Kategori
Uncategorized

Pse e ka hapur Rama rubrikën e re.

Nga Red Varaku

Kryeministri prezantoi një rubrikë të re në faqen e tij në Facebook, e cila sipas tij do të jetë në funksion të rritjes dhe përmirësimit të komunikimit. Në fakt, qëllimi i kësaj rubrike është krejt e kundërta e asaj që ai pretendon.

Ajo synon të neutralizojë komentet që gjejnë mbështetje masive dhe që pasqyrojnë realitetin e hidhur ku ndodhet sot vendi ynë nëpërmjet një teknike që njihet si ‘astroturf’.

Jo rastësisht, ai zgjodhi ta niste këtë rubrikë, pikërisht me një nga fenomenet më të rëndësishme të komunikimit sot në vendin tonë, memè-t gjeniale të Genc Sejkos. Ato janë bërë sot fenomeni më i komentuar në rrjetet sociale sepse thonë hapur të vërtetën. Ato shpërndahen me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe përpihen nga njerëzit, sepse mesazhi i tyre është sa i lehtë për t’u kuptuar, po aq therës për të mos u harruar.

Memè-t e Genc Sejkos, me ç’duket, e kanë shqetësuar strategun e propagandës dhe komunikimit të qeverisë, Endri Fuga, për shkak të jehonës së tyre dhe të vërtetave të hidhura që pasqyrohen në to.

Kështu që përmes një teknike, që në komunikim njihet si ‘astroturf’, ai u përpoq mbrëmë të neutralizonte reputacionin edhe fuqinë e Genc Sejkos.

Astroturf është një përpjekje që bëhet nëpërmjet faktorëve të sponsorizuar, për të krijuar perceptimin që një forcë politike ose në politikan i caktuar,  gëzon një mbështetje të gjerë në popull, kur në realitet mund të mos jetë fare e vërtetë. Për të realizuar këtë qëllim, paguhen kompani, të cilat e ofrojnë këtë shërbim sot në treg. Ato përdorin softëare të sofistikuara për të krijuar ushtri virtuale me identitete false. Profile, në dukje autentike, gjenerohen në mënyrë automatike për t’u përdorur më pas në fushata si kjo kundër një zëri ose në fushata të tjera.

Pastaj vijnë legjionet me identitete të shumëfishta, me profile anonime, grupe në Facebook. E gjitha kjo bëhet me qëllim neutralizimin e zërave që thonë të vërtetën.

Qëllimi i përdorimit të këtyre teknikave të astroturf-it, është pasojë e mundësisë së komunikimit online sepse Facebook, Tëitter, Instagram  i kanë dhënë mundësi shumë njerëzve të shprehin mendimet e tyre. Censurimi i tyre është i pamundur, ndaj astroturf është mënyra më e mirë për të shkatërruar rëndësinë e mesazhit.

Pretendimi për një network të gjerë dhe të sponsorizuar nga qeveria mund të duket i zmadhuar. Por astroturf është kthyer në një fenomen të zakonshëm në të gjithë botën. Raste të tilla të përdorimit të astroturf, pritet të shtohen me kalimin e kohës në hapësirën tonë virtuale dhe hapja e një rubrike të tillë në faqen e Kryeministrit është vetëm fillimi.

 Politiko.al

Lini një koment