Deputeti i LSI, Luan Rama, ka goditur me forcë dje në Kuvend, deformimin e simboleve kombëtare nga kreu i qeverisë, Edi Rama. Ai e ka dëshmuar në foltore me fotografi, katandisjen e flamurit kuq e zi me shqiponjë dhe prezantimin e Shqipërisë në sytë e botës me shqiponjë të bardhë, me shqiponjën gri dhe deri edhe me një shqiponjë krahëvarur, që e krahasoi me një “sorrë të lagur”.
Denoncimi i fortë i Luan Ramës për atë që e quajti jo thjesht karagjozllëk,por ligësi, u mbështet nga deputeti Dashamir Shehi, që e çoi më tej me sarkazmën e tij të njohur. Ndërkohë, nga ministrat e qeverisë, që iu prezantuan në fytyrë këto simbole të shtrembëruara, nuk pati asnjë reagim.
Nuk është vetëm karagjozllëk! Nuk është vetëm shëmti! Është poshtërsi! Është ligësi! Sepse është dhe në kundërshtim me ligjin për simbolet kombëtare, për Himnin Kombëtar; është dhe në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave për Protokollin e Shtetit, që përcakton në mënyrë rigozore se si mund të kompozohen edhe logot e institucioneve.
Por nëse Ministria e Jashtme e ka të bardhë, Kryeministria e ka gri në të bardhë! E më tej akoma, kjo është logoja e Presidencës së Republikës: Një sorrë e lagur! Dikush mund të thotë: po çfarë janë këto?! Periferike, pa rëndësi! Jo, nuk është kështu! Sepse shteti ka disa rrënjë të vetat. Shteti ka disa shenja të vetat që janë të patjersueshme, janë të panegociushme dhe respekti ndaj tyre është detyrim shtetëror, ligjor, qytetar, patriotik!


