
Nga Poli Hoxha/
Pas hapit radikal që opozita ndërmori si një ‘detyrim përcaktim’ të vendosur nga vetë, Edi Rama, atë të kyçjes së parlamentit të ashtuquajtur pluralist, janë artikuluar edhe arsyet se përse u arrit deri këtu.
Të gjithë shqiptarët tashmë e dinë se një opozite-fasadë që mbante formalisht në këmbë një qeveri që kishte shtënë në dorë të gjitha pushtet kushtetuese nuk kishte rrugë tjetër, ndaj edhe përkrahja është gati plebishitare.
Por ndër argumentet që artikulohen për këtë lëvizje ekstreme të opozitës (blerja e votës nëpërmjet krimit të organizuar, korrupsioni galopant, kriminalizimi i ekonomisë, droga etj), mungon njëri, që mund të quhet thelbësor.
Bëhet fjalë për një mëkat, për të mos thënë faj të opozitës dhe veçanërisht Partisë Demokratike, e cila ka lindur si një forcë anti-komuniste, e anti-Enveriste.
Kur Edi Rama ja arriti që me zgjedhjet e vitit 2017, pa asnjë premtim dhe pa asnjë program (dosja 339 e shpjegon këtë ‘çudi’) të fitonte një shumicë absolute në parlament, veprimi i parë që bëri ishte caktimi i Gramoz Rruçit, në krye të parlamentit ‘pluralist’. Shumëkush e cilësoi këtë veprim të Ramës në atë kohë, thjesht si një arrogancë për të treguar se ai ishte aq i fuqishëm sa mund të vinte në posti e nr.2 të shtetit një individ, i cili ja dedikonte shpërthimin e karrierës së tij politike, Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
Por koha tregoi se kjo nuk ishte thjesht një kapriço e Ramës dhe as një shpërblim, për punët e pista të Ruçit në eliminimin e faktorit të vërtetë socialist brenda partisë, në favor të fuqizimit të Rilindjes së Ramës.
Bëhej fjalë për një strategji nëpërmjet së cilës do ti tregohej jo vetëm Partisë Demokratike, se ai Edi Rama mund të testonte me sukses nguljen e thikës deri në ashtin e një shoqërie, që beson te demokracia dhe ende nuk ka harruar se çfarë i bëri këtij vendi enverizmi i Gramoz Ruçit. Pikërisht në kohë kur pas 50 vitesh po çelnin sythet e lirisë dhe demokracisë.
Që ishte strategji e tregoi edhe tani 2 vite pasi morri i vetëm timonin me vota të blera në bashkëpunim me trafikantët dhe grosistët e fermës gjigante të kanabisit, të cilën e ngriti një vit përpara eksperimentit final të vitit 2017, duke emëruar ministra, pinjollë direkt, të ish-Byrosë Politike të Enver Hoxhës.
Të gjitha këto Edi Rama i bën në një kohë, kur edhe në Kinë ish-komunistët e brezit të Gramoz Ruçit jo vetëm deklasohen, por edhe arrestohen.
Kur në seancën e parë të një parlamenti të dalë nga fuqia e drogës së vitit 2016 dhe të miliardave të buxhetit të shtetit, të dhëna paradhënie për një grusht të ashtuquajturish ‘biznesmenë të mëdhenj’, Rama me fuqinë e këtyre kartonëve të blerë caktoi Ruçin si kryetar të Kuvendit, i dha njëkohësisht edhe një mesazh Partisë Demokratike dhe gjithë gjeneratave që nga viti 1990; Pluralizmi dhe demokracia jam unë!
Vendosja e një individi që kishte lulëzuar në politikën moniste të Shqipërisë së viteve më të egra të regjimit, si ‘shef i madh’ i një parlamenti pluralist, ishte testimi më ekstrem që i bëhej PD-së. As një lidership socialist, nuk kishte guxuar më herët që ti jepte Gramoz Rruçit një pozicion të tillë të lartë në hiearkinë e shtetit shqiptarë. PS dhe vetë Ruçi ishin mjaftuar me deputetllëkun dhe pozicione brenda partisë, duke mos guxuar kurrë për një karshillëk të tillë, që i behej jo vetëm demokracisë, por edhe ndërkombëtarëve.
Gjithashtu nuk duhet harruar se demokratët kanë gati një histori personale me këtë individ, i cili u përzgjodh nga Ramiza Alia dhe Nexhmija Hoxha si i duhuri për të shtypur edhe me gjak, pllenimin dhe lindjen e pluralizmit dhe posaçërisht të forcës politike PD. Kjo parti ka dëshmorë të vrarë në sheshin e Shkodrës në 2 Prill 1991, nga urdhrat e Gramoz Ruçit dhe nuk mund ta kalonte pas 27 vitesh emërimin e tij në krye të një parlamenti, vetëm me protesta verbale.
Qenia, pranimi i Gramoz Ruçit në atë sallë që dje e braktisën përfundimisht, duke dhënë urdhra dhe trashur zërin njësoj si atëherë kur ishte ministër i Brendshëm i Nexhmijes e urdhëronte shtypjen e protestave për demokraci, në këto gati 3 vite ka qenë njëkohësisht edhe një mëkat i madh i opozitës PD.
Sot ka vërtet mjaft arsye që legjimitojnë aktin ekstrem për kyçjen e atij parlamenti, por Ruçi në krye të tij ka qenë gjithmonë një arsye madhore, që në vitin 2017!