Alfred Lela
Agron Gjekmarkaj te Panorama e së premtes kish qëndisur një shkrim ku, për fije e pe kish përdorur zemërimin e një të djathti, mirënjohjen e një katoliku dhe përbuzjen e nje intelektuali.
E kishte fjalën Gjekmarkaj për një bust të Pjetër Arbnorit [ish i burgosur, 29 vjet në qeli, kryetar i Parlamentit të parë paskomunist, një emblemë urtie e së djathtës së re], që u ankorua dje para anijes moralisht të hepuar të Kuvendit të Shqipërisë. Gjekmarkaj, falenderonte Gramoz Ruçin e komunistët për aktin dhe qortonte demokratët Berisha, Topalli dhe Basha. Me këtë të fundit Gjekmarkaj prej një viti tregon padurim, ndërkohë që kryetari i opozitës ia kthen me heshtje. Se ç’mospajtim shtrihet mes tyre vetëm ata të dy e dinë.
Unë pajtohem me të në të gjitha argumentet, me përjashtim të njërit: ai i çon më shumë falenderime sa duhet Gramoz Ruçit. Kjo sepse Agroni nuk i di të gjitha në lidhje me bustin e Arbnorit. Nuk di për shembull faktin se ka qenë Besnik Mustafaj nismëtari i vendosjes së shtatores në oborrin e Parlamentit. I shtyrë nga një rastësi e cila ka vënë në lëvizje vetëdijen e tij prej shqiptari, shkrimtari dhe demokrati.
Historia e ka kështu: Mustafaj viziton herë pas here shtëpinë botuese Toena, që është botuesi i librave të tij prej kohësh. Në të njëjtën ndërtesë ndodhet edhe selia, tashmë e tkurrur, e Qendres Kulturore Pjetër Arbnori (po, asaj zulmëmadhes që pagëzoi dikur Piramidën). Aty në një cep, Besniku vuri re një statujë për të cilën pyeti dhe i thanë se gjendej aty prej shumë vitesh. Shtatorja ishte vepër e skulptorit shkodran Sadik Spahia dhe ishte realizuar pas një konkursi të hapur nga Qeveria Berisha. Të djathtët kishin patur idenë, lëvruar paratë, bërë statujën dhe pastaj, siç ndodh jo rrallë në atë parti, e gjitha ishte harruar. Edhe pse Sali Berisha ishte Kryeministër, Jozefina Topalli kryeparlamentare dhe Lulzim Basha kryetar Bashkie, e me radhë.
Mustafaj ia paraqiti idenë e vendosjes së shtatores së Arbnorit kryetarit të Kuvendit dhe Ruçi nuk ngurroi të thoshte po për parardhësin e tij, edhe pse i anës tjetër. Finalja e së gjithës është ceremonia e së enjtes.
U desh Besnik Mustafaj që, si shkrimtar, është bekuar me vetëdije, ndryshe nga ata demokratë që sot qahen nga vijat anësore të fushës. [Nëse nuk ke vetëdije kulturore ke huq e lugë në brez]. Të gjithë qahen njëlloj për lënie jashtë, madje Patozi ankohej dje edhe se nuk i kish shkuar ftesë duke akuzuar, kë tjetër, Bashën. Nuk e di Patozi se edhe PD zyrtare ka vendosur të shkojë në ceremoni minutën e fundit. E kompleksuar prej Ruçit dhe faktit se në orën e tij po nderohej njeriu i tyre. Por edhe prej situatës së tensionuar politike të kohëve të fundit. Besnik Mustafaj sërish ka ndërhyrë dhe ka bërë mirë. Dyfish më e turpshme do ishte shtatorja po të mungonin hierarkët demokratë.
Të lënët jashtë duhet megjithatë të ndihen më të turpëruarit për shtatoren dhe njeriun të cilin ajo mishëron. Ku ishin ata kalorës të demokracisë, hapjes, hierarkisë, traditës, gjithë atyre vlerave për të cilat sot çirren.
Kur ata u dekoruan ministra dhe Arbnori kërkoi të shkonte Ambasador në Vatikan?
Dhe u refuzua.
Pse nuk i kërkuan llogari Berishes?
Sikur Gjekmarkaj t’i dinte të gjitha për bustin e Arbnorit? Të njëjtët: Topalli, Patozi, Bode, Bregu, Ruli e me radhë.
Ju e dini pse-në.
Ja pra, i dashur Agron, që shkruan prej Rome me shqetësime të djathta, pse jemi dakord bashkë se, një prej arsyeve të lëngatës së PD është se kjo forcë, nuk diti apo nuk deshi, të kuptonte rëndësinë e simboleve dhe simbolikës.
Tabula rasa sa i takon kësaj.
