
Nga Eden Babani, Bruksel/
Sot, si askurrë më parë gjatë këtyre gjashtë viteve të qeverisjes së Edi Ramës, po bashkudhëtoj fatkeqësisht disa orë përkrah mendjeve diabolike në funksionim të plotë. Mendje diabolike që shpalosen frikshëm përpara syve të gjithë hapësirës kombëtare, diasporës shqiptare e më tej, përballë syve të botës mbarë.
– Antimiting në Sheshin e Flamurit në Vlorën e Pavarësisë, me karrige e kolltukë kthyer shpinën bash shtizës së Flamurit, simbolit tonë mbarëkombëtar. Antiminting i stisur me autobusë falas dhe me dieta në xhep, për administratat e bashkive dhe të komunave të Jugut, nga Durrësi, në Sarandë. Kryeministër që bën sikur dialogun me qytetarë të Vlorës (!), për “bashkinë që duam”. Kryeministër që do të paguante vrimën e miut, vetëm për t’iu fshehur zemërimit mbarëkombëtar.
– Polici rrugore, nën urdhrat politike të Kryeministrit frikacak, duke shfrytëzuar skenarë diabolikë të mendjeve diabolike, vetëm e vetë për të pakësuar numrin e protestuesve.
– Polici e rendit me petk të dukshëm politik, që provokon protestuesit t’i sulen Kryeministrisë, që t’i sulmojë pastaj si gjarpër i fshehur brenda mjediseve të selisë së qeverisë me ujë e gaz lotsjellës. Polici jo në mbrojtje të ligjit, por që shkel ligjin me të dyja këmbët.
A mund të më shpjegojë kush “paralajmërimin” e djeshëm të policisë politike se paska pasur sinjalizime që brendapërbrenda radhëve të protestuesve do të kishte elementë të inkriminuar, të cilët do të provokonin dhunë?
Dhunën e provokoi vetë policia e shtetit. Nuk ishin “të inkriminuarit” imagjinarë ata që sulmuan, sepse edhe atyre u ka shkuar thika në kockë, më keq se të tjerëve. Ishin protestuesi e Unazës së Re, që u provokuan bash prej vetë policisë, një policie tashmë jo vetë nën urdhrat politikë të Edi Ramës, por edhe provokuese në sytë të gjithë.
– Dhe, si qershia mbi tortë, thirrja e Ministrit tê Brendshëm për të shmangur dhunën, drejtuar të dyja palëve, policisë dhe protestuesve. Nuk tha zoti Ministër se nga e lëshoi thirrjen, nga Vlora ku është strukur qeveria, apo nga zyra e vet në Tiranë. Po policët kush i lëndoi, protestuesit me flamurë apo vetë policia me gazin lotsjellës?
I kishte pajisur vartësit e vet me maska apo i kishte dërguar qëllimisht të pa pajisur me mjete mbrojtës, si dërgoi do kohë përpara një police, e cili, për fat të keq, pësoi dëmtimin e dy gishtave të njërës dorë?
Skenarë të frikshëm të mendjeve diabolike në funksion të plotë.
Je çfarë po përjetoj sot, ndërsa po ndjek drejtpërdrejt protestën.