
Nga Sokol Shameti /Kryeministri Rama arriti sërish të diktojë i pashqetësuar, temën me të cilën do të merren të gjithë këtë javë. Prej muajsh tashmë, skena politike dhe ajo publike në Shqipëri, janë lënë pa luftë nën dominimin e këtij njeriu, i cili si një solist i vetëm ligjëron mbi çështjen tek e cila të tjerët më pas tërhiqen me stil që të humbin kohë duke e debatuar.
Kjo strategji, pak e kuptuar nga opinioni, po vazhdon të funksionojë, duke i garantuar mbijetesën kabinetit të tij të rrethuar nga një pakënaqësi latente popullore. Ajo gjithashtu po i jep qeverisë komoditetin e maskimit të politikave të saj destruktive prapa një perdeje tymi çoroditës e cila shpërndahet me bollëk nga pirotekniku i saj kryesor – kryeministri.
Dje për të kushedisesatën herë, media, portale, blogje, agjenci, analistë, gazetarë, opinionbërës dhe publik i thjeshtë, kullufitën me gjithë grep karremin e hedhur prej kryeministrit i cili ia doli të peshkojë sërish pjesëmarrjen emocionale të të gjithëve brenda një debati të cilit ai ia përcaktoi vetë termat, kushtet dhe formatin. Kryeministri sulmoi dje me tallje dhe arrogancë mediat online, si një shënjestër me probabilitet të lartë për të prodhuar në mos ilaritet, së paku ndjeshmëri solidare midis një grupi komunikuesish publikë me audiencë të madhe: gazetarët e këtij sektori. Kësisoj, hapësira të tëra lajmesh të cilat përndryshe do të mbusheshin me lajme rreth shkatërrimit të Valbonës, hashashit anekënd Shqipërisë, katraurës në arsimin e lartë, dështimit të shëndetësisë, etj, përkundrazi, iu dedikuan debatit nëse media online ishte vërtet aq e kompromentuar sa e paraqiste kryeministri.
Energji gazetarësh e cila normalisht do të shpenzohej për të hetuar ndoshta më me themel krimin në Sharrë, implikimin e kriminelëve në vendimmarrjen publike dhe politike, rrënimin e demokracisë përmes erdoganizimit të partive, etj, u shpenzua për t’i treguar vendin një 52-vjeçari mistrec në krye të qeverisë i cili në vend që t’i shtrohet punës për të cilën paguhet, grindet për kruarjet e kurrizit të botës. E megjithatë, është ndoshta i domosdoshëm një skanim më i ftohtë jo vetëm i lëndës që serviri kryeministri për të fabrikuar një debat nga hiçi, por edhe mënyrës sesi ai e bëri këtë. Do të mjaftonte vetëm një shikim i shpejtë në teknologjinë me të cilën kryeministri ndërtoi këtë inkursion, për të kuptuar se bëhet fjalë për kurrgjë tjetër pos një provokacion. Situata hapet me efektin grafik të një perdeje gjysmë transparente mbi ekran, mbrapa së cilës duket turbull skena ku do të luhet komedia: zyra e madhe, shumëngjyrëshe dhe e zbrazët e kryeministrit. Gjithçka shoqërohet nga tik-taku i një kronometri prej edicioni BBC-je që priret të japë idenë e një ngjarjeje e cila do të vazhdojë nëpër epoka axhendën e vet pavarësisht ç’ndodh në botën përreth. Qentë pra, mund të lehin aty jashtë – tek zyra që shihet në sfond, punohet ditë e natë.
Pas pak dëgjohet tingulli i një kambane, si ajo që thërret grigjën e besimtarëve fanatikë të mblidhen për predikimin e së dielës. Një titër bën të ditur se po fillon “Komunikimi i javës”, a thua bëhet fjalë për një traditë aq të konsoliduar saqë është faji yt që nuk je i familjarizuar me këtë trill të ri kryeministror për ta kthyer një zyrë shteti në një studio inçizimi. Dhe ja ku më në fund, përpara syve të shikuesit që po ha thonjtë nga padurimi, shfaqet edhe “komunikuesi i javës”. Nuk është imami Irfan Salihu nga Prizreni që po komunikon nga Youtube teknikat e rrahjes korrekte të gruas. Është kryeministri i qeverisë shqiptare. Është veshur bukur, pas shpine ka një ekspozitë vetjake pikturash, si dhe një Ismail Qemal bardhezi që e kanë vënë në një pozicion të atillë që të duket sikur gjithçka po ndodh me miratimin e tij. Kryeministri ia nis pa humbur kohë, sepse i kanë thënë se komunikimi duhet të jetë i shkurtër. Po i drejtohet një audience interneti, pra njerëzve që s’kanë as megabajtë e as kohë me shumicë në dispozicion. Pra, shkurt. Më pak se 10 minuta. Një minutë më shumë dhe nëpunësit bankar të ulur tek veranda e lokalit do t’ia sjellin më në fund makiaton, studentes do t’i vijë një notifikejshën fejsbuku që do ta largojë përfare nga kjo video, ndërsa biznesmenin mesoburrë do ta telefonojnë nga zyra e tatimeve. Kohë nuk ka. Por arti i manipulimit është një zeje që kërkon shumë fjalë.
