Kategori
Uncategorized

Kush duhet të dalë me 18 shkurt në protestë!

Kush duhet të dalë me 18 shkurt në protestë!

Nga Hysni Gurra /

Populli rumun ishte një hap përpara popullit shqiptar në rrëzimin e diktaturës, ashtu është edhe sot. Qindra mijëra protestues kanë pushtuar rrugët e Bukureshtit kundër dekretit qeveritar që parashikon amnisti të pjesshme për zyrtarët e korruptuar. Protestuesit rumun kanë  deklaruar se nuk tërhiqen më edhe pse qeveria u tërhoq, pra, tani kërkojnë largimin e qeverisë. Një rrugë e dy punë, i thotë populli ynë kësaj. Por, për protesta kundër qeverisë nuk është se ia themi shumë në fakt. Opozita shqiptare ka thirrur një protestë më datë 18 shkurt, nën shembullin e rumunëve. Edhe pse shembujt që rendit, për shumëkënd, nuk ngjasojnë.

Qëllimi i opozitës është të vijë në pushtet dhe kjo nuk është ndonjë e panjohur e madhe.

A duhet të vijë kjo opozitë në pushtet? Mund të pyesin shumë njerëz.

Unë mendoj se ka një mijë argumente pse kjo opozitë duhet të vijë në pushtet ashtu sikurse ka një mijë të tjera që nuk duhet të vijë.

Këto lloj pyetjesh dhe kompleksin për t’i bërë apo jo këto pyetje e kanë përgjithësisht militantët e partive, unë për vete nuk e kam. Në kushtet kur në Shqipëri nuk ekzistojnë sindikatat apo kur shoqëria civile financohet nga buxheti i shtetit (ka një agjensi shtetërore e cila shpërndan fondet për shoqërinë civile, për ata që nuk e dinë) detyra për të thirrur protesta i takon opozitës dhe qytetarët e ndershëm, të cilët përbëjnë shumicën, është t’i përgjigjen opozitës.

Qytetarët duhet të shkojnë në protestë në radhë të parë për të “frikësuar” opozitën.

Çfarë dua të them me këtë?

Nëse protesta e 18 shkurtit arrin në përmasa sa çereku i protestave në Rumani, opozita duhet të ndihet e përgatitur që nesër në pushtet, nëse nuk u përmbahet premtimeve, jo të mendojë për dy mandate qeverisjeje, por as një mos ta mbyllë plotësisht.

Shumë njerëz, kur shohin deputetët, ish zyrtarët e djeshëm që akoma nuk u ka dalë velania nga pushteti, thonë: – Po pse të protestoj unë, që të majmen këta?!

Kjo është një shprehi që deri diku qëndron.

Por, një tjetër pyetje mund të shtrohet: – A mendon kush se kjo qeveri nëse mandatohet edhe për një katër vjeçar tjetër do të punojë më mirë?

Përgjigjen e kësaj pyetje mund ta japë edhe një rilindas i thekur se këta veçse do t’i shtojnë zullumet, kurrsesi nuk mendohet se do të punojnë më mirë.

Mos dalin në protestë ata që jetojnë sot më mirë se dje!

Në protestë të dalin ata që pritën uljen e çmimit të energjisë, i cili u rrit!

Në protestë të dalin ata të cilët pritën uljen e çmimit të ushqimeve të shportës, të cilat u rritën!

Në protestë  të dalin ata të cilët pritën se çmimi i naftë dhe benzinës do të ulej,  jo vetëm që nuk u ul çmimi i tyre, por u rrit edhe ai i gazit!

Në protestë të dalin ata të cilët prisnin arsim më cilësor dhe me çmime të përballueshme nga të gjithë, por nuk ndodhi kjo!

Në protestë të dalin punëtorët e fasonerisë (skllevërit e kohëve moderne)!

Në protestë të dalin bujqit dhe blegtorët, të cilët prisnin çmim inputesh bujqësore të ulura, prisnin çmimin e naftës të ulur, prisnin farëra dhe fidane më cilësore, prisnin ujin në parcelë, prisnin mekanikë bujqësore, prisnin fonde më shumë, dhe nuk morën as njërën as tjetrën!

Në protestë të dalin ata të cilët votuan për të patur një Shqipëri pa plehra dhe sot e kanë më të ndotur se dje!

Opozita ka gabimet e saj, por për të gjitha këto sa më lart rendita, nuk është fajtore opozita, është pushteti.  Ky pushtet premtoi se do t’i realizonte këto premtime, gënjeu. Ka vetëm një njeri në Shqipëri, i cili bën fajtore opozitën për të gjitha këto, dhe ai është kryeministri i vendit. Edhe ky është një premtim i pambajtur se pati premtuar se qeveria do të ketë fjalë punën dhe opozita ka punë fjalën, nuk e mbajti as këtë premtim.

Shqiptarët duhet të dalin masivisht në këtë protestë për të vënë para përgjegjësisë pushtetin dhe për të frikësuar opozitën.

Nesër, nëse opozita e sotme vjen në pushtet dhe sillet si qeveria e sotme, shqiptarët sërish duhet të ngrihen dhe t’i tregojnë vendin, në mesin e mandatit po qe e nevojshme.

Kjo është frika e cila duhet t’i përcillet opozitës në 18 shkurt.

Një rrugë e dy punë!

Lini një koment