Kategori
Uncategorized

Nga “LOJA ME TELEFON” I KOZETA MAMAQIT.

Nga “LOJA ME TELEFON” I KOZETA MAMAQIT.

Atё tё dielё do tё shkonim nё Ballsh, nё burg, te babai, pёr ta takuar. Tё shtunёn pёrgatitёm ushqimet. Bёmё byrekun, njё kek, njё pulё tё pjekur dhe ca kurabie. Blemё vaj e sheqer. Cigaret, gjithashtu, qё pёr babanё, ishin mё tё rёndёsishmet.
Ishte gusht dhe fёmijёt, sipas pёrcaktimit tё vendimit gjyqёsor nga ndarja e prindёrve, kishin ardhur te ne nё Selenicё, ku ishim tё internuar.
Ne shkonim nё Ballsh mё kёmbё. Ngarkonim mbi kurriz ushqimet dhe ecnim si alpinistёt. Niseshim herёt fare. Na duheshin katёr orё tё shkonim e katёr e gjysёm tё ktheheshim. Hera- herёs e bёnim edhe tri orё e gjysёm me katёr, varej nga ngarkesa apo edhe nga gjendja fizike. Prisnim edhe njeri- tjetrin. Nё burgun e Ballshit shkonin edhe familje tё tjera tё dёnuarish nё Selenicё, qё kishin tё afёrm nё atё burg. Qёllonte qё shkonim sё bashku, apo edhe vetёm, me vёllain apo motrёn.
Fёmijёt kishin shfaqur dёshirёn tё vinin me ne tё nesёrmen pёr tё takuar gjyshin. E gjykuam dhe dhamё aprovimin. Ishte goxha rrugё, ndaj u thamё tё vegjёlve se duhet ta mendonin mirё. Djali i vogёl ishte nё klasёn e tretё, ndёrsa i madhi nё tё pestёn.
– Do tё vijmё!- thanё.
U tha e u bё. Tё nesёrmen, qё pa gdhirё, i zgjuam fёmijёt dhe i bёmё gati. I vogli mori dhe violinёn me vete. Kishte dёshirё t’i tregonte gjyshit aftёsitё nё veglёn, qё po studionte. Nuk ia prishёm.
U nisёm. Mamaja dhe gjyshja ( stёrgjyshja e fёmijёve tё mij) na pёrcollёn gjer te porta.
Ne, ngarkuar me ushqimet dhe dёshirёn pёr t’u takuar me babanё, qё po vuante nё burg, e lamё qytezёn e minatorёve tё bitumit pas dhe u futёm nё pyll. Ishim vetё i pestё: unё, motra, vёllai dhe dy fёmijёt. Ecnim mespёrmes pyllit, nё drejtim tё lumit, Vjosёs, qё kalonte nё fund tё tij. Atje ishte njё gjemi, qё transportonte njerёzit nga njera anё e lumit nё tjetrёn, apo anasjelltas. Lumi ndante rrethin e Vlorёs me atё tё Fierit. Zbritёm matanё, pasi gjemixhiu, tёrhoqi gjer nё fund kavon e çeliktё.
Kishim pёr tё kaluar disa kodra. “A do tё mundnin dot fёmijёt?”, veç kёtё hall kishim. Ecnim, por, natyrisht, jo si herёt e tjera. Me fёmijёt rruga do tё na zgjaste mё shumё.
Ecnim. Ecnim. Ecnim. Ndalonim, herё pёr t’u shplodhur, herё , qё fёmijёt tё hanin apo pinin diçka, herё qё vёllai tё ndizte ndonjё duhan. Violina e vogёl kalonte sa te dora e njerit, tek e trjetrit djalё. I madhi ndihmonte tё voglin. Ecnim. Ecnim. Ecnim… U futёm mes koçimareve, qё kishin pjekur frytet e bukur. U ndalёm edhe atje e hёngrёm ca prej tyre. Fёmijёt i pёlqenin ato. Ecnim. Puse nafte. Ecnim mes zonёs naftёmbajtёse, ku ishte edhe pika mё e lartё e ecjes. Mё pas filloi njё dishezё e lehtё. Po zbrisnim nё krahun tjetёr tё kodrёs. Ishte kodra e fundit, pas sё cilёs na u shfaq Ballshi. Zbritёm pas spitalit tё qytetit. Ndaluam te çezma nё rrugё, ku freskoheshim zakonisht, sa herё qё shkonim nё takim. Ecёm pёrsёri, duke ndjekur me sy kodrёn pёrballё, ku ishin kapanonet e tё burgosurve. Mespёrmes qytetit, zbritёm poshtё, te uzina e pёrpunimit tё naftёs. E lamё pas edhe atё objekt. U shfaq kampi ( kёshtu i quanin burgjet). Ishim pranё. Njё kodёr e butё dhe postblloku. Njё ushtar me automatik rrinte nё urёn e vrojtimit. Poshtё, trari me ushtarё tё tjerё. Mё tej, vendi ku priteshin nё takim tё afёrmit e tё burgosurve. U ulёm nё stolat e drunjtё. Ishte hera e parё qё vinin fёmijёt me ne. Babai nuk e dinte. Ia bёmё surprizё.
