Kategori
Uncategorized

Shqiptarë të diasporës: bëhuni si rumunët!

Ne nuk largohemi pa u larguar ata», «Mjaft është mjaft», «Largohuni para se të vdesë dikush», «Zgjedhje», «Nuk dorëzohemi dhe sërish do të dalim në rrugë», «Poshtë qeveria e mafies».

Vetëm ata shqiptarë që janë të pavarur financiarisht mund t’i përzënë nga pushteti politikanët e korruptuar të Kosovës. Shqiptarët e punësuar në Zvicër, Gjermani e Austri, të cilët zemrat dhe familjet i kanë në Kosovë, kanë protestuar në sheshet e Europës për lirinë e Kosovës, kanë dhuruar miliona për fondet e rezistencës, kanë luftuar për lirinë e Kosovës – dhe tani duhet t’i prijnë edhe njëherë çlirimit të Kosovës, kësaj radhe nga kasta e korruptuar dhe moralisht e kalbur e «komandantëve» pa ideale dhe bashkëpunëtorëve shumëvjeçarë të UDBËS, të instaluar në qeverinë e Kosovës.

Nga Enver Robelli

«Ne nuk largohemi pa u larguar ata», «Mjaft është mjaft», «Largohuni para se të vdesë dikush», «Zgjedhje», «Nuk dorëzohemi dhe sërish do të dalim në rrugë», «Poshtë qeveria e mafies». Me këto parulla, thirrje e brohoritje dhjetëra-mijëra rumunë kanë protestuar edhe të dielën në mbrëmje kundër qeverisë së korruptuar të kryeministres Vasilica Viorica Dăncilă, e cila i takon partisë postkomuniste PSD. Shefi i PSD-së Liviu Dragnea është kryetar i paralementit dhe i dënuar për manipulim të zgjedhjeve. Të premtën protestat u shtypën nga policia rumune. Sipas të dhënave zyrtare u lënduan 452 persona, mes tyre 11 policë. 70 të lënduar u dërguan në spitale.

Vala e re e protestave në Rumani filloi pas një fushate në mediat sociale të diasporës rumune. Shumë rumunë të punësuar në vendet perëndimore ndiejnë obligim moral të angazhohen që atdheu i tyre të bëhet shtet funksional. Sipas shumë analizave dhe anketave Rumania konsiderohet ndër shtetet më të korruptuara të BE-së.

Një studim i Parlamentit Europian ka treguar se kostoja e korrupsionit në vitin 2016 arrinte në rreth 24 miliardë euro. Protestat në Bukuresht dhe shumë qytete të tjera rumune drejtohen kundër partisë PSD, e cila po përpiqet të fusë nën kontroll drejtësinë relativisht efektive rumune. Qeveria po ashtu po tenton të ndryshojë Kodin Penal me qëllim që të vështirësojë ndjekjen e politikanëve të korruptuar. Shumë politikanë të PSD-së kanë probleme me ligjin dhe dyshohet se janë pasuruar ilegalisht.

Këtë situatë nuk duan ta durojnë shumë rumunë, sidomos ata të diasporës, të cilët kanë braktisur vendin kundër vullnetit të tyre. Ata po angazhohen gjithnjë e më shumë për ndryshime rrënjësore në Rumani. Diaspora rumune ka luajtur rol të rëndësishëm në zgjedhjen e kryetarit Klaus Johannis, i cili është me origjinë gjermane. Johannis po përpiqet që në kuadër të kompetencave të tij të pengojë demontimin e sistemit të drejtësisë në Rumani. Shefi i PSD-së Dragnea e ka akuzuar presidentin Johannis për tradhti – një akuzë e pabesueshme.

Armiku tjetër i kastës së korruptuar rumune, krahas presidentit, janë rumunët e diasporës, shumë prej të cilëve kanë hequr dorë nga pushimet verore dhe janë kthyer në atdhe për të mbështetur bashkëkombësit në betejën për një shtet funksional. Një zyrtar shtetëror i quajti rumunët e diasporës «vjedhës, lavire dhe lypsarë». Në 15 vitet e fundit katër milionë rumunë kanë braktisur vendin e tyre në kërkim të perspektivës në BE. Rroga mestare në Rumani është vetëm 520 euro.

A mund të mësojnë diçka nga rumunët e diasporës shqiptarët e punësuar në Perëndim? Po, shumë madje. Pa angazhimin e diasporës ndryshimet janë të vështira në ato shtete ku partitë shërbejnë vetëm si instrumente për nepotizëm, për rehatim të militantëve dhe injorantëve në adminsitratën shtetërore dhe për ndarje të resurseve publike brenda një bande politike. Kjo ka ndodhur në Rumani që nga rënia e komunizmit. Një pjesë e madhe e popullsisë, përkundër anëtarësimit në BE më 2007, e ka humbur shpresën se është e mundshme të luftohet korrupsioni. Drejtësia ka kryer deri-diku punën e saj, por moçali politik mbetet ende i thellë. Njerëzit janë dëshpëruar, zhgënjyer, kanë rënë në apati. Andaj ndihma nga diaspora është e mirëseardhur në Bukuresht.

Kundër kësaj bande duhet të nisë një kryengritje sidomos diaspora e Kosovës, të cilën hajdutët e Prishtinës dhe mecenarët e tyre publicistikë nuk mund ta shantazhojnë.

*Enver Robelli është një publicist i angazhuar që jeton në Zvicër dhe drejton revistën dialogplus.ch.

Lini një koment