Kombëtare për Diasporën dhe Planin e Veprimit. Ne rekomandojmë që konsultimet me grupin e punës dhe mbledhjet me diasporën të bëhen pjesë e pandashme e zbatimit dhe strategjisë. Në të ardhmen ne duhet të kemi vetëm një strategji të përbashkët për të gjitha vendet e rajonit për të pasqyruar faktin se ne jemi një diasporë shqiptare, dhe të krijohen institucione të përbashkëta për të arritur këtë qëllim, sipas nevojës.
5-Këshilli Koordinues i Diasporës, siç është propozuar aktualisht në legjislacionin shqiptar, është vetëm për Shqipërinë dhe duhet të rishikohet. Ne rekomandojmë krijimin e një Këshilli Global të Diasporës mbarëshqiptare, duke përfaqësuar të gjitha vendet e origjinës në Ballkan (Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë Veriore, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanovcin). Krijimi i Këshillit Koordinues të Diasporës duhet të shtyhet, derisa grupi i lartpërmendur i punës të mund t’i shqyrtojë tërësisht të gjitha alternativat në mënyrë gjithëpërfshirëse.
PETICIONI
Tags: Komuniteti Global ShqiptarpeticioniSamiti i Diaspores