Në median e shkruar na doli edhe një “thagmë” e re, zgjerimi i rrugës Tiranë-Durrës edhe me një korsi më tepër, saktë me tri korsi djathtas e me tri majtas, një autostradë ku makinat do të udhëtojnë me 140 kilometra në orë (!)
Një gazetë “e vogël” shtoi se nga kjo ide do të shkulen pemët aq të përfolura ekzotike që kushtuan 600 mijë euro (!), praktikë kjo e njohur e mendimit jashtë kokës për çdo lloj pune të bëra deri tash në sistemin rrugor shqiptar.
Ideatorët mendojnë për trafikun e makinave, “disiplinimin” e tyre duke u dhënë edhe një korsi kalimi më tepër a thua se kjo korsi, me 140 kilometra në orë, do të shuajë aksidentet e panumërta që përgjakin vazhdimisht asfaltin e rrugës ekzistuese duke çuar në humbje jetësh e duke zhdukur familje të tëra.
Ideatorët në kokën e tyre duke menduar për “kalorësit” harrojnë “këmbësorët”, harrojnë njerëzit e thjeshtë që dalin në anë të rrugës dhe ngrenë dorën për një vend në fugon për të udhëtuar drejt plazhit apo për tu kthyer prej tij. Njerëzit e thjeshtë kanë vetëm këtë alternativë, asnjë tjetër.
Në vitin 1946, me punë vullnetare të rinisë, u ndërtua hekurudha Durrës –Tiranë dhe Durrës-Peqin, për të shtrirë shinat gjatë dy dekadave të ardhshme drejt Pogradecit, Vlorës, Ballshit, Shkodrës…e më tej drejt Malit të Zi.
Për hekurudhat gjatë këtyre 26 viteve mendimi është ndalë vetëm se si ti shkatërrojmë dhe përçudnojmë në të gjithë përbërësit: shkuljen e shinave dhe dërgimin për skrap, shkatërrimin e bazës së riparimit të lokomotivave dhe vagonëve, pushimin e personelit, lënien mënjanë të gjithçkaje që lidhet me të.
Për mos tu ngrënë hakun kryeministrave fluturues mbi politikën shqiptare është folur për “tren elektrik” (Fatos Nano), për lidhje hekurudhore me Prishtinën pa thënë se si e nga, për lidhje me Maqedoninë, madje edhe për lidhje me Greqinë (Berisha, Rama). Të gjitha këto kanë qenë në fjalë në hava serialeve elektorale, vendore apo kuvendare.
Fol e luaj, një shprehje që populli e ka në fjalorin e vet, e ka jetuar dhe e jeton në kurriz tash disa dekadash.
Tirana me Durrësin, është gati njëlloj në gjatësi me Pireun dhe Kifisian, linjën hekurudhore elektrike prej 25.7 kilometra (3.2 kilometra në qendër të Athinës në tunel), linjë e cila daton me vitin 1869.
Linja ka 24 stacione qëndrimi të trenave elektrikë, ngjitje e zbritje të pasagjerëve. Vagonët, jo vetëm në pikun e lëvizjeve në fillim e në mbarim të punës, por gjatë gjithë ditës, që nga ora 5 e mëngjesit e deri në orën 2 pas mesnate, janë të ngarkuar sa rrallë gjen një vend për tu ulur.
Dy linjat tjera nëntokësore (metro) me 17.5 dhe 16.4 kilometra gjatësi kanë po të njëjtën ngarkesë gjatë gjithë orëve të shërbimit.
Në tërë hapësirën e Atikisë, mbi tokë një rrjet i gjerë me autobusë, trolejbusë e tramë nuk pushon së përcjelli pasagjerë në të tri ndërresat e punës dhe shërbimeve.
Athina me Pireun tashmë nuk dallojnë se ku fillon njeri e ku mbaron tjetri, janë shndërruar në një qytet të vetëm gjeografikisht. Midis tyre nuk ka shërbim ndërqytetës (interurban) por shërbim qytetës (urban) me të gjitha mjetet e transportit mbi e nëntokësor.
Dhashë paksa përvojën e shërbimit në hapësirën Athinë-Pire e më gjerë në Atiki ndaj një qyteti që tash numëron rreth 6 milionë banorë, (një shërbim që do ta quaj model sepse nuk njoh shërbimet në vendet tjera të botës), përvojë e fituar gjatë 20 viteve jetë këtu, përvojë që mendoj se duhet të lexohet nga kryeministrat që ngjiten në karrige në vendin tim.
Tirana me Durrësin le të lidhen ashtu siç janë, me rrethim të plotë nga të dy anët (si pjesa Plepa-Kavajë) për ta përqendruar vështrimin në ndërtimin e një hekurudhe dyfishe, me një tren elektrik që vjen e me një që shkon, me stacione qëndrimi e nisjeje që fillojnë në Tiranë e mbarojnë në Kavajë, me nënstacione çdo 5 apo 10 kilometra duke “mbledhë” e “derdhë” dhjetëra mijëra njerëz që përveç këmbëve nuk kanë mjet vetjak për të lëvizur.
Me një çmim të arsyeshëm për nivelin e pagave në Shqipëri, Tirana me Durrësin do të ishin NJË. Njeriu do të ngrihej në mëngjes në Tiranë, ti hipte trenit për tu ndalur në Golem apo Malin e Robit për të kaluar ditën në plazh e për tu kthyer në mbrëmje.
Në bregdetin nga Durrësi tek Mali i Robit ka dhjetëra mijëra apartamente të pa shitura apo që mbajnë jetë pushuesish vetëm tre muaj të verës. Një shërbim popullor me tren do ti kthente këto apartamente në shtëpi familjare për tërë vitin,. Banorët e këtyre hapësirave nëpërmjet një shërbimi të tillë elektrik nuk do ta kishin problem largësinë e vendit të punës.
Kryeministrat që ngjiten fjalë të parë të tyre kanë shtimin e vendeve të punës duke harruar se vendet e punës me këtë infrastrukturë transporti të njerëzve që duan të punojnë, janë larg, shumë larg.
Për mendimin tim, rendja pas autostradave qorrazi, kostoja e të cilave për shkak të shpronësimeve dhe vështirësive të tjera, sa vjen e rritet (duke rritur edhe pakënaqësinë e njerëzve që i kanë ndërtuar bizneset dhe shtëpitë e tyre me djersë e me gjak mërgimtari), është gabim ekonomik, gabim i rëndë që u kushton brezave.
Grekët, jetën e vet si shtet i pavarur nga turqit osmanlinj e nisën me linjat hekurudhore, linjë e vitit 1869.
Edhe Shqipëria, jetën e vet si shtet pas shkatërrimeve të mëdha të Luftës së Dytë Botërore e nisi me hekurudhën e vitit 1946.
Sikur Shqipëria demokratike jetën e vet ta kishte nisur me ndërtim e rindërtim të rrjetit hekurudhor, me modernizimin e linjave ekzistuese dhe lidhjen me fqinjët, jetë tashmë 26 vjeçare, tash do të flisnim me tjetër gjuhë.
Nuk u bë për 26 vjet, pse të mos e bëhet SOT?
Abdurahim Ashiku
Athinë, 4 shtator 2016
Shënim: Lëçitësve të këtyre radhëve u lutem të sjellin përvojat e tyre në vendet ku emigrojnë. Shqipëria ka nevojë për përvojën botërore ani se kush nuk e lexon dhe e dëgjon.