Teksa e gjithë bota është përfshirë në hulumtime nëse mishi i kalbur brazilian ka përfshirë vendet e tyre, shihet se Shqipëria vitin e kaluar 25 për qind të importeve të mishit i pati nga Brazili.Importet e mishit dhe të ngrënshmeve të tij shënuar 38 mijë e 851 tonë nga të cilat 9701 tonë ishin importe nga Brazili, i cili kryeson listën vendeve nga ku Shqipëria importon mish.
Importet e mishit nga Brazili kanë pësuar luhatje nga viti në vit, por gjatë vitit 2016 ato pësuan një rritje prej 23 për qind. Në vitin 2010 mishi brazilian i importuar në vendin tonë arriti në 12 mijë e 395 tonë dhe më pas në vitin 2011 shënoi një rënie me 17 për qind.
Rënia vijoi përgjatë viteve e 2012 dhe 2013 me ritme dyshifrore për rinisur sërish rritjen me rreth 80 për qind më vitin 2014. Në vitin 2015 është vënë re një ulje e importeve të mishit nga Brazili me 33 për qind, por ato u kompensuan me 2016.
Më herët gjate javës se kaluar autoritet braziliane kanë pezulluar 33 zyrtarë të lartë të qeverisë pas një investigimi i cili ka gjetur se ata kanë qenë të lidhur me prodhuesit e mëdhenj të mishit dhe vend është shitur një sasi e madhe pulash dhe mishi i kalbur.
Dhjetëra impiante të përpunimit të mishit atje janë mbyllur dhe vendi është përfshirë nga një kontroll masiv për të parandaluar konsumin e mëtejshëm të tij.
Sakaq e gjithë bota është përfshirë në panik pasi Brazili është një nga prodhuesit më të mëdhenj të mishit në botë dhe eksporton një sasi të madhe të tij në Europe.
Kompanitë e mishit në Brazil kishin arritur të shisnin produktet e skaduara duke korruptuar zyrtarët e dy partive kryesore në vend.
Në raport-progresin 2015 të Bashkimit Europian për Shqipërinë konstatohet se nuk janë ndërmarrë ende procedurat e brendshme dhe planet operative të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Nuk janë bërë hapa për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe institucional për sistemin e sigurisë ushqimore.
AKU-ja është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore në Shqipëri, i cili është i domosdoshëm për të përmbushur kërkesat ligjore, ekonomike dhe sociale që rrjedhin përkatësisht nga zbatimi i MSA-së (Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit).
Mirëpo struktura relativisht e vogël e bën të pamundur inspektimin e plotë të të gjithë subjekteve, të cilat janë të shumta në numër, pohon drejtori i institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, Taulant Kalo, shkruan ‘Monitor’.
Europa është cilësuar si vend që krijon barriera në lidhje me importin e produkteve ushqimore (sidomos për grupin e ushqimeve me prejardhje shtazore), duke e argumentuar me faktin se mbron konsumatorin vendas.
