
Mbas shumë drekash e darkash entuziaste, në Kretë apo në Korçë, mbas deklaratash euforike të ministrit të jashtëm grek, Kotzias, mbi Marrëveshjen e re të detit, por edhe për një marrëveshje reformuese Shqipëri-Greqi, ka rënë perdja e një heshtjeje të gjatë.
Shpresat e gjetjes së formulës së zgjidhjes, që shpesh herë bëri publike ministri Bushati, (duke ndërtuar në mënyrë inteligjente formulime hermetike dhe pa sfumatura e detaje), me sa duket janë tretur.
Ndjeshmëria e shqiptarëve, ishte për këtë temë dhe për çdo detaj që lidhet me sovranitetin, tejet e madhe.
“Vigjilenca” dhe betejat, tashmë shumëvjeçare të Shpëtim Idrizit, aftësia e tij, për të kushtëzuar çdo veprim apo kompromis politik, në politikën e brendshme, me parametrat e vendosura tashmë prej tij, në politikën e detyrueshme të jashtme shqiptare, në marrëdhëniet me Greqinë, vit pas viti e kanë bërë punën e tyre, duke krijuar një Vijë të Re të Kuqe.
Nga ana tjetër, Bushati, ka qenë, në periudhën e negociatës shqiptaro-greke që lamë pas, një “kampion” i komunikimit enigmatik, duke e hutuar përmes valleve epirote, babaxhanin Kotzias, që përkthente gabimisht buzëqeshjet e tij, me miratimin në themel të një Marrëveshjeje të re dhe një sukses të vetin personal.
Por ndërkohë një Vijë e Kuqe shqiptare ishte paravendosur, të cilën askush nuk e çon nëpër mend se mund të zhvendoset më, në favor të fqinjit helen…
/360grade.al/