Në Këmishtaj arrijmë në orët e para të paradites, pikërisht atëherë kur dielli përzhitës ka nisur të bëhet agresiv me njerëzit që gjallojnë poshtë tij. Në rrugët kryesore të fshatit duket se janë bërë ndryshime të mbara. Në anë të tyre janë vendosur trotuare dhe kosha. Si një vend bujqësor, gumëzhimat e njerëzve dëgjohen tek bisedojnë me njëri-tjetrin duke tentuar të dominojnë me volumin e tyre mbi traktorët që do të punojnë të mbjellat. Jo shumë larg qendrës së fshatit, marim një kthesë drejt shtëpisë së familjes Maka. Aty do të takojmë Elenin, vajzën 22-vjeçare, e cila na uron mirëseardhjen. “Urdhëroni, hyni brenda së bën vapë”, thotë në zë të imët. Një shtëpi që mbahet nga një dërrasë. Kjo është gjëja e parë që të bie në sy, teksa vijon mendimin se muri prej dërrasash dhe balte rrezikon të bjerë.
“Shtëpia është ndërtuar që në vitin 1982. E ka ndërtuar gjyshi im”, thotë Armeli, djali më i vogël i familjes, duke na treguar një histori të dhimbshme të saj. “Prindërit nuk kishin para të siguroje një tullë apo një gur për murin. Kështu i kam dëgjuar të thonë. Arritëm të vendosnim vetëm dërrasën që shihni. Një ditë muri është rrëzuar dhe më ka zënë poshtë. Po unë shpëtova. Ia hodha paq”, kujton Armeli me buzëqeshje. Në familjen Maka orientimi kryesor dhe i vetëm për sigurimin e të ardhurave ka qenë bujqësia. Dikur, para 5 vitesh prindërit e dy djemve kanë punuar në serrat e banorëve të fshatit. Më vonë, pas fejesës së Elenit me djalin e tyre, vajza iu jep tokën e të ëmës dhe aty ndërtojnë serrat për të siguruar të hollat. “Unë jam jetime. Nëna ime ka ndërruar jetë që kur isha 4 vjeçe. Jam rritur me gjyshërit. E vetmja trashëgimi që kam patur nga ime më është toka. Janë rreth 3 dynymë. Gjyshërit nuk mund të punonin më në ara sepse janë në moshë të thyer. Kështu, që prej fejesës me Klaidin filluam të investonim sadopak në këtë tokë duke ndërtuar serrat”, thotë Eleni Tomani, ndërsa vijon të na tregojë për prodhimet bujqësore që kanë patur.
“Kemi mbjellë përgjithësisht kultura me perime. Nuk ishim në nivelet më të mira, por kishim të ardhura, të paktën. Kishte ditë që edhe dilnim në tregun e grumbullimit në Lushnjë. Atje në shumicën e rasteve binim edhe pre e tregtarëve, të cilët premtonin se do të blinin dhe nuk vinin kurrë. Mirëpo, unë nuk kam motër ose vëlla. Babai më ka braktisur. Kështu që, familja e Klaidit u bë familja ime”, tregon Eleni e përlotur. Ndërkaq, pavarësisht tentativave për të ringritur ekonominë duket se fati nuk ka qenë shumë në anën e tyre. Në ditët e ftohta të dimrit, era e fortë e stinës ka shkatërruar çdo ndërtim të ngritur me mund në serra. Në vështrimin e parë rreth tokës, sytë të zënë vetëm hekurat, pasi serrat janë tashmë të “zhdukura” për shkak të erës së fortë që i dëmtoi gjithë prodhimin. “Ne i kishim krijuar pajisjet me aq kushte sa kishim mundësi. Nuk kishim gjërat më të mira dhe as materialet më të forta, por nuk e prisnim kurrsesi që diçka e tillë të ndodhte. Kur era e fortë rrëzoi plastmasët, ishte goditja më e madhe për ne. Punësimi dhe ushqimi ynë, varej aty. Tani, që prej vitit të kaluar nuk është më”, vijon Eleni. Ndërkaq, ajo na tregon ndër të tjera sesi janë duke u përballur me vështirësinë më të madhe deri më sot, e cila nuk përfshin më as mbijetesën dhe as ushqimin. Dhimbja që ka pllakosur familjen Maka është së- mundja e djalit të tyre, Klaidit, i fejuari i Elenit, i cili prej disa muajsh ndodhet në shtrat, pasi rrezikon të humbasë shikimin në të dy sytë. “Kur unë dhe Klaidi jemi lidhur në fejesë ai punonte si punëtor ndërtimi. Merrej dhe me saldime. Punë krahu, ç’të dilte. Për të nuk ishte problem puna dhe vështirësia e saj. Mirëpo, para 3 muajsh ai na tregoi shqetësimin me shikimin e tij. Kur e pashë për herë të parë, syri i djathtë kishte marë pak skuqje dhe menduam se do të ishte diçka kalimtare, ndonjë lodhje e shkaktuar prej punës”, tregon e fejuara e Klaidit, ndërsa me lot në sy shpreh pendimin për neglizhencën që të gjithë treguan ndaj shqetësimit të djalit të madh të familjes Maka.
