Reagon Nexhmije Hoxha: Ju jeni fashistë, po na i prishin banesat per vota e spektakel
Ditën e djeshme u përhap me shpejtësi lajmi se mes banesave që do të shemben në zonën e Astirit në kryeqytet është dhe ajo e gruas së ish-diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha.
Kjo banesë është një nga 300 të tillat që do të prishen në kuadër të projektit të zgjerimit të unazës së madhe në Tiranë. Askush nga banorët nuk është shprehur kundër zhvillimeve dhe projekteve, po ky investim nuk mund të ndërtohet mbi punën e tyre të një jete të tërë.
Vetë Nexhmije Hoxha është shprehur se për ta duhet të gjendet një zgjidhje dhe se ajo që po kryen Bashkia e Tiranës dhe Drejtoria e Rrugëve është një veprim fashist. Ako shton më tej se për shkak të mungesës së një zgjidhje, ajo nuk ruan dot as pasurinë e lënë nga ish-diktatori.
“Rruga të bëhet, ne nuk jemi kundër punëve si kjo, mjafton të bëhen vërtet e të mos bëhen vetëm për spektakël e për vota. Por si mund të merren vendime të tilla pa na dhënë asnjë mundësi, asnjë alternativë? Çfarë do të bëjmë ne në këto kushte, ku të shkojmë ne, ku të sistemohemi?
Na thonë që duhet të zgjidhim trafikun e makinave në Tiranë. Patjetër të zgjidhet po jo kështu. Më duket një veprim tipik fashist dhe banorët këtu që po protestojnë kanë plotësisht të drejtë. Por meqë përmendet emri im, po ju them se kam edhe problemin e ruajtjes së asaj pak trashëgimie që më ka mbetur nga Enveri, që mezi e mblodha kur na degdisën këtu”, është shprehur ajo.
Po ashtu nga prishja e ndërtesës preket dhe Rustem Peçi, aktualisht Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, i cili banon në të njëjtën godinë.