Kategori
Uncategorized

Dy dhjetorët, sot pas 28 vjetësh.

Regjimi Rama me i egër se ai dikatorial kundër studentëve
Pasi kishte drejtuar përmes krimesh, me anë të dhunës, terrorit dhe propagandës për ndërtimin e socializmit, Partia e Punës me 8 dhjetor të vitit 1990 u dorëzua përballë studentëve dhe lejoi pluralizmin.

Pas 45 vitesh, një lëvizje e gjerë që kishte nisur për kushte konvikti dhe për mungesë dritash në qytetin studenti çoi në rikthimin e pluralizmit në hapjen e vendit. Mijëra studentë kishin disa ditë në demonstrata. Aty ishin përleshur me policinë, ishin plagosur dhe arrestuar.

Ditët e bënin më të madhe protestën e tyre teksa gjithë populli i Tiranës iu bashkua kësaj lëvizjeje.

Regjimi u drodh dhe ra.

Studentët Azem Hajdari, Tefalin Malshyti, Arben Broci, Alma Bendo, Ilenja Mëhilli, Ilir Dizdari, etj. etj.. pedagogët Arben Imami, Gramoz Pashko, Sali Berisha, Eduard Selami, Arben Demeti etj… paraqitën në emër të studenteve kërkesa të qarta politike duke kërkuar fundin e monizmit gjysëm shekullor.

Ato protesta u pritën me drithërima dhe shpresë në burgjet ku ishin të kundërshtarët politkë të regjimit, në arat e kooperativave ku mjerimi kishte shkatërruar cdo detaj të jetës, në fabrikat e dështuara ku skamja ishte kthyer në makth.

Të gjithë e ndjenin se gjendja ishte në vlim, të gjithë e jetonin kalbjen e plotë të komunizmit por askush nuk e mendonte se një lëvizje e tillë do të ndërrmerrej ndonjëherë ndaj një regjimi që kishte vrarë dhe terrorizuar cdo shqiptar që ai e kishte parë si armik.

Ajo ishte një lëvizje studentësh dhe pedagogësh që kishin vetëdije politike, që kërkon një formë qeverisjeje të njerzve dhe për njerëzit. Kjo formë qeverisjeje e njerëzve dhe për njerëzit, sot ka degjeneruar në një qeverisje të një grupi njerëzish për një grup njerëzish. Mjerimi dhe papunësia, mungesa e shpresës dhe padrejtësitë janë thelluar papërballueshmërit.

Në këtë përvjetor të 28 studentët sërish janë në protestë.

Edhe këtë herë kanë nisur të kërkojnë kushte në konvikte dhe tarifa më të ulëta. Edhe këtë herë gjendja është shpërthyese. Dallimi është se sot studentët nuk duket se kanë vetëdijen politike të dhjetorit të dikurshëm dhe pedagogët duken fatkeqësisht më të korruptuar se sa ata të asaj kohe. Studentët sot po protestojnë dhe protesta e tyre është akt lirie, përballë një qeverie që ka fuqinë të kontrollojë ekonominë dhe mediat, të kontrollojë shtetin dhe shkollat.

Pushteti i sotëm duket më i motivuar dhe më i aftë se ai e djeshmi për të prishur, njollosur dhe ndotur një protestë si kjo e studentëve. Midis dy dhjetorëve ka shumë dallime por edhe shumë ngjashmëri por gjendja në vend mund të bëjë që ngjashmëritë të dominojnë.

Lini një koment