Ne kasaforten e drejtorit të Sigurimit të Shtetit Dhëmbë floriri, unaza e bizhuteri .

Flet Drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme,Kastriot Dervishi
Ne kasaforten e drejtorit të Sigurimit të Shtetit Dhëmbë floriri, unaza e bizhuteri
Kjo e pohuar zyrtarisht, jo nga funksionarë të zakonshëm, por nga ish-kreu i Shërbimit të Fshehtë, Vaskë Koleci, i cili bashkë me detyrën, i ka dorëzuar pasardhësit kasafortën me një inventar sendesh të shtrenjta, madje edhe dhëmbë floriri
DOKUMENTI
Ka qenë fundi i tetorit të vitit 1948, kur Vaskë Koleci është shkarkuar si drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe i ka dorëzuar zyrën e mjetet e punës Kadri Hazbiut, një tjetër personazh ky që u bë po aq i njohur në krye të Shërbimit të Fshehtë.
Në procesverbalin e Hazbiut, siç duket në faksimilen që po botojmë, përveç dosjeve sekrete, ku dallojnë ato me direktivat e jugosllavëve për organizimin e Policisë Sekrete, gjendet edhe një listë e gjatë me një mori sendesh me vlerë që i janë gjetur në kasafortë kreut të sigurimit.
Pjesa më e madhe e tyre u përket të dënuarve politikë, që më sa duket kanë përfunduar në zyrën e shefit të Shërbimit Sekret pas plaçkitjes që vartësit e tij u kanë bërë atyre para ekzekutimit. Në inventarin e tyre bie në sy sasia e madhe e monedhave dhe sahateve të floririt, e sendeve të tjera të shtrenjta, madje deri edhe dhëmbë floriri etj.
LISTA
Përmbajtja e inventarit të procesverbalit të firmosur nga Hazbiu dhe Koleci më 30.10.1948 është vërtetë befasuese.
Mjafton t’i hedhësh një sy listës së monedhave dhe sendeve që janë gjetur në kasafortën e drejtorit të Sigurimit të Shtetit. Në të është hedhur e zeza në të bardhë:
Një zarf me 1286 dollarë amerikanë, 20 sterlina floriri, 16 lira turke, 610 napolona ari, 34 florinj turk, gjendja e arkës 1.755.823, 41 sahate xhepi, një kuti me 12 gota argjendi, një qese me mexhite Turqie, një pako me argjendari të vjetra, 10 copë gjyzlykë, dy sahate të tjerë, 5 copë unaza floriri, një sasi me para shqiptare, një tabakon argjendi, një zarf me tre sahate me 1980 lekë,
zarf i Eugenio Scaturos me një unazë floriri,
zarf i Aleks Vasilit me para,
zarf i Rizio Konfredo me disa para dhe një stilograf të vjetër,
zarf i Hans Valës me para të vjetra, zarfi i …. para të vjetra e një sahat xhepi,
zarf i Mario Guarnierit dhe një orë,
zarf i Mihal … dhe një stilograf e para të vjetra,
zarf i Kujtim Beqirit, një unazë floriri dhe sahat xhepi,
zarf i Pandeli Zografit, një orë e para të vjetra,
zarf i Zyrika Manos, para të vjetra dhe një orë grash, lira turke, një sterlinë, 3 napolona ari dhe një zinxhir floriri,
zarfi i Abdyl Sharrës, një sahat e para të vjetra,
një zarf me para të vjetra dhe një palë syze, orë dore e Selim Kërlukut,
dy dhëmbë floriri, dy sahate gjermanë, një byzylyk i vlefshëm i Hysen Shehut,
një kapele gruaje me 48 copë flori me dy copë rrathë indianë,
160 sterlina letër, një kuti me një stilograf me penë floriri të Taraskonit,
një kuti me dekorata të vjetra,
një kuti me argjendari,
një orë e një qostek floriri,
një unazë me gurë jeshil floriri,
një zinxhir floriri,
4 kopsa floriri,
1 mijë franga egjiptiane,
zarf i Namik Xhelilit, disa para të vjetra, një orë e një palë gjyzlykë dhe 1 mijë lekë të reja,
zarf i Emin Bakallit me 690 lekë, një stilograf e një orë,
zarf i Mirush Përmetit, një palë vëthë floriri në kuti, një sënduk me një copë lirë floriri, një orë dhe 3 byzylykë, dëftesë për 183.429 lekë, dy çeqe nga 500.00 lekë, gjashtë dengje të lidhura me nga 100 copë 500-lekëshe, dhjetë dengje njëmijëlekëshe, dhjetë dengje me 1000 copë 50-lekëshe, 70 copë mijëshe, 6 copë 500-lekëshe, 2 dengje nga 100 copë, 59 copë 100-lekëshe, një deng me 100 copë 50-lekëshe, 188 copë nga 50 lekë etj
Të tërheq vëmendjen fakti që midis shumë sendeve të çmuara, në kasafortën e kryesigurimsit gjendeshin edhe dy dhëmbë floriri, të cilat me siguri duhet t’i kenë takuar ndonjë të dënuari me vdekje, apo ndonjë të vdekuri në Hetuesi.
