Kategori
Uncategorized

Pushtet me çdo kusht, dy ministrat dhe 4 deputetët e PS më të përfolur për lidhje me krimin, bandat dhe koncesionet, Balla kryeson listën.

Dy mandatet e qeverisë Rama nuk kanë qenë aq të qeta, për shkak të skandaleve të herë pas hershme që kanë përfshirë anëtarë të kabinetit, apo grupit parlamentar.

Por, më ‘produktive’ sa i takon denoncimeve ka qenë ky i fundit, pasi të shumtë kanë qenë emrat e zyrtarëve të lartë të përmendur në përgjime, skandale të ndryshme kriminale.

Taulant Balla

Rasti më i freskët është ai i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla. Së fundmi, ai është përfolur se ishte në zyrën e ish-nënkomisarit të Policisë së Fushë Krujës, bashkë me kreun e bashkisë së kësaj zone, Artur Bushi, deputetin e PS, Rrahman Rraja e vëllain e këtij të fundit, duke e kërcënuar me armë zjarri që të mbyllë dosjen e djalit të deputetit Rraja.

Skandali u publikua një ditë më parë, në dëshminë e vetë ish-oficerit Emiljano Nuhu, i cili tha se djali i deputetit Rrahman Rraja rezulton të ketë dhunuar në mënyrë barbare ish-të dashurën e tij.

Më herët, Balla u akuzua dhe është nën hetim edhe për ndërmjetësimin ndaj mikut të tij biznesmen, Edmond Bego se ka përfituar në mënyrë abuzive tendera deri në 1 miliard lekë.

“Toyota Yaris”, është një tjetër skandal ku u përfshi emri i Ballës. Kujtojmë se pak muaj më parë, u kapën rreth 3.4 milionë euro në dy Toyota Yaris në Durrës. Ai u akuzua se kishte dalë garant për këto para cash.

Jurgis Çyrbja

Pak muaj më parë, në media u raportua se mes Gilmando Danit, i dyshuar si anëtar i grupit kriminal ‘Shullazi’ dhe deputetit socialist, ish-zyrtari i lartë i Hipotekës në Durrës Jurgis Çyrbja ka përgjime se kanë komunikuar mes tyre në telefon.

Referuar dokumenteve rezulton se me vendimin nr.10 të datës 7 janar 2016, gjykata për Krime të Rënda autorizoi përgjimin e disa numrave telefonike, njëri prej të cilëve i përkiste Gilmando Danit, pasi kishte dyshime se ishte i përfshirë në aktivitet kriminal në fushën e gjobëvënies.

Bisedat janë zhvilluar në muajin shkurt dhe janë transkriptuar në procesverbalin e datës 27 të po të njëjtit muaj me numrat rendor 409 dhe 411.

Bisedat janë zhvilluar brenda së njëjtës dite me diference të shkurtër kohore nga njëra-tjetra. Një njërën prej tyre Dani e pyet Cyrbjan, nëse kishte ndonjë gjë serioze andej nga puna e tij, pra në hipotekën e Durrësit, ku ai mbante postin e kryeregjistruesit.

Përpara bisedës, oficerët e policisë gjyqësore kishin sekuestruar praktikën e regjistrimit të ish-hotel Vollgës, në kuadër të një hetimi të çelur kryesisht.

Saimir Tahiri

Dosja “Tahiri” është një nga më të bujshme, madje u përfol se i kushtoi Shqipërisë edhe çeljen e negociatave në qershor të këtij viti.

Ndonëse prej muajsh i dorëhequr nga jeta politike, çështja e tij vijon të jetë “ e nxehtë”. Ish-ministri i Brendshëm akuzohet se ka bashkëpunuar me grupin e trafikut ndërkombëtar të drogës “Habilajt”.

Prej muajsh, Tahiri është nën hetim për lidhjet e tij me trafikantët e drogës, gjë e cila është mohuar gjithnjë nga ai.

Por dosjet me përgjime të Prokurorisë së Katanias, dhe faktet e tjera që janë publikuar nga mediat, kanë ngritur hije dyshimi mbi ish-ministrin, duke sjellë edhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.

Ditmit Bushati

Pak ditë më parë u godit një prej grupeve më të rrezikshme kriminale në Veri të vendit, banda Bajri.

Në pranga ranë 11 persona, ndërsa ‘koka’ e grupit, Enver Bajri vijon të jetë në arrati.

Megjithatë, pak pasi ngjarja u bë publike, pati zëra se ky grup ka patur mbështetje politike, e konkretisht nga ana e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.

Fatmir Xhafaj

Ministri aktual i Brendshëm u përfshi në skandalin e përgjimeve të të vëllait. PD publikoi një video, ku dëgjohej vëllai I tij, Agron Xhafaj, duke biseduar me një trafikant droge për një ngarkesë në Itali.

Xhafaj pranoi dënimin e të vëllait në Itali me 7.2 vjet burg, por ai refuzoi të merrte përsipër ndonjë përgjegjësi për mosekstradimin e tij drejt Italisë, duke shfrytëzuar pushtetin e tij politik.

Ilir Beqaj

Në vitin 2015, Prokuroria e Përgjithshme, Njësia Antikorrupsion, përgjegjëse për hetimin e zyrtarëve të lartë publikë, ka regjistruar procedimin penal për gjithë piramidën drejtuese të Ministrisë së Shëndetësisë, mes të cilëve është edhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja.

Sipas burimeve të prokurorisë, çështja ka filluar në bazë të akuzave të bëra nga opozita dhe media mbi tre koncencionet më të përfolura, ditët e fundit. Koncesioni për hemodializën, me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë dhe koncesioni i check up-it falas, me vlerë rreth 120 milionë euro janë tre çështjet më të nxehta mbi të cilat Task Forca ka filluar hetimin.

Koncesionet multimilionëshe të shërbimeve mjekësore e kanë vendosur ministrin Beqaj në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kanë qenë përfituese të tyre./Politiko.al

Lini një koment