Nё radhё, sa tё na thёrrisnin emrin. Kishte edhe plot pritёs tё tjerё. Fёmijёt e kishin pёrballuar gjithatё rrugё. Mё vinte keq pёr ta, por isha e lumtur qё do tё takoheshin me gjyshin, qё kushedi sa e kishte marё malli pёr nipёrit e vet. Pritje. Ne ishim mёsuar e nuk na bёnte pёrshtypje. Djemtё ndryshe, dukeshin mё tё paduruar. Sidoqoftё, e dinin se duhet tё tregoheshin “tё urtё”. E donte puna dhe vendi.
Na thirrёn. U çuam tё gjithё pёr tё shkuar mё pranё kapanoneve. Mё parё kontrolluan ushqimet, duke i hapur e shpuar me thikё e pirunj. I bёnin tё gjitha fёrtele, nga frika se mos futej ndonjё gjё e ndaluar brenda burgut. Si e mbaruan edhe atё proçedurё, na shoqёruan nё vendin e caktuar. Njё barake e vogёl. Hymё. Pёrtej nesh hekura. Pritёm. Pas pak… erdhi…ai…babai…, gjyshi…S’kish mbetur as gjysma e atij qё kish qenё. Hodha sytё nga djemtё. Pashё qё ishin tronditur. Kishin nё pёrfytyrim njё tjetёr imazh.
– Putheni gjyshin!- i pёrmenda dhe i ndihmova tё afroheshin te kuadrati i çelur mes hekurave. Ata u takuan tё parёt. Pas tyre, ne.
Babai gёzohej shumё, sa herё i shkonim nё takim, por s’u mbajt dot e mjekra iu drodh, kur pa fёmijёt. Dy vite nё hetuesi, pa asnjё lajm nga familja…Kishin kaluar edhe disa vite nё burg. I kishte lёnё tё vegjёl e tani i shikonte goxha tё rritur ata.
Biseda mes nesh zhvillohej nёn vёzhgimin e ushtarit kёndej dhe policit nga krahu tjetёr.
– Gjyshi, unё kam mёsuar t’i bie violinёs. Ja, do tё mё dёgjosh?- tha i vogli dhe filloi tё hapte kapakun e mbajtёses sё instrumentit.
Rregulloi violinёn nё pozicion. Kontrolloi akordimin dhe filloi tё lёshonte tingujt e stinёve tё Vivaldit.
Gjyshi e ndiqte me vёmendje e kёnaqёsi. Vivaldi nё burg. Tingujt pёrhapeshin. I dёgjonte gjyshi. I dёgjonim ne. I dёgjonin vallё edhe tё tjerёt? Barakja e takimeve ishte pranё kapanoneve. Ku ta dish, ndofta edhe tё tjerё tё dёnuar po e shijonin atё muzikё magjike. Mbas pranverёs, verёs, vjeshtёs dhe dimrit, harku i tё voglit u shkёput nga violina. Ai e kishte mbaruar koncertin nё burg. Koncert pёr gjyshin.
Babait i ishin mbushur sytё e kaltёrt si gurё akuamarina.
– Rrofsh, moj bijё!- ma shtove jetёn.
– Bab- i thashё- zemёr, falendero djemtё. Ata ngulёn kёmbё tё vinin sot kёtu. Rrugёn e gjatё e pёrballuan pёr bukuri. I pati marrё malli fort pёr Ariun e madh ( kur lozte gjyshi me nipёrit ai bёhej Ariu i madh, ndёrsa ata bёheshin Arinjtё e vegjёl).
Gjyshi zgjati duart nё tё çarёn e vogёl mes hekurave dhe u tha:
– Hajdeni te Ariu i madh!
Fёmijёt u afruan. Gjyshi i pёrkёdheli mbi krye e u tha:
– Kёtu nuk lozim dot, por unё ju dua shumё dhe ju mendoj pёrherё. Kujtoj edhe lodrat qё kemi bёrё sёbashku. Dua t’iu them edhe diçka…ai heshti njё moment dhe shtoi:- Mbajeni kokёn pёrherё lart! Gjyshi nuk ka bёrё asgjё tё keqe.
Ishte takimi mё i bukur e njёkohёsisht mё i trishtuari nga takimet nё burg.
Gjyshi nuk mundi t’i shikonte mё kurrё nipёrit e tij. Mbas ca kohёsh, ai do tё mbyllte sytё pёrgjithmonё atje, nё burg, nё njerin nga “kampet” e shumtё tё diktaturёs.

Lini një koment