Kategori
Uncategorized

EUROPA, VLERAT DHE RILINDJA SOCIALISTE.

Nga Zef Zefi/

“Do më kuptoni mbas 50 vjetësh,” tha Niçe, kur shkroi Nihilizmin. Gjithë argumentet e tij konsistonin në tri fjali.-Do mungojë motivimi, pra qëllimi. Do mungojnë përgjigjet e përse-ve. Të gjitha vlerat zhvlerësohen.

Vepra e filozofit i drejtohej gjithë botës, në rend të parë qytetërimit më të avancuar, kurrë i parë më përpara në historinë e njerëzimit, atij Perëndimor, në thelbin e të cilit është optimizmi dhe progresi i pafund.

Ky optimizëm zë fill me premtimin e Palit në Athinë i cili kaloi edhe në Iliri, pastaj në Romë.(Luka. Akti i apostujve kap.14.)

Ai duke argumentuar ringjalljen e Krishtit u tha Athinasve”Ju nuk do të vdisni kurrë….” Një premtim të tillë kultura greke dhe të tjerat parakrishtere nuk mund ta bënin. Shumë athinas qeshen me këtë premtim, të tjerë i thanë se këto përralla na i lë për një herë tjetër.

Sidoqoftë ky premtim i dëshiruar fort prej njeriut u perqafua menjëherë, jo aq si religjion, sa si kulturë dhe inkonshio kolektive.

Ndersa për qytetërimet e para krishtera koha ishte ciklike e ngjashme me stinët bujqësore, krishterimi themeloi një kohë tjetër; E shkuara, negative(mekati origjinal). E tashmja shpagimi. E ardhmja shpëtimi.

Ky koncept influencoi më së pari shkencën e cila sado antikristiane duket me betejat e saj në kohë me religjionin, në thelb është kristiane, ashtu si agnosticistët, marksistët dhe besimet që lindën më vonë me plagjimet e tyre të pjesëshme.

Për shkencën, e kaluara është injoranca, e tashmja kërkimi, e ardhmja (e laikizuar) progresi.

Edhe Teoria e Marksit ateist, ishte e krishterë; E shkuara ishte padrejtësia e pabarazia sociale, e tashmja provokimi i kontradiktave dhe lufta e klasave, e ardhmja drejtësia dhe barazia e mbidheshme.

Hiç më pak i krishterë ishte Frojdi ndonëse shkroi një libër kundër besimit; sipas tij të shkuarën e përbëjnë traumat nervore, e tashmja analiza, e ardhmja shërimi.

E ardhmja përherë pozitive.

Mbi moralin e krishterë (morali i qëllimit) është i ndërtuar e gjithë rregullsia fondamentale e sistemit etik e mbi të gjitha ai juridik Perëndimor. Psh ndryshe gjykohet moralisht po sidomos juridikisht një vepër penale a kundravajtje e qëllimtë, ndryshe ajo e pavetëdijshmja apo aksidentale.

Ky moral (i qëllimit) në hapsirën tashmë mbi dymijë vjeçare, është kerkuar të korigjohet e revizionohet jo rrallë në kohë.

I pari Kanti si iluminist, argumentoi se nuk është i mjaftueshëm morali i krishterë i qëllimit, sepse njeriu nuk mund të jetë objekt i ingranazheve të makinerisë së zhvillimit apo drejtësisë, por subjekt i tyre. Morali i ri duhet te burojë, nga individi arsyeja e kulluar.

I dyti Weber me etikën e përgjegjësisë. Sipas tij nuk mjafton morali i krishterë i qëllimit, as ai i objekt-subjektit të Kantit por duhet ti referohemi Etikës së Pergjegjësisë, që për Weber do të thotë se veprimet tona duhen gjykuar sipas pasojave, dobisë apo anasjelltas(derisa këto konsekuenca janë të parashikueshme, shton filozofi)

Ndersa etikën e Kantit e kundërshton Weber, atë të Weber e rrëzon një ilustrim i thjeshtë.

Mjaft të pyesësh një punëtor të fabrikimit të armëve psh do bombave te dorës, lidhur me proçesin e punës, kushtet, apo pagesen, ai përgjigjet njëlloj si një prodhues petullash pa problem, ndryshimi ndodh në momentin e përgjegjësisë, ose konsekuencave të parashikueshme; kur e pyet për produktin që sjell puna e tij, petullabërësi vazhdon të përgjigjet, ndersa armëpunuesi jo.

Lidhur me konsekuencat e Weber, në mjediset shqiptare po të pyesësh një qytetar se sa e shite votën në zgjedhjet e fundit, ose një media çfarë perfiton nga qeveria e radhës me klientelizmin të pergjigjet. Pa përgjigje mbetesh nëse ata i pyet për pasojat, ose do të gjendesh para një gjykimi të rreptë si shqiptar jo bashkëkohor, ose malok.

Vlerat morale nuk janë entitete metafizike, Por dhe asgjë më shumë se kofiçente (piketa) brenda të cilave një komunitet a shoqëri, vendos për të bashkëjetuar, ndersa etika në kuptimin minimal eshte sjellja e individit brenda këtyre vlerave të pranuara nga shumica.

Nuk u hapen negociatat edhe sivjet me Europën e vlerave te qytetërimit mbi dymijë vjeçar, ndonëse retorika popullore, ajo politike dhe mediatike është dashurore me të. Pertej shkaqeve otomane e komuniste, me këtë qytetar që shet votën, ketë qeveri që Shqipërisë i ka bërë gropën, me këtë kryeministër që u dërgon shqiptarve ideograma zgerdhirjesh ditën më të zezë me tri familje te vdekura tre brezash, per shkak të mosmbrojtjes nga qeveria e tij, vetëm vlerat nuk dimë se nga bien. “Mungon qëllimi, zhvlerësohen vlerat dhe mungon përse-ja, paranjofton Niçe qytetërimin modern, që do të gjendet para kërcënimit të teknikës.

Ndersa ne me eksperimentet e rilindjes tonë i kemi djegur etapat ashtu si me eksperimentimet socialiste të hoxhizmit.

ZEF ZEFI

Lini një koment