Kategori
Uncategorized

35% e familjeve shqiptare marrin borxh për të mbijetuar.

Familjet shqiptare kanë rritur huamarrjen për konsumin e mallrave të përditshëm. Banka e Shqipërisë në raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të 2016  bëri të ditur se 35 për qind e familjeve huamarrëse e kanë marrë kredinë  për konsum. Banka intervistoi një kampionin rastësor prej 1.209 familjesh, ku rreth 54% i përkasin zonave urbane dhe 44% zonave rurale. Rreth 30% e familjeve kanë deklaruar se kanë hua për të paguar dhe kjo peshë ka rënë pak krahasuar me 6-mujorin e kaluar, por rezulton më e lartë se një vit më parë. Në 94% të rasteve, huamarrja është në lekë. Në 43% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale (banka dhe institucione jobankare) dhe në 57% të rasteve i janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht në cash. Kjo shpërndarje është zhvendosur në favor të huamarrjes formale kundrejt asaj joformale, si rezultat i rritjes së rasteve të huamarrjes nga bankat.

Tre qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten për konsum (35% e rasteve të huamarrjes), blerje/riparim prone (31% e rasteve) dhe zhvillim biznesi (13% e rasteve). Në ndryshim nga prirja e viteve të fundit, gjatë periudhës së vrojtuar, shpërndarja e qëllimit të kredisë është zhvendosur në favor të huamarrjes për blerje/riparim prone, në përputhje me zhvillimet në tepricën e kredisë së individëve. Familjet huamarrëse vlerësojnë rënie të këstit të kredisë gjatë periudhës referuese, duke reflektuar uljen e normës së ponderuar të kredisë për individët.

 

 Bizneset

Raporti i kredive me probleme për bizneset në valutë është përkeqësuar, duke qëndruar në nivelin e 25.3% në fund të gjashtëmujorit të pare. Banka e Shqipërisë në analizën për vlerësimin e stabilitetit financiar pohon se rreziku i kreditit është rritur. Kredia me probleme u rrit sërish në 20%, ndërkohë që ka pasur ulje të mbulimit me provigjione dhe ulje të mbulimit me kapital. Kategoria më problematike për moskthimin e kredive është huaja për bizneset në valutë në afat të mesëm. Huatë me probleme për biznesin vlerësoheshin në 24.4% në fund të qershorit, duke u rritur me 3 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2015, ndonëse është ulur me 0.5 pikë përqindjeje në raport me një vit më parë. Më problematike është kredia në valutë. Raporti i kredive me probleme për bizneset në valutë është përkeqësuar, duke qëndruar në nivelin e 25.3% në fund të gjashtëmujorit të parë. Në të kundërt, kredia me probleme për individët është përmirësuar, duke u ulur me 2.9 pikë përqindjeje, në 12% në fund të 6-mujorit. Banka e Shqipërisë vlerëson se rreziku i tregut është i ndjeshëm dhe i pranishëm në kursin e këmbimit dhe normën e interesit. Ajo rekomandon që bankat duhet të komunikojnë me klientët për të vlerësuar drejt rrezikun.

Lini një koment