Atij i duhet ta zbrazë brenda një kohe të shkurtër gjithë municionin. Dhe ja e folura e tij, teksa kërkëllin si një tytë mitrolozi që i ka shpëtuar rekrutit nga duart dhe po xhiron në vend duke grirë plumba në të katër anët në ajër, pa adresë. Këtu spikat stonatura e parë. “Komunikimi” duket se është shkruar me në mendje një audiencë lexuesish e jo dëgjuesish. Fjalitë janë të mundimshme, të gjata dhe gjarpërojnë nëpër paranteza që e hallakasin publikun. Narratori e ndjen edhe ai këtë ngërç. Duhet të shesë për akullore të sapobërë një tavë të koklavitur turshish. Duhet të duket sikur po ia pjell mendja në çast figuracionet kadareiane që ai i nxjerr me lehtësi parafabrikati nga goja. Një njohës i mirë i medias megjithatë mund t’ia dallojë bebëzat e syve që i ndjekin tekstin e vendosur përpara në prompterin që përdorin edicionet e lajmeve në TV. Narratori e di që kjo mund të ndodhë, prandaj mundohet ta çorientojë hetuesin me anë të gjesteve anësore. Lëviz shumë, bën mimika të sforcuara bisedore, zgërdhihet pa arsye. Gjithçka që të tërheqë vëmendjen nga zona e rrezikut – sytë që lexojnë rreshtat e vendosur përballë tij.
Ky është ambienti ku luhet pra komedia. Libreti është po aq banal sa edhe një skenar i viteve ’80 “me frymëzim nga ditët që jetojmë”. Referati fillon me një pandehmë: a mos po e mësojmë keq Kosovën me sjelljen tonë të padenjë? Sigurisht, çdo shqiptar që e di çfarë ”malli” i kemi politikanët këndej kufirit e mendon me keqardhje këtë. Dhe kryeministri, edhe ai vetë një kontributor prolifik në banalizimin, kriminalizimin dhe degjenerimin e jetës politike në Shqipëri, ngjan sikur po pranon fajësinë. Mirëpo këtu vjen surpriza. Prit një sekondë. A mos ka diçka më të keqe se politika jonë e kalbur, që po infekton edhe Kosovën? Ë? Ja pra. Kjo është media jonë online. Këtu publiku ngre veshët me kuriozitet. A mund të jetë e vërtetë kjo? Referuesi këtu nis ta lodrojë me shkathtësi vallen e vet. Është e vërtetë si jo. Si mund ta provojmë? Po ja, thotë raportuesi, mjafton të konsultoheni me statistikat e postimeve në faqen e tij të fejsbukut. Ju sigurisht nuk keni kohë, prandaj, ftoheni t’i besoni dëshmisë që sjell ai: pakënaqësia ndaj analistëve të portaleve, e matur përmes audiencës së faqes së kryeministrit është më e madhe se ajo ndaj gjithçkaje tjetër (pra, edhe ndaj politikanëve që e kanë bërë baltë, si vetë ky që po sjell këto të dhëna).
Gjithçka që vijon pas kësaj loje prestigjatorësh për të krijuar një iluzion të gjithëpranuar, është thjesht një shumatore fjalësh të renditura sipas kriterit të kumbimit dhe jo atij të kuptimit. Gjakrat tani mund të ndizen. Revolta mund të derdhet. Komunikuesi dhuron një buzëqeshje cinike finale dhe minutazhi i klipit mbaron. Mirëpo, ajo që shumëkush keqkupton në këtë histori angazhimi të tejzgjatur të këtij personazhi me rolin dhe pozicionin që mediat online kanë në këtë shoqëri, nuk është roli dhe pozicioni i medias, por koordinata shoqërore e këtij “komunikuesi javor” që gabimisht e quajmë kryeministër. E vërteta është se teksa ai sulmon analistët që shpërndajnë të pavërteta “helmuese” për publikun, njerëzit harrojnë të shikojnë tek ai asgjë më shumë se analistin që shpërndan një tjetër version “të vërtetash” të cilat publiku duket se, për dreq, nuk i beson edhe aq. Teksa – ndonëse thjesht piktor – ai merr poza veterani gazetarie duke shigjetuar mungesën e profesionalizmit dhe të standardeve tek ata që mendojnë ndryshe prej tij, ai pretendon që njerëzit të mos kuptojnë se po u flet thjesht administratori i një portali – siç është shndërruar tashmë jo vetëm faqja e tij në facebook, por edhe krejt qeveria që ai e drejton si të ishte një kryeredaktor i rrethuar prej korrespondentëve të vet. Po u flet thjesht një rival për audiencë dhe klikime mes dhjetëra portalistëve anekënd Shqipërisë dhe Kosovës.
Po u flet mirëmbajtësi i një faqeje online, i cili teksa ankohet që konkurrentët e tij përdorin çdo mjet për ta luftuar, është gjithashtu edhe vetë i angazhuar në një luftë marramendëse ku nuk kursen asgjë – tekst, audo, foto apo video – për të joshur milionat e sardeleve ndjekëse, për të qenë ai pika e referencës, për t’u shpallur ai faqja më e ndjekur në Shqipëri. Klithma e tij kundër medias online pra, prej gazetarëve të përfshirë në këtë media të re kaq të suksesshme, s’duhet parë ndryshe veçse si klithma e një kolegu xheloz.