“E nënvlerësuam. Menduam se do të ishte një gjë e lehtë. Dita-ditës vështirësia për shikimin e tij u shtua. Sot, ai nuk më sheh dot më mua”. Ndërkaq, të ndodhur përballë kësaj plage të madhe prej së cilës nuk po gjejnë dot zgjidhje, gjithë familja vendosi të nxjerrë në shitje serrën e dikurshme, në mënyrë që të sigurojë paratë për operacionin e Klaidit, ku i kanë dhënë shpresë për shikimin. Megjithatë, ende sot, asnjë i interesuar nuk i ka rënë telefonit. “Nuk merr askush për të blerë serrën. U bënë dy muaj. Kam frikë se po e humbasim këtë sfidë. Nuk dimë ku të gjejmë një mundësi, një borxh, një hua. Kemi kërkuar gjithandej, por askush nuk na përgjigjet”, shprehet Eleni Tomani, e dëshpëruar.
Prindërit: Nuk kemi para për një grusht miell
Të shpresosh apo të kërkosh. Kjo është dilema më e madhe në familjen Maka, për të cilën ndihen edhe në faj. Prindërit e Klaidit shprehen të dëshpëruar në lidhje me situatën në të cilën ndodhen dhe thonë se vështirësia ekonomike që kanë, i ka sjellë edhe problemet e shikimit me djalin e tyre. “Po bën 3 muaj që djali është shumë sëmurë nga sytë. Ne nuk donim kurrsesi që situata të arrinte në këtë pikë, por vetëm nga ekonomia e dobët e lamë deri sot. Doktori kërkoi ta bënim operim. Thonë që ka një sëmundje të keqe që prek të dy sytë”, tregon e ëma e Klaidit, Lindita Maka duke na rrëfyer më tej se shpresat e tyre janë të varura te shitja e serrave.” Ne jemi marrë vetëm me bujqësi. Nuk kemi pasuri dhe as gjëra me vlerë. Kemi nxjerrë serrat në shitje si të vetmen mënyrë për të siguruar të ardhura. Patëm goxha probleme. Falë nuses tonë Elenit, dikur fituam diçka. Kishim serrat që i mbillnim me tranguj dhe me domate. Shisnim dhe ushqeheshim të gjithë në familje. Mirëpo, era e fortë na mori gjithë investimin. Mbetën vetëm hekurat. Mora para borxh dhe kredi në bankë duke venë në kolateral banesën që kemi. Rreth dy milionë lekë hua. E njëjta situatë klimaterike u përsërit. Askush nuk na ndihmoi. Ku nuk shkova. Djali im është 25 vjeç. Unë dua vetëm që të më shohë sërish. “, përfundon Lindita me lot në sy. Ndërkaq, edhe babai i Klaidit, Arben Maka, tregon se ndihet i pafuqishëm përballë një vështirësie të tillë. “A mund të quhem baba? Nuk ndihmoj dot fëmijën tim. Po më ikën nga duart dhe unë nuk mund të bëj asgjë. Ku nuk po kërkoj. Smë jep kush. Jam paraqitur në komunë për një mundësi punësimi, por smë jep askush ndihmë. As asistencë sociale nuk kemi. As tokë. Do i jepja djalit sytë e mi po të mundesha. Dhe ajo kushton”, tregon Arbeni me dëshpërim.
Operacioni
Vështirësia për të rikthyer shikimin e Klaidit përballet me shumë e 1400 eurove. Kështu, mjekët kanë informuar pjesëtarët e familjes Maka se mund të rikthejnë dritën në sytë e Klaidit vetëm me anën e një operacioni. Megjithatë për familjen Maka, ky operacion është i papërballueshëm. Gjendja ekonomike e tyre paraqitet në vështirësi. Rrëfimet për këtë shumë tregojnë se nëse ndokush nuk paraqet interes që t’i ndihmojë, atëherë djali i tyre do të mbetet i verbër për gjithë jetën.