‘Skifterat’ e Berlinit*
Një dërgatë qeveritare shqiptare, përfaqësuese e një vendi me kaq shumë probleme, që ofron një darkë të shtrenjtë në restorantin më luksoz të Gjermanisë, ka qenë një teprim pagan dhe një keqkuptim mesdhetar për shpirtin gjerman.
Alfred Lela
Disa gjëra shkuan keq në Berlin për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Si fillim, ai mori me vete jehonën e disa shkrimeve denigruese të portaleve pranë qeverisë, ku cënohej dinjiteti njerëzor dhe ai politik i Gunther Krichbaum, një deputeti gjerman, njëkohësisht kryetar i Komisionit të Europës në Bundestag.
Edhe pse z. Rama u distancua nga shkrimet në Tiranë, ato udhëtuan për në Berlin pa lejen e tij. Partia e Merkel dhe Krichbaum ka këtu një zyrë mjaft aktive të Fondacionit Konrad Adenauer, organizatë që funksionon si formatues ideologjik dhe përhapës i ideve të qendrës së djathtë në Gjermani, Shqipëri dhe shumë vende të botës. Gjermania Federale ka gjithashtu një ambasadë, gjithaq aktive në Tiranë.
Animet, parapëlqimet dhe linjat editoriale të mediave, të vjetra apo të reja, nuk janë sekret për askënd, sa kohë janë veprimtari publike e përditshme, siç nuk janë të tilla as mbështetja financiare që jepet për to. Politiko.al raportonte dje për debatin e zhvilluar mes Ramës dhe deputetëve gjermanë, të cilët i kujtuan se mediat që publikuan shkrimet kundër kolegut të tyre janë afër qeverisë.
Kur Kryeministri i ka quajtur tri herë rresht ‘gënjeshtra’ pretendimet e Krichbaum, deputetët kristian-demokratë janë larguar nga takimi.
Një ‘sup të ftohtë’ shefi i qeverisë shqiptare e ka marrë edhe nga kancelarja Merkel, e cila ka folur për ‘kushte paraprake’, një togfjalësh që shpjegon atë që është quajtur skepticizëm gjerman; që Rama e ka mohuar me forcë, madje edhe pas vizitës në Berlin.
Si të mos mjaftonte ngrica e këtyre dy momenteve, në finale, ndoshta duke menduar të rregullojë punë, apo ndoshta për të transmetuar në Tiranë idenë se ‘me gjermanët e kemi mirë’, Kryeministri ka guxuar të shkojë, me këmbët e veta, drejt një thertoreje etike ku e priste e mprehur, e ftohtë dhe e pamëshirshme, kama teutone e protestantizmit gjerman.
Një ‘darkë e gabuar’ mund të konsiderohet ajo që z. Rama pati ndërmend të shtronte për deputetët e Bundestagut, një përpjekje për marketing që u kthye në anti-reklamë. Siç raportonte gazeta Tagesspiegel, deputetët gjermanë janë habitur nga përzgjedhja e restorantit ku do të shtrohej darka, një klub ekskluziv, ku hyrja lejohet vetëm me kartë antarësimi, të cilat, siç do ta shihni në këtë raportim të Politiko, janë një gjë fort e shtrenjtë.
Duhet të lexojmë në dy fakte për të kuptuar se çfarë i ka habitur gjermanët. I pari është ekskluziviteti dhe shtrenjtësia e China Club Berlin dhe, i dyti me atë se ky luks nuk i shkon përfaqësuesve të një vendi si Shqipëria, e cila ka varfëri të theksuar, korrupsion të lartë, dhe krim të organizuar, shqetësues edhe për Europën.
Nuk duhet shmangur as ajo çka është kombi gjerman, një popull i madh në numra dhe sfidant ndaj humnerave të historisë së shekullit të kaluar, që i kapërceu duke u bërë në disa dekada një nga vendet më të fuqishme të botës. E gjitha qëndron te ajo që Max Ëeber quan ‘etika protestante e punës’, ku gërshetohen përunjësia dhe e përkora me idenë se kuptimi i jetës dhe përmirësimi i njeriut vjen pikërisht prej punës.
Një dërgatë qeveritare shqiptare, përfaqësuese e një vendi me kaq shumë probleme, që ofron një darkë të shtrenjtë në restorantin më luksoz të Gjermanisë, ka qenë një teprim pagan dhe një keqkuptim mesdhetar për shpirtin gjerman.
Ne, këtu në Tiranë, na lejohet të ndërtojmë një parabolë tjetër me Ramën dhe shoqëruesit e tij. Imagjinarja që u shkon më shumë është ajo e ‘skifterave’, duke futur në punë personazhin grotesk të aktorit Bes Kallaku. Aty parodizohet hajduti i vogël shqiptar, grabitës vilash dhe apartamentesh në Itali, që kthehet në atdhe plot argjendurina, makina dhe tesha markash të shtrenjta. Përpjekja për të mbuluar statusin e vjetër me plaçkën e re, të zhvatur qyteteve të Europës, krijon situata komike.
Këtë shije ‘skifterash’ të jep shpura kryeministrore shqiptare, që u mundua të blinte një vend në Berlin duke u futur nga dera e pasme e klubit ekskluziv dhe luksoz. Gjermanët thanë ‘Nein’. Ndoshta, edhe në emër të atyre shqiptarëve që ndihen të grabitur nga ‘skifterat’ e Tiranës.
*Fjala ‘skifterat’ forma korrekte e së cilës në shumës është ‘skifterët’, është lënë me qëllim gabim.
