Kategori
Uncategorized

Koha që Partia Socialiste të kalojë në opozitë.

Red Varaku

”Një shoqëri bëhet totalitare atëherë kur struktura që e mban në këmbë pushtetin bëhet krejtësisht artificiale”,shkruan Orwell .”Kjo gjë ndodh në momentin kur klasa sunduese e ka humbur funksionin e saj, por vazhdon të qëndrojë në pushtet përmes dhunës dhe mashtrimit”.

Qeveria shqiptare e ka të qartë që struktura që e mban në këmbë pushtetin e saj, tashmë është kalbur përfundimisht. Denoncimi i fundit që bëri departamenti i Shtetit nëpërmjet ‘Zërit të Amerikës’, e dëshmoi hapur kalbëzimin e strukturave të pushtetit. Së fundmi, konfirmimi në prokurorinë e krimeve të rënda i Donika Prelës tregon  degradimin e madh të gjendjes ku ndodhen institucionet. Mosfunksionimi dhe degjenerimi i institucioneve demokratike ka krijuar kushtet, siç shkruan Orwell, “për një regjim me një prirje të frikshme totalitare”.

Ideologjia e “rrugës së tretë”, me të cilën Rama erdhi në pushtet është tashmë e diskretituar plotësisht si një prej mashtrimeve më të mëdha. Për shkak të këtij diskretitimi, atë e kanë braktisur të gjithë aleatët, duke i lënë aleat të vetëm krimin dhe falangat e tij, i cili fatmirësisht nuk ka nevojë për ideologji. Ndyrësia e kësaj aleance po del në pah pikërisht tani që kriza është ulur këmbëkryq në të gjitha familjet shqiptare dhe po bie si kamzhik në formën e saj më të egër mbi qytetarët e pambrojtur.

Në qendër të çdo idelogjie me prirje totalitare qëndron persekutimi i grupeve, të cilat regjimi i paraqet si përgjegjësit kryesorë për rrënimin e vendit. Me retorikën e tij prej sundimtari tall dhe përqesh cilindo që guxon të kundërshtojë, ndërsa çdokush që kundërshton konsiderohet tradhtar ose i shitur nga makineria e propagandës, e cila duhet thënë që ka marrë përmasa të frikshme.

Situata është në kufijtë e groteskes. Dhuna përdoret si justifikim. Faktet as që merren në konsideratë. Gjuha politike reflekton vetëm frustracion. Kriza ekonomike ka sjellë pasiguri dhe paranojë kombëtare.

Oligarkët, ashtu si në të gjitha shtetet e falimentuara, jetojnë të izoluar, por duke shijuar luksin , në “blloqet” e reja aq të ngjashme me bllokun e famshëm gjatë kohës së regjimit. Shqipëria është kthyer sërish në një vend ku persekutohen të dobëtit pra fëmijët, gratë, të moshuarit dhe adhurohen të fortit.

Media flet çdo ditë për arritjet e mëdha të qeverisë si dhe përpjekjet që bëhen për t’i mohuar këto arritje nga “armiqtë dhe tradhtarët” e Saliut, duke i kthyer kështu thashethemet politike dhe planet konspirative në lajme qëndrore. Ajo vazhdon dhe flet për një Shqipëri tjetër, për rritje ekonomike dhe refuzon të adresojë problemet e vërteta të vendit. Roli i saj kryesor është ndërtimi i një iluzioni vezullues me qëllim mbulimin e realitetit të shëmtuar.

Ndërsa detyra parësore e qeverisë është vetëm mbledhja e taksave që perceptohen si gjoba, si dhe hartimi i një plani për të vjedhur çdo qindarkë të taksave të popullit më të varfër në Europë. Por, babëzia nuk ka të sosur. Me qindra janë projektet që synojnë zhvatjen e pasurisë së shqiptarëve. Kjo është Shqipëria që ndërtoi Rama. Shqipëria që duam. Një Shqipëri ku nëpërmjet mekanizmave ligjore kryhen vjedhjet më barbare. Një Shqipëri ku axhenda kriminale është shndërruar në strategji kombëtare.

Kalbëzimi i brendshëm gjithashtu, është po aq kapilar sa edhe ai i jashtëm. Ndodhemi përballë një  situate dramatike. Pothuajse kudo vërehet pesimizëm dhe humbje e besimit. Ndërkohë diskursi politik nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Izolimi i Shqipërisë nga aleatët e saj tradicionalë si dhe paaftësia për të artikuluar një vizion politik të qartë ka sjellë vetëm kaos .

Rama, i tmerruar nga një kolaps politik dhe ekonomik i mundshëm, për shkak të krizës së rëndë në të cilën ndodhet vendi, po ndërmerr masa të jashtëzakonshme për të kontrolluar protestat, që po shpërthejnë me shpejtësi.

Ai shfaqet i gatshëm për të bashkëqeverisur me qytetarët duke fshikulluar opozitën në çdo dalje të tij dhe propozon vetëreformim. Por, harron që reformimi i një force politike bëhet vetëm kur kalon në opozitë, sepse mundësia për të reformuar veten kur je në pushtet është rrugë e sigurt drejt falimentit dhe kapitullimit.

Nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur të gjitha pushtetet përqëndrohen në dorën e një njeriu të vetëm. Ndaj është e domosdoshme, që për të dobësuar pushtetin si dhe për të trembur zagarët e tij, të kalohet në një mosbindje civile të organizuar. Është e domosdoshme, që ashtu si me jelekëverdhët në Francë, të bëhet një rezistencë e organizuar popullore. Vetëm një rezistencë e atyre përmasave mund ta dobësojë makinerinë gjigande të dhunës dhe represionit. Koha nuk pret. Rama është i thellësisht i tronditur nga knock down-i studentor. Nuk duhet t’i jepet kohë makinerisë së dhunës,që ai artistikisht ka krijuar, të marrë veten. Sa më shumë të shtyhet agonia, aq më shumë pasoja do të ketë largimi i tij.

Lini një koment