Kategori
Uncategorized

Ulliri, patatja dhe qeverisja centrifugale.

MORDECAI

Atdheu ynë i dashur po i largon bijtë e vet me shpejtësinë më të pabesueshme, me therrjet më të dhimbshme dhe me cinizmin më tragjik, falë energjive centrifugale të qeverisë së saj. Ajo që duhej të ishte fuga mbledhëse e popullit është kthyer në centrifugën marramendëse, që po i flak të gjithë jashtë.

Paradoksalisht, qeveria po dëbon të gjithë rininë me mesazhet e çmendura që përhap në eterin e qelisë socialiste me dyer të shqyera. Pothuaj të gjithë ata që ikin nga Shqipëria si të papunë, arrijnë të gjejnë punë në shtetet e tjera ku shkojnë, edhe pse nuk kanë kualifikime speciale.

Ndërsa kryeministri i zgjedhur me votat dhe shpresat e këtyre të papunëve u thotë përditë se punë ka, por ju nuk dini t’i bëni. Të ashtuquajturat panairet e punës dhe tubimet e dëgjesave janë për turp e faqe të zezë, autosugjestionimi më i skajshëm i kryeprotagonistit dhe alibia më e dobët e dështimit të qeverisjes.

Koloristi i panjohur i muraleve dhe i shkresave, që përdor kornizat për të mbuluar pasurimin e fshehtë, u tha dikur shqiptarëve se bënë gabim që dëgjuan Saliun dhe mbollën ullinj. Atëherë ishte në opozitë dhe zgërdhihej në një shtëpi të mbushur plot me ullinj, ndërsa mikpritësit i kërkonin të lehtësonte gjetjen e tregjeve për frytet e pemës së paqes.

Ndërsa tani që është edhe i pari i Shqipërisë së mbetur u tha shqiptarëve se bënë gabim që mbollën patate, ashtu si kishin bërë me shekuj në tokat e të parëve. Si atëherë edhe tani, ai sërish zgërdhihet anës një are me patate të sapovjelë nga toka, ndërsa fshatarët i kërkonin rrugëdalje nëpër tregje, tashmë si zot suprem i tyre.

Por rrugëdalje nuk ka në një vend, ku kryeqehajai u thotë bujqve të mos mbjellin ullinj as patate, se për frytet e rrënjëve të tyre nuk ka tregje as brenda as jashtë shtetit. Ky qeverim mjerues të vret duart edhe gjunjët bashkë, të djeg fshatin dhe qytetin bashkë, të fshin ëndrrat dhe realitetin, të errëson sytë edhe mendimin.

Tall ullinjtë e Skënderbeut pikërisht në vitin e tij, zhbën Naimin dhe Rilindjen pikërisht me kodet e tyre, dëbon edhe të fundit shqiptarë që duan të rrinë në shtëpitë e tyre. Të urtët thonin dikur se loti i rrjedh njeriut sapo kujton mëkatin e vet, por nuk ka kohë për pendesë, madje as për zhgënjim, sepse tashmë nuk ka as shpresë e as premtim.

Lini një koment