
Jo vetëm simpatizantë të Partisë Demokratike apo partive të tjera aleate, por edhe akademikë, intelektualë, aktorë e qytetarë të ndryshëm po sensibilizohen me protestën për shkak se kanë humbur besimin tek Qeveria.
Akademiku Artan Fuga është njëri prej tyre. Ndryshe nga nipi i tij Endri Fuga, i cili është drejtori i mediave në Kryeministri apo i njohur ndryshe si “njeriu që bën zap” Kryeministrin Edi Rama, akademiku Artan Fuga është fund e krye kundër Qeverisë.
Statusi i tij i fundit në Facebook, i argumentuar tërësisht me fakte konkrete, shtjellon përse kjo qeveri ka humbur kredibilitetin. Sipas tij, protesta e nisur nga Partia Demokratike ka marrë mbështetje të madhe popullore për shkak se qytetarët nuk kanë më besim tek Kryeministri Edi Rama dhe të gjitha institucionet kanë rënë.
Prezenca e madhe popullore në protestën e opozitës është një tregues i qartë, arsyeton akademiku Fuga, se e kanë humbur besimin tek të gjithë institucionet e shtetit shqiptar.
Statusi në Facebook i Akademikut Artan Fuga:
Në çadër kur të ze shtëpia brenda!
——–
Protesta e drejtuar nga Lulzim Basha, me pjesëmarrje shumë të gjërë popullore, kërkon qeveri teknike.
Këtu nuk është puna te qeveria, thjesht, këtu kanë rënë institucionet!
Mirëpo te ne kanë pësuar lëkundje të forta tërmeti të gjitha institucionet.
Populli ka pas dalë në çadra edhe në kohën e monizmit kur binin tërmete sepse i zinte shtëpia brenda.
Institucionet tona kanë pësuar krrisje të thella dhe populli nuk iu beson më.
Kush do sondazhet më të fundit, mund t’ja jap!
Qeveria? Nuk merret vesh nëse dy partitë që e drejtojnë janë në aleancë apo në opozitë me njera tjetrën!
Drejtësia? Nuk merret vesh si i trajton politika në fuqi prokurorët dhe gjykatësit, si kriminelë, apo si ata që luftojnë kriminelët?
Parlamenti? Poqese deputetët e opozitës nuk shkojnë në punime, çfarë mbetet që andej?
Ca ministri, vetëm emrin kanë të tillë sepse në sektorin e tyre mbretëron ,korrupsioni, amullia, kaosi!
Deputetët? E kush beson se i ka zgjedhur populli kur ata thjesht janë numra në lista kryetarësh partie?
Partitë? Cfarë partish kur nuk bëhen zgjedhje?
Media? Politika i do si seksionet e agjit-propit të vitit 1936!
Po filma kemi mo?
Po opera kemi mo?
Po dokumentarë kemi mo?
Po teatro lokale kemi mo?
Po muzeume kemi mo?
Po arkitekturë kemi mo?
Këtu ranë komunat sepse gjoja u bë reformë territoriale, dhe bujqësia u kthye në parcelë kanabisi!
Po kërkim shkencor kemi mo!
Po, çfarë kemi mo?
Kemi ngel lakuriq në mes të dimrit!
Kemi ndeshje mes bunkerit te ish kafe Krimeja dhe çadrës te ish Komiteti Qendror!
O pika neve thuaj!
