Kategori
Uncategorized

Varre dhe pushtet!

Varre dhe pushtet!

Nga Poli Hoxha/

“Kudo ku prehen ushtarët grek trima që dhanë jetë për atdhe, aty është Mëma Greqi!”

Kjo parullë është thelbi i lëvizjeve të vjetra nacionaliste, ekstremiste pan-helene që luftojnë për Greqinë e Madhe dhe që mbahen ende gjallë, nga çdo qeveri greke pavarësisht ngjyrës dhe stofit evropian që vesh. Dhe më shumë se me këdo, e kanë me Shqipërinë.

Aktualisht, ndërkohë që politika shqiptare po kacafytet këtu brenda për Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm dhe Tahirin, në Athinë ka plasur entuziazmi “për shtyrjen përpara të axhendës”.

Një rezume e shkurtër, për çfarë po ndodh nën rrogoz

Nëpërmjet një vendimi që i referohet detyrimeve të ligjit nr. 10256 të vitit 2010, qeveria Berisha në atë kohë njohu vetëm dy vendvarrime për të rënët në luftën italo-greke; në Këlcyrë dhe në Bularat të Gjirokastrës. Të gjithëve ju kujtohet se atëherë pala greke bëri presion të madh, që varreza të ushtarëve grekë të ketë në Vlorë dhe në zona të tjera në Jug-Lindje të vendit, me kryeqendër Korçën. Kjo kërkesë u hodh poshtë duke u quajtur e panegociueshme dhe kështu ka qenë deri vonë, edhe nga qeveria Rama.

Pavarësisht nga ulje ngritjet e marrëdhënieve, ky ka qenë një nga kushtet kryesore që ka vendosur gati çdo qeveri greke në bisedimet me vendin tone. Kurse në takimin e fundit të Kretës mes ministrave të Jashtëm Ditmir Bushati dhe Nikos Kotsias ishte pika e parë, në një listë të gjatë çështjesh që “papritur” duhet të zgjidhen shpejt e shpejt.

Pikërisht më datë 13 Dhjetor të këtij viti nisi vjelja e frutave të parë të takimit ende jo transparent të Kretës; Qeveria Rama merr një vendim për varrezat e ushtarëve grek, që në pamje të parë duket absurd.

Themi absurd, sepse Rama ka miratuar vendimin për ndërtimin e varrezave të reja të ushtarakëve grekë të vrarë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, duke ju referuar pikërisht atij të qeverisë Berisha të vitit 2010 dhe më pas në 2012-ën. Por duke e tejkaluar ndjeshëm!

Cila është loja, që ka bërë Rama, me një vendim dhe ligj të vjetër?

Vendimin “i ri” i modifikuar, në fakt është një “Kartë e Bardhë” mbi të cilën pala greke mund të shkruajnë çfarë të dojë. Kjo sepse aty nuk përcaktohet fare ndonjë numër varrezash të ushtarëve grek që do të ndërtohen dhe as vendet ku do të ngrihen ato. Edhe më të dyshimtë këtë vendim e bën urdhri në fund të tij: “Ngarkohen prefektët e qarqeve ku do të zhvillohen punimet, për zbatimin e këtij vendimi”.

Pra është e qartë, që do të kemi më shumë se një varrezë të re të ushtarëve grekë në disa qarqe, brenda territorit tonë. Por më e rënda është se Rama që tashmë e ka bërë rrugë, edhe këtë herë për një çështje delikate me sensibilitet kombëtar është duke shkelur haptas ligjin.

Nëse sot pala shqiptare do t’i rikthehej dhe qëndronte strikt ligjit nr. 10256, ajo vetëm do të duhej t`u kujtonte grekëve se prej kohësh janë ndërtuar varrezat e premtuara dhe këtu çështja duhej të konsiderohej e mbyllur për Shqipërinë. Aq më tepër që Traktatit të Miqësisë të vitit 1996 mbi të cilin kanë dalë ligji dhe vendimet e qeverisë Berisha, sipas asaj që deklaroi vetë Kotsias në takimin e fundit me komisionierin Hann, i ka mbaruar afati.

Kreta ose 48 orët e një pazari të fshehtë, që po bëhet fakt i kryer

Në datat 11 dhe 12 Nëntor, në ishullin e Kretës u mbajt një takim i gjatë “kokë më kokë” mes Ministrit të Jashtë të Shqipërisë Ditmir Bushati dhe atij grek Nikos Kotzias, për të cilin edhe sot pas më shumë se një muaji ka pak, ose aspak transparencë.

Athina zyrtare, jo zyrtarisht, shkel syrin dhe thotë se “Kreta” u zhvillua me bekimin e amerikanëve; Rama ndihet si një çunak i ri që ka fituar dashurinë e mohuar të një zonje të rënë por me përvojë në shtrat, si Brukseli.

Në përfundim të këtij takimi “misterioz”, Bushati hodhi valle i gëzuar përpara kamerave, Kotsiasi shkëlqente nga kënaqësia, kurse Rama në Tiranë i mburrej duke i tundur gishtin opozitës, për heqjen e çdo pengese për Shqipërinë drejt hapjes së negociatave me BE-në, së shpejti.

Pra të gjithë, të lumtur e të gëzuar!

Por në kurriz të kujt, çfarë ishte marrë dhe çfarë ishte lëshuar nga Shqipëria që Athina zyrtare papritur ndali kërcënimet ndaj Ramës, për një veto të mundshme në Bruksel, kundër dritës jeshile për hapjen e negociatave?!

