Kategori
Uncategorized

Rrëfimi i Fatmir Xhafës: ‘Pantallonat terital, janë çelësi i suksesit tim’.

576702ce-abc7-4cc4-92dc-55f5cdb79534 (1)

Të nderuar shqiptarë, vëllezër e motra!

Unë Fatmir Xhafaj si një njeri që fle me kuti valiumi tek koka e krevatit, sepse nuk më zë gjumi për drejtësinë në këtë vend, dua të sqaroj disa gjëra themelore për ju.

Unë e kam nisur herët kokëçarjen për drejtësinë në këtë vend, që kur u bëra Pioner i Enverit në shkollë, e më pas dhe sekretar rinie nën tutelën e shokut Adil Çarçani. Ky i fundit ishte dhe frymëzimi im, sepse mbante një palë pantallona terital me vijë të hekurosur kreko, e që kur shihja vijën e pantallonave të shokut Adil imagjinoja se ashtu duhej të ishte dhe drejtësia.

Pra koncepti im për drejtësinë nuk është as më shumë e as më pak se sa imazhi që kam ende në mendje i pantallonave terital të shokut Adil.

Ky ka qenë sekreti im, që sot në këtë moment të madh për historinë tonë desha ta ndaj dhe me ju.

Unë jam një jurist profesionist. Kur hartoj ligjet kujdesem që paragrafet e neneve të jenë simetrike, dhe të renditura në vijë të drejtë në letër, njësoj si vija e teritalit që s’më shqitet nga mendja.

Paragrafet s’mund të jenë me më shumë se 6 fjali, sepse shtimi i fjalive mund ta fryjë paragrafin dhe kjo mund të bëjë që pantallonat e teritalit të shpërthejnë nga fryrja.

Kur shoh këta juristët e PD-së që bëjnë ca nene me nga 20 fjali, mendoj gjithmonë: “Këta do ja kishin shqyer shokut Adil pantallonat me kaq shumë sa e mbushin”.

Estetikisht më ka ndihmuar  dhe kryetari im Edi Rama. Ai është piktor dhe dhe më ka mësuar që disa paragrafe dhe disa nene që janë më simpatike, t’i bëjmë me ngjyra-ngjyra sepse kështu bëhen më të dallueshme dhe estetikisht më të pranueshme.

Në fillim e kisha pak të vështirë të fusja kaq shumë ngjyra se më dukej sikur po bëja me njolla pantallonat e shokut Adil, por më vonë e kuptova se dhe shoku Adil nëse do ishte gjallë, pantallonat me njolla do i mbante ose do vishte xhinse me thek dhe shapka me gisht.

Unë jam i lumtur që udhëhoqa reformën më të madhe të drejtësisë.

E nisa këtë përpjekje në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese, por atëherë nuk kishim kohë ta mendonim më gjatë.

Na duhej të mbaronim punë brenda natës dhe harruam ta ngjyrosnim siç duhej. Ato ndryshime na dolën bardhë e zi dhe Shef Edi i ra pishmanit më vonë, ndërsa unë i rashë komodinës me grushta, kapërdiva kutinë e valiumit dhe rashë në gjumë.

Gjumi që bëra ishte serioz, i thellë dhe meditues. Por zgjati deri kur disa shokë të Shef Edit dhe nipër të Gjishit Xhoxhi Soros, më erdhën dhe më zgjuan. Më thanë se duhej të bëja dhe një reformë tjetër, kësaj here për drejtësinë.

I thashë çunave që të më jepnin kohë vetëm sa të pija kafen se isha përgjumësh, por ma rrasën draftin surratit dhe më thanë që vetëm duhej ta firmosja.

Kur e lexova draftin shtanga dhe u befasova. Këta djem ndonëse kishin qëllime hyjnore dhe të pastra për drejtësinë, kishin bërë gabime fatale.

Paragrafet e neneve i kishin lënë shumë të fryra dhe ç’është më e rënda, e kishin lënë komplet draftin bardhë e zi.

U thashë që këtë punë do e shihja me kujdes dhe shkova menjëherë tek Shef Edi dhe të dy nisëm t’i krehim nenet dhe të ngjyrosnim me larmi koloritesh ato nene që Shefit i dukeshin më trendy.

Nenin e Vetingut e ngjyrosëm me ngjyrë të kuqerremtë në respekt të kaçurrelave të zonjës Vlahuutin.  Kjo ishte një tjetër risi e kësaj reforme.

Megjithë lodhjen time dhe përkushtimin si jurist profesionist në këtë reformë jetike, më duhet që në fund t’i njoh meritat mikut tonë të çmuar, ambasadorit amerikan Donald Lu.

Ai tregoi se e kupton vlerën e reformës, të ngjyrave dhe të fryrjes së neneve njësoj siç kuptoja unë dikur pantallonat e teritalit të shokut Adil.

Nuk do e kisha imagjinuar kurrë që pantallonat e shokut Adil do kishin ushtruar një ndikim kaq të fortë dhe tek zoti Donald Lu.

Kjo tregon se edhe pse jemi një vend i vogël, kemi vlera dhe jemi frymëzim edhe për shtete e kombe të mëdha.

Jam i lumtur që nenet e reformës që do miratojmë janë simetrike dhe estetike, ndërsa ngjyrat e përdorura në draft kanë marrosur dhe ambasadorët e vendeve mike.

Faleminderit shoku Adil, Faleminderit Shef Edi, Faleminderit Romana Vlahutin, Faleminderit Donald Lu.

Rroftë Reforma, Lavdi pantallonave të teritalit.

I juaji, Fatmir Xhafaj.

Lini një koment