Nga Artur Zheji
Në mënyrë të sinqertë ose jo, u shtuan këto orë zërat kundër Lulëzim Bashës, kryetari i PD. Sigurisht në “popullin e gjerë të djathtë”, ka nga ata që e duan dhe nga ata që nuk e duan Bashën.
Gjëja më ë thjeshtë sot, është ti kërkosh llogari Lulit, se ku i ka ai grupet me lekë, ku i ka sot Luli të fortët, ku i ka sot Luli votat që i rrëmbeu në Dibër, Partia Socialiste. Luli nuk ka asnjë nga këto ekuacione në dorë. Sepse e tillë është struktura e shoqërisë shqiptare.
Të fortët ndjekin paranë e pushtetit, si peshkaqeni vazhdën e gjakut. Grupet me lekë, që dje lëpisheshin te zyrat e PD apo të zyrat e qeverisë së PD, sot janë të orientuar në zyra të tjera, gjithmonë të qeverisë. Kësaj rradhe me ngjyrë tjetër politike. Po paraja ka dhe njeh vetëm ngjyrën e parasë, aty ku ajo shumëfishohet si larvat. Afër ujrave të ngrohta të pushtetit edhe ato.
Dhe meqë nuk pati programe, nuk pati projekte dhe as bilance, pati natyrshëm nga pala më e fortë, oferta më të forta, të të gjitha llojeve sigurisht.
Dhe ky nuk është as krimi dhe as paaftësia e Lulëzim Bashës. Të paktën në këtë rast.
Kjo është vetëm të realizosh, me ose pa dashje, segmentin e fundit të “Operacionit Peshkopia”, Goditjen e Liderit të Opozitës, duke e konsideruar atë të paaftë, të pazoti, e të tjera e të tjera si këto.
Argumenta këto që shërbejnë si një Alibi perfekte, për masakrën e Dibrës dhe “Operacionin Peshkopia”, të kryeministrit me shokët e tij.
Operacion i përsosur padyshim, sidomos në segmentin e tronditjes së besimit, të besimpakëve të PD dhe ata që sillen rrotull saj./360 gradë.al/
