
Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, ka reaguar pas lajmeve të publikuara në media, lidhur me të shkuarën e tij.
Përmes një shkrimi në Facebook, Kapri, sqaron se ai është një figurë e pastër dhe i papërlyer, duke shtuar se gjatë kohës që ai ishte kandidat për kreun e Bashkisë së Pogradecit, ka qenë në fuqi dhe ligji i dekriminalizimit.
Ndërkohë thekson se ai është i zgjedhur nga populli i Pogradecit për detyrën që ka dhe është një figurë politike që i përket PD-së, dhe nuk ka qenë asnjëherë në të shkuarën pjesë e LSI-së.
Ja postimi i Plotë i Kaprit:
‘Dua të komunikoj me publikun, në lidhje me një lajm të pavërtetë që po shpërndahet në media pa u ndalur, edhe pse nuk ka asnjë fakt, dhe asnjë bazë ku të qëndrojë.
Unë si i zgjedhur në këtë detyrë të lartë, jam i hapur dhe respektoj çdo ligj të vendit, dhe madje e vlerësoj shumë atë të dekriminalizimit. Kur kam vendosur të kandidoj për kryetar bashkie në Pogradec, ligji ka qenë në fuqi, dhe sigurisht nuk ka qenë pengesë për mua. Jam i hapur për çdo verifikim ndërkohë që KQZ ka konfirmuar vërtetësinë e çdo të fakti në formular. Nuk kam pasur asnjë problem në të kaluarën time, dhe me besim të madh jam se s’do kem as në vazhdim, sepse e kam vendosur të mos bëhem asnjë ditë pjesë e asnjë krimi. Ajo për të cilën nuk jam i hapur, janë mashtrimet, trillimet dhe intrigat politike. Unë kam fituar zgjedhjet si kandidat i Partisë Demokratike dhe politikisht i përkas kësaj force politike. Nuk kam qenë kurrë pjesë e LSI. Redaksia e lajmeve në Top Channel ka reflektuar duke korrigjuar lajmin. Qytetarët e Pogradecit sot kanë nevojë për punë, për zhvillim, për mirëqenie. Përpara kemi protestën e datës 18 Shkurt ndaj është detyra e të gjithëve ne dhe çdo qytetari të protestojmë kundër padrejtësive, kriminelëve të vërtetë në pushtet, varfërisë dhe kaosit që po përjeton sot vendi’.