Kategori
Uncategorized

Lajmi i mirë i moshapjes së negociatave

Alfred Lela

Dikush duhet të dalë e ta thotë, duke mos u stepur, as nga fakti se Ambasada amerikane e quajti ‘pozitiv’, atë që është e qartë si ujët e Valbonës: është lajm i mirë që qeveria Rama mori një JO te pragu i negociatave.

Duke pranuar dy gjëra: refuzimi i qeverisë socialiste është një pengesë edhe për rrugëtimin europian të Shqipërisë; dhe, skenarët e mundshem ne rast te marrjes se Po-je do ishin me demtues per vendins se sa pengesa.

Atëherë, përballja debatuese që na nevojitet është: a fiton apo humb Shqipëria? Jemi në një prej atyre rasteve, jo të pakta në jetën e individëve dhe të kombeve, ku prej vonesës që prodhon pritja dhe durimi, del më mirë.

Një Po europiane për Edi Ramën dhe të tijtë, që kanë dëshmuar sjellje dhe yrysh joeuropeist, do të thoshte një certifikim i tyre, pasojë e të cilit do të ishin arroganca e shtuar dhe vazhdimi në të njëjtin drejtim që ata e quajnë ‘i duhuri’, por që ngjan si pa krye.

Në rast të një Po-je, kur opozita, apo kushdo, do i përmendnin Tahirin, përgjigja do të vinte flakëritëse: ej, a je në vete, kemi marrë vizë nga Europa!?

Nëse gazetarët, apo cilido, do t’i kujtonin Xhafajn Jr., reagimi do të vinte si krismë pushke: futja kot, BE na hapi negociatat!

Nëse një qytetar do komentonte një gjë për korrupsionin a vjedhjet do kërciste kërcënimi: të q…r…unë kam hapur negociatat!

Këtij begu politik i duhej thënë ndal me një hendek dhe këtë bënë ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së. Nuk do të thotë asgjë fakti se hezitimi, apo mosdakordësia, ishte e Francës, Holandës dhe Danimarkës, dhe se vendet e tjera ishin gati të ngrinin duart në miratim. Mungesa e kohezionit europian flet edhe për mosdëshirën gjermane: të paktën Holanda dhe Danimarka do ta ‘sakrifikonin’ ngurrimin e tyre përballë trusnisë gjermane. E cila ka ardhur saktësisht pas plojës së prodhuar nga vetë Rama gjatë vizitës në Berlin, kur u mundua që defektet t’i mbulonte me sulme në vend të përunjësisë.

Ka nga ata që mendojnë se mbikqyrja europiane, në rast të hapjes së negociatave, do të kishte qenë më ndikuese te ndryshimi i mundshëm i Ramës, dhe se reflektimi i tij përballë Jo-së do të jetë më i ngadaltë, ose i pagjasë.

Këtu hyn në punë një dallim thelbësor, që shpjegon edhe një kontradiktë apo paradoks në superstrukturën europiane. Bëhet fjalë për dallimin mes burokracisë së BE dhe Europës politike. E para dha një rekomandim pozitiv, me njëfare shkujdesjeje në raport me standardet e Shqipërisë, që shumë mund ta lexojnë si dashamirësi ndaj vendit tonë. E dyta e refuzoi rekomandimin, duke marrë parasysh, sigurisht, kontekstin politik nacional (jo atë supranacional), por edhe duke e situr më me kujdes territorin politik dhe institucional shqiptar.

Kjo, për të argumentuar se z. Rama, në rast të hapjes së negociatave, do ta përdorte sërish Europën burokratike dhe shkujdesjen e saj për të marrë një leje hileqare për një valle trimash në kurriz të Shqipërisë dhe institucioneve të saj.

A e keni vënë re ende spikamën e kësaj hileje shtatshe pa asnjë trimni? Del e thotë se Shqipëria e mori datën e hapjes së negociatave. Nuk skuqet kur bën sikur harron se 28 qershorin (që është nesër) vetë e kishte quajtur ‘një betejë për jetë a vdekje’. Nuk ia bën syri tërr kur dështimin e quan fitore. E të tjera.

Lini një koment