Ndërkohë që opozita dhe media greke i kërkonte ministrit Kotsias detaje nga takimi i Kretës, ai ju “përgjigjej” vetëm me një buzëqeshje vetëkënaqësie dhe shkurt:

“E konsideroj të paktën të mefshtë faktin që disa politikanë të opozitës kërkojnë para se të nisim një negociatë të flasim në publik, po në publik për propozimet dhe të rrëfejmë taktikën që do të ndjekim. Të njëjtën gjë bënë edhe në rastin e FYROM apo të Qipros. Ndoshta u mungon eksperienca e negociatave reale dhe kërkojnë të shpalosim tek të tretë strategjinë tonë negociatore, para kohe”.

Fiks, stil grek!

Por nëse Kotsias ishte në të drejtën e vet dhe në interes të kauzave nacionaliste të Greqisë “me taktikën” e tij, çfarë arsye e shtyu ministrin tonë Bushati këtu në Tiranë për të refuzuar të bëjë transparent atë takim që e kreu në emër të Shqipërisë dhe jo të Ramës dhe Rilindjes?!

Nëse Greqia e mban “marrëveshjen” të fshehtë nga frika e “të tretëve” që mund t`u prishin punë, po qeveria Rama përse funksionon në mënyrë masonike për çështje madhore kombëtare?!

Nga ana tjetër opozita e zhytur kokë e këmbë në vlagën e çështjes Tahiri dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohëshëm, duke besuar me naivitet se “ky është fundi” i Ramës, nuk bëri asnjë presion për këtë çështje. Në datën 13 Nëntor nëpërmjet deputetes Klajda Gjosha, LSI kërkoi një dëgjesë në parlament me ministrin Bushati, pikërisht për të mësuar prej tij se çfarë ishte biseduar në Kretë. Por kjo interpelancë nuk u krye kurrë dhe opozita “harroi”, që të rriste presionin.

Edi Rama, e ka pasur gjithmonë një plan

Edi Rama ndërkohë e kishte të detajuar një plan, për të sfumuar te ndërkombëtarët dhe veçanërisht në Bruksel, impaktin e asaj që kishte bërë me kanabizimin e vendit dhe transferuar “në kohën e shkuar”, edhe zullumet e tjera.

Tashmë po duket qartë edhe nga retorika e kryeministrit, që sa herë i kujtojnë drogën, Tahirin dhe së fundmi kapjen e kryeprokurorisë; e shmang shënjestrën, me temën madhore të hapjen së shpejtë të negociatave, duke shtuar plot mburrje, se qeveria e tij është në rrugët të mbarë për këtë gjë, pengesa nuk ka më.

Pra synimi është që kjo kauzë (të cilën në fakt e do dhe e ndjek çdo forcë politike dhe çdo shqiptar), të prevalojë mbi çështjen e drogës, korrupsionit, vjedhjen e votave dhe gjithë zullumeve të tjera kriminale, që ka bërë dhe vazhdon Rilindja në qeverisje.

Këtë hall të madh të Edi Ramës, duket se Greqia e ka kuptuar qartë dhe prandaj po e shfrytëzon në maksimum, duke marrë brenda një kohe të shkurtër, çfarë nuk e ka arritur dot as kur vendi ka qenë në pozita teje të dobëta, gjatë këtyre 27 viteve pluralizëm.

Ja çfarë thotë jo pa vetëkënaqësi Nikos Kotsias në intervistën e 4 Dhjetorit pas takimit me presidentin Erdogan, i pyetur nga gazetarët se a ekzistojnë shenja ndryshimi në qëndrimin e qeverisë Rama, ndaj Athinës zyrtare:

“Kam vënë re se është bërë e qartë, që perspektiva europiane e vendit është më e rëndësishme sesa çështje të tjera. Lexova dhe tekstet e fundit të tij (Edi Ramës) që flasin për zhvillimin e një marrëdhënie strategjike Greqi¬-Shqipëri”.

Vini re me kujdes, se çfarë ka vënë re Kotsias te Tirana e sotme zyrtare dhe veçanërisht te Edi Rama; Perspektiva evropiane është më e rëndësishme, sesa çështjet e tjera…

Ministri grek natyrisht që nuk e ka fjalën për “çështje të tjera” brenda vendit tonë, por pikërisht për ato që qëndrojnë mes dy shteteve për dekada të tëra.

Kotsias u ka thënë medieve greke nën rreshta, se Rama edhe si pasojë e situatës së keqe që ka brenda vendit pas skandaleve që ka prodhuar vetë, i është dorëzuar shantazhit grek dhe është i gatshëm të lëshojë çfarë ti kërkojnë; I duhet urgjentisht, “perspektiva evropiane”, prandaj edhe vendimi i fundit për varrezat greke është një “Carta Bianka”.

Deri këtu, dakord! Të gjithë e duam avancimin drejt BE-së, por shtrohet një pyetje madhore; Deri ku mund të arrijë Edi Rama dhe çfarë është i gatshëm të lëshojë ai në emër të Shqipërisë, për “të blerë” viston e grekëve në Bruksel?

Nëse Bullgarinë “e kopsiti” me ligjin për minoritet, po Greqisë me çfarë ja mbylli gojën?!

A është katandisur deri në atë pikë Edi Rama, sa për të shpëtuar vetveten dhe pushtetin që po i rrezikohet nga skandalet e shumta që i ka ngjizur vetë me shpejtësi, të shesë interesa të Shqipërisë te grekët apo kushdo tjetër?

Omerta e Kretës, po zbërthehet pak nga pak. Por çështja është të dimë se deri ku kanë shkuar dhe çfarë do t`i thonë shqiptarëve kur gjithçka të zbardhet, siç po ndodh me çështjen e varrezave greke, që sado të dëshiruara të jenë nga grekët nuk mund të zgjidhin dot përfundimisht hallet e mbijetesës në pushtet, të Edi Ramës.

Apo e kanë skemën gati; Edhe Berisha me Metën “shitën” detin…

Lini një koment