Të plaçkiturit
Tre janë grupet e të plaçkiturve, sendet e të cilëve janë regjistruar në procesverbalin e Kadri Hazbiut dhe Vaskë Kolecit, të vitit 1948.
Së pari, grupi “antiparti” i Kadri Hoxhës dhe Ludovik Nikajt.
I pari, një figurë e njohur e luftës, përfaqësues ushtarak në Bari të Italisë, deputet i Kuvendit Popullor, me mandat të ndërprerë pas arrestimit.
I dyti, Ludovik Nikaj, personazhi i filmit artistik “Vendimi”, me subjekt tërësisht të trilluar, të cilit i atribohet “tradhtia” për tregimin e bazave të komunistëve gjatë vitit 1942. Ai ndodhej i internuar në Itali dhe me mbarimin e luftës kërkoi të kthehet, pasi martonte vëllain. Te filmi “Vendimi” paraqitet sikur një njësit e ka arrestuar në Bari. Ludoviku sa mbërrin në Shqipëri kërkoi takim me Koçi Xoxen ose Enverin, por përfundoi në Hetuesi e më vonë para pushkatimit.
Grupi i dytë është ai i deputetëve, ku përmenden Arif Gjyli dhe Islam Radovicka. Pjesa tjetër e të plaçkiturve u përket inxhinierëve të procesit të “kënetës së Maliqit”. Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri, Zyrika Mano dhe dy italianët janë ndër të dënuarit me vdekje, të cilët janë shfaqur në varjet apo pushkatimet publike që u bënë në atë kohë. Në listën e inventarit të procesverbalit të mësipërm nuk mungojnë edhe emra të tjerë, të anatemuar në vitet e para pas Çlirimit, reaksionarë dhe armiq të betuar të Pushtetit Popullor.
Skënder Kosova.
Kryepolici i Tiranës i viteve të para të çlirimit, ishte bërë tmerri i qytetit, sidomos i familjeve të të dënuarve politikë. Dokumentet e Sigurimit përmbajnë dhjetëra denoncime të grave të të arrestuarve për sjelljet brutale të tij. Autoriteti lokal i Sigurimit, si Skënder Kosova, shkruhet në një syresh që mban datën 13 janar 1947, e ka tepruar me qëndrimin kundra grave dhe familjarëve të armiqve të dënuar. Teprime të tilla, si bastisje shtëpish dhe plaçkitje sendesh personale, ku nuk kurseheshin as teshat e trupit, në Tiranën e atyre viteve krahasoheshin me ato të pushtuesit. Sidoqoftë,Kosova nuk ishte një rast i shkëputur, por pjesë e profilit brutal të Sigurimit.
E vetmja shifër zyrtare, referuar dokumenteve të Sigurimit, është ajo e vitit 1948, e botuar në vitin 1984 në revistën “Në shërbim të popullit”. Sipas saj, që nga lufta e deri në atë periudhë ishin sekuestruar 43.816.682 monedha floriri dhe bizhuteric.
A është e plotë ajo? Pa dyshim që jo.