Kategori
Uncategorized

Raporti: Mafia është fuqizuar, Shqipëria “lavatriçe” e pastrimit të parave.

“Krimi i organizuar dhe bandat me origjinë nga Shqipëria janë fuqizuar edhe më shumë përgjatë vitit të kaluar”. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur Observatori Europian për Krimin dhe Sigurinë, një konsorcium gazetarësh investigativë që grumbullojnë dhe analizojnë të dhënat e krimit të organizuar së bashku me Interpolin.

Në një artikull të publikuar në faqen e tij online ky rrjet gazetarësh shpreh shqetësimin se mafia shqiptare është  fuqizuar dhe se po kontrollon tregje të konsiderueshme në Europë.

Ai thekson se organizatat kriminale shqiptare kontrollojnë territore, kanë investime të mëdha në ekonomi dhe ndikim të fortë tek politika e vendit.

Më pas ai analizon raportin eDepartamentit të Shtetit, duke shkruar se Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të konsiderueshme marijuanw, veçanërisht në tregun europian dhe është vend tranzit i heroinës dhe kokainës afgane, duke shërbyer si porta kryesore hyrëse e saj në vendet e BE-së.

Raporti i amerikanëve rëndit Shqipërinë edhe në listën e vendeve që shërbejnë si “lavatriçe” të mëdha të pastrimit të parave të pista, duke theksuar se, edhe pse sasia e drogës së sekuestruar është rritur ndjeshëm dhe po ashtu edhe numri i personave që kanë përfunduar në pranga, dyshimet mbesin mbi vullnetin dhe vendosmërinë e qeverisë për të goditur grupet kriminale.

Sipas “EU-OCS”, Shqipëria renditet si vend prodhues dhe se Interpoli ka prova konkrete të përfshirjes së grupeve kriminale shqiptare në rrjetet kryesore të trafikut të heroinës, kokainës dhe kanabisit në Europë.

Rrjeti i gazetarëve investigativë europianë kujtojnë sekuestrimin e 613 kilogramëve kokainë në shkurt të këtij viti. Droga ishte fshehur në bazamentin e kontenierëve të mbushur me banane dhe kishte mbërritur drejtpërdrejtë nga Kolumbia.

Raporti thekson se:

Kjo tregon se grupet shqiptare janë fuqizuar aq shumë saqë kanë vendosur kontakte të drejtpërdrejta me prodhuesin kryesor të kokainës, që është Kolumbia. Këtë lidhje e ka zbuluar më herët agjencitë britanike ligjzbatuese, që thonë se grupet kriminale ballkanike po rrisin gjithnjë e më shumë ndikimin e tyre tek rrjeti i trafikut të kokainës duke vendosur marrëdhënie direkte me prodhuesit e saj në Amerikën Latine, e shpesh duke shmangur grupet tradicionale dhe më të vjetra në këtë veprimtari të paligjshme. Londra është baza kryesore e grupeve shqiptare, por aktiviteti i tyre shtrihet në të gjithë Britaninë e Madhe, Të ardhurat e siguruara nga aktivitetet e paligjshme pastrohen lehtësish. Por si? Ssë pari sektorin e ndërtimit dhe së dyti kumarin, duke përfshirë këtu kazinotë e lojërat e ndryshme të fatit dhe lotaritë sportive. Agjencitë ligjzbatuese njohin domosdoshmërinë për të luftuar pastrimin e parave, por përgjithësisht mbeten të paafta për t’u përballur me këtë fenomen”.

Zgjerimi ndërkombëtar i grupeve kriminale shqiptare pashmangshmërisht prodhon pasoja brenda kufijve të vendit. Raporti thekson se Shqipëria shërben si bazë kryesore e operacioneve, madje edhe për grupet rajonale të trafikut.

Lini një koment