LEDINA ALIOLLI*
Afro 40 vite të jetës sime në Korçë, të rrallë kanë qenë trishtimet si ai që më mbërtheu, kur kalova disa ditë më parë pranë rrethimit me hekura të bibliotekës “Thimi Mitko”. Kjo ndjesi ka shoqëruar çdo qytetar të Korçës, gjithë këto kohë, si një protestë e thellë ndaj shpërnguljes absurde, antiligjore dhe pa asnjë informacion publik të bibliotekës “Thimi Mitko”. Biblioteka është një pasuri që u përket në radhë të parë korçarëve, është simbolikë e identitetit social kulturor të qytetit tonë.
Biblioteka “Thimi Mitko”, e ndërtuar në fillim të viteve ’70, ofronte për lexuesit rreth 300 mijë vëllime, pa përfshirë koleksionet e revistave dhe gazetave, ku 20 mijë vëllime i përkisnin një moshe mbi 150-vjeçare. Në fillim të viteve ’90 bibliotekës iu dhuruan kolana të kryeveprave të letërsisë britanike, mes të cilave dhe në gjuhën angleze, duke e bërë edhe më tërheqës fondin e titujve për lexuesit korçarë.
Godina e Bibliotekës aktuale vjen si produkt i një pune të palodhur me shumë ambicie të arkitektit të mirënjohur, që ka bërë emër në artin e ndërtesave, Petraq Kolevica. Ajo ishte e ndërtuar me materiale të përshtatshme për konservimin e librave, parametrave për ruajtjen nga lagështira dhe ekspozimin ndaj dritës dhe me hapësira të përshtatshme për leximin nga kategori të ndryshme. Por të gjithë këta tregues të një biblioteke historike në cilësi dhe sasi, nuk u morën në konsideratë nga alergjikët e librit, nga ata korçarë të vegjël në mendësi, por të babëzitur në pasuri, që nuk duan më t’ia dinë për qytetin e korçarëve, i cili tërheq çdo shqiptar me bukuritë dhe autenticitetin e vet.
Janë rilindasit e varfërisë dhe të së keqes, për të cilët një bibliotekë nuk përfaqëson tempullin e dijes, kulturës, shtëpinë e mendimtarëve, por thjesht një ndërtesë çiban që duhet shkulur, sepse pengon tenderët e mirëqenies, e luksit të zyrave dhe një burimi shumë të mirë korrupsioni për t’i majmur edhe më tej ata. Nisma e ndërmarrë nga bashkia dhe e mbështetur nga korçarët në qeveri për të spostuar bibliotekën, e që në vend të saj të vijnë kolltukët e bashkiakëve, ka rrënjët te përçudnimi i qytetit, arkitekturës së tij unike, frymës së Korçës, që është simbol i arsimit, i civilizimit dhe i shumë vlerave kombëtare.
Synohet degradimi dhe harresa e kulturave lokale, që patën një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e identitetit tonë kombëtar. Biblioteka me emrin e folkloristit, rilindasit kombëtar, Thimi Mitko, ishte një fole e mendimit, një shtëpi e qëndrimeve patriote dhe frymëzimit që u përjetësua në platformën për Shqipërinë shtet. Degdisja e mbi 300 mijë librave dhe vendosja e tyre kuturu vjen si një nga aktet më të papërgjegjshme e më të pabesë jo vetëm ndaj vlerave kulturore dhe intelektualëve korçarë, por ndaj gjithë elitës së kombit, njerëzve të letrave e të artit, që kanë kontributet e tyre në këtë tempull. Prej kohësh, edhe kjo nismë korruptive në shprishjen e cilësive të Korçës sonë shoqërohet nga pikëpyetje të mëdha.
1- Sa është kosto e dëmtimit të librave dhe kujtesës kulturore nga zhvendosja e bibliotekës?
2- Cilat janë kushtet e strehimit të ri të librave të bibliotekës?
3- Pse nuk u konsultua asnjëherë në publik dhe me ekspertët e intelektualët e qytetit kjo lëvizje e korrupsionit të radhës?
4- Pse nuk publikohen shkresat dhe modalitetet e këtij aksioni rilindës që të vjen si deja vu e “revolucionit kulturor maoist” të të rinjve komunistë, heretikë ndaj çdo libri të vjetër e të ri?
5- A do të ketë bibliotekën e duhur Korça e shkollës së parë zyrtare shqipe, Korça e rilindasve iluministë? Ka shumë pak gjasë që rilindja urbane e Korçës, me firmë e vulë të treshes Edi RamaNiko Peleshi dhe Sotiraq Filo të japë përgjigje jo vetëm për këto pyetje, por shqetësimit të madh që kanë qytetarët korçarë dhe studentët për këtë shkatërrim që po jeton historia e qytetit.
Rilindja urbane si një tjetërsim i dhunshëm po sjell pasoja të pariparueshme për Korçën tonë, identitetin kulturor dhe të ardhmen e saj. Sipari i shkatërrimit të qytetit u hap me Kullën e shëmtisë, e cila u bë simbol jo vetëm i betonizimit, por edhe i babëzisë qeveritare në nivel lokal e qendror. U shpenzuan miliona euro dhe kulla mbetet modeli i shkatërrimit jo vetëm arkitekturor, por edhe i dritëshkurtësisë se si mund të drejtohet një qytet nga një grup njerëzish të korruptuar.
Bashkia nuk u mjaftua me fasadat korruptive të Pazarit, i cili humbi çdo funksion ekonomik dhe social të Pazarit të Korçës. Pamja që ofron sot Pazari është vetëm portreti i mjerimit dhe krizës që po vuan Korça. Kalldrëmi dhe guri është zëvendësuar nga betoni, sepse betoni është modalitet për korrupsionin e realizuar në mënyrë sa më të shpejtë, të thjeshtë, por me përfitime të mëdha për grupin e qeveritarëve në qendër dhe në nivel lokal.
Mbyllja e bibliotekës “Thimi Mitko” dhe “internimi i saj korruptiv” është një akt që do mbetet gjatë në kujtesën e korçarëve, si turpi i rilindasve që ringjallën urbanizimin uniform të diktaturës. Korça e identitetit kulturor dhe vlerave kombëtare, nuk do të pajtohet kurrë me strategjinë e fasadave dhe betonit. Korça është biblioteka!
*Anëtare e Këshillit Bashkiak të Korçës
Ndajeni këtë me të tjerët:
- Shtype (Hapet në një dritare të re) Shtype
- Share on Pocket (Hapet në një dritare të re) Pocket
- Ndajeni me të tjerë në Reddit-it (Hapet në një dritare të re) Reddit
- Ndajeni me të tjerët në Tumblr (Hapet në një dritare të re) Tumblr
- Ndajeni me të tjerët në Facebook (Hapet në një dritare të re) Facebook
- Ndajeni me të tjerët përmes WhatsApp-i (Hapet në një dritare të re) WhatsApp
- Email a link to a friend (Hapet në një dritare të re) Email
- Më