Kategori
Uncategorized

Integrimi, apo kënga e vjetër ‘mbeçë, more shokë, mbeçë…”

Raporti i rekomandimit të paraqitur nga Komisioni Europian, për të gjitha kriteret apo kushtet kryesore të vendosura më parë si korrupsioni, krimi, sistemi i drejtësisë, përshkohehin nga ndriçimi i errët i frazës në anglisht ‘some level of preparation’. Që do të thotë në shqip ‘njëfarë niveli përgatitjeje”. Që do të thotë në gjuhën e notave të fillores ‘pesë me hatër’

Alfred Lela

Odiseja e integrimit europian të Shqipërisë është ndoshta plaga më e thellë e tranzicionit shqiptar, apo paskomunizmit. E qartë dhe me forcë, që në protestat e para anti-sistem, në vrundujt e paepur të historibërjes së vitit ’90, Formula e Pagëzimit anti-komunist, ka qenë ‘e duam Shqipërinë si gjithë Europa’.

Shtatë qeveri më vonë, demokrate e socialiste, si shtatë premtime kaptuar, sërish jemi në Shqipëri, por Shqipërinë (vajmedet!) nuk e kemi ‘si gjithë Europa’. Eshtë naivitet i poshtër që e gjitha t’i shkarkohet klasës politike: ne jemi populli i atyre kastave, dhe i kemi prodhuara ato, siç edhe ato na kanë ‘prodhuar’ ne, duke na përfaqësuar në traditën, shpirtin, veset dhe virtytet tona.

Të pamarrë vesh kanë qenë, ashtu siç edhe ne, dhe kjo e nënkupton shprehjen e famshme ‘çdo popull ka qeverinë që meriton’.

Për të ardhur kështu, avash-avash, siç thonë turqit dhe pëlqejnë shqiptarët, në fundprillin e 2018, kur Komisioni Europian ka rekomanduar çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Pa kushte. Dymbëdhjeta, shtata, pesa, janë kaptuar dhe ne gjendemi, si popull, qeveri e opozitë, para një lumi që shpresojmë të jetë i qetë dhe mirëdashës deri në fund të qershorit, kur Këshilli i Europës do të mblidhet për të thënë një ‘Jo’ ose një ‘Po’. Për të hedhur një urë finale mbi këtë lumë ku shqiptarët të mund të ecin drej ëndrrës së ndryrë gjatë; të çelur në muajt e përmbytur nga shpresat e pastra e të mëdha të vitit 1990.

Deri atëherë kemi Edi Ramën në qeveri dhe Lulzim Bashën në opozitë. I pari ka përfituar, bashkë me të edhe ne, në këtë kthesë të kohës ku lumi ngadalësohet, nga një drojë europiane dhe amerikane për një shtrirje, krejt të mundur, të rusëve me ‘sovjetizmin’ si rivendikim; turqve me otomanizmin dhe islamizmin si shpresë shpirtërore dhe politike; dhe, të kinezëve me ‘rrugën e mëndafshtë’ të parasë dhe fuqisë së të gjithë numrave të mëdhenj.

Kjo lexohej, më qartë se asgjë, në fjalët e Fedeirca Mogherinit italianes së KE, që është mësuar ta shohë dhe kuptojë fqinjin grindavec lindor nga frëngjia e mundësisë së bazave sovjetike, jugosllave dhe kineze, kur vendin e saj e qeverisnin demokristianët dhe tonin Enveri me bandën e vet. Siç shihej në deklaratat e saj edhe ‘shqetësimi kufitar’, që e ka tashmë çdo vend europian, i madh dhe me prosperitet ekonomik, (pavarësisht krizës). Pjesë e këtij shqetësimi është marrëveshja e Shqipërisë me Frontex, agjensinë europiane të Mbrojtjes së Kufijve, i pari pakt i këtij lloji dhe përmbyllësja e frikës dhe rrezikut që vjen nga Shqipëria paraeuropiane me azilantët ekonomikë, drogën dhe kriminalitetin.

Raporti i rekomandimit të paraqitur nga Komisioni Europian, për të gjitha kriteret apo kushtet kryesore të vendosura më parë si korrupsioni, krimi, sistemi i drejtësisë, përshkohehin nga ndriçimi i errët i frazës në anglisht ‘some level of preparation’. Që do të thotë në shqip ‘njëfarë niveli përgatitjeje”. Që do të thotë në gjuhën e notave të fillores ‘pesë me hatër’.

Një lexim euforik i ‘some level of preparation’ e mban nivelin e lumit mbi të cilën pritet të hidhet një urë në fundqershor, të lartë dhe sidomos të turbullt. Krejt e kundërta, nevojitet një lexim kurajoz dhe europeist.

Premisa është, sepse si kurrë më parë, opozita e Lulzim Bashës po punon në funksion të zhbllokimit, dhe jo të bllokimit. Kësaj here nuk ka ”se japim Fierin për Brukselin”. Vizita e shpurës opozitare në Berlin dhe deklaratat e spektrit joqeveritar e dëshmojnë qartë këtë.

Integrimi, mbi të gjitha, nuk duhet parë si plaçkë lufte, por si plagë e vjetër. Ai është Formula e Pagëzimit të ‘epokës demokratike’.

Kush mundet ta shkruajë?

Lini një koment