Kategori
Uncategorized

Raportet e CIA, ja pse dështoi operacioni BGFIEND i ‘49 për grusht shteti në Shqipëri kundër regjimit komunist, amerikanët braktisën misionin pas tërheqjes së britanikëve.

Përpjekjet amerikane për të përmbysur regjimin komunist të Shqipërisë nisin nga viti 1949. Dokumenta të arkivuara të CIA faktojnë se operacioni FIEND-VALUABLE. Siç është konceptuar dhe aprovuar, operacioni FIEND-VALUABLE kishte si objektiv minimal krijimin e konflikteve të brendshme në Shqipëri, aq sa për të reduktuar aftësinë materiale të mbështetjes ndaj grupeve guerile greke, ndërsa objektivi maksimal ishte përmbysja e regjimit të Enver Hoxhës. Objektivi maksimal është i dëshirueshëm sepse eliminonte Shqipërinë si një bazë për guerrilasit grekë, i mohonte ushtrisë sovjetike mundësinë e bazave ajrore, detare e tokësore ushtarake në Mesdhe, si dhe shërbente si një faktor i rëndësishëm psikologjik stimulues për vende të tjera të Evropës lindore për përmbysjen e një diktaturë të fortë komuniste.

Rishikim i operacionit BGFIEND

Projekti BGFIEND i aprovuar në maj 1949 kishte si qëllim përfundimtar grushtin e shtetit në Shqipëri për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Objektivat paraprake të tij ishin formimi i një komiteti politik, zbatimi i programit të propagandës, si dhe trajnimi e infiltrimi i agjentëve në Shqipëri. Objektiva të tjerë të pavarur nga qëllimi final ishin eliminimi i Shqipërisë si një bazë trajnimi dhe qëndrim i guerrilasve drejt Greqisë, eliminimi i Shqipërisë si një pikë komuniste në Mesdhe, stimulimi i aktiviteteve të rezistencës dhe dhënia e një fondi për OPC për financimin e operacioneve klandestine të teknikave të ndryshme.

Progresi i operacionit deri më 6 dhjetor 1949

Komiteti politik shqiptar i emigracionit u krijua dhe u shpall në gusht 1949. Kryetari i tij i parë vdiq nga shkaqe natyrale dhe pasuesi i tij u zgjodh në nëntor. Deri tani nuk janë kryer aktivitete propagande, përveç disa transmetimeve nga BBC dhe disa broshurave të shpërndara në Shqipëri. Planet për përdorimin e një anijeje për transmetime klandestine në detin Adriatik ende nuk janë materializuar. Britanikët ia dolën të infiltronin gjashtë grupe inteligjence në jug të Shqipërisë, disa prej të cilëve u kapën e disa të tjerë janë kthyer. OPC nuk arriti të rekrutonte agjentë për trajnim në bazën e Maltës dhe gatishmëria e saj u anulua përkohësisht më 1 dhjetor, sipas marrëveshjeve të mëparshme me britanikët. Zhvillime të tjera në lidhje me situatën përfshijnë përfundimin e Luftës Civile Greke dhe përshkallëzimin e ofensivës së vendeve të Cominform kundër Titos, deri në pikën ku dukej i mundshëm veprimi direkt, por pa u përcaktuar forma e tij. Qeveria italiane ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë në maj 1949. Britanikët kanë menduar të organizojnë një vizitë të brigadierit McLean te Tito, natyra e së cilës mbetet e panjohur për OPC. Gjatë vers u krye një spastrim i partisë komuniste të Shqipërisë për largimin e anëtarëve që nuk reflektonin besim të plotë.

Statusi aktual

Në datën 6 dhjetor 1949, OPC paraqiti për Departamentin e Shtetit një memorandum për të cilin u ra dakord mes OPC dhe shërbimeve britanike, i cili ishte një rivlerësim i operacionit dhe rekomandonte një riformulim të objektivave. Objektivat e rinj janë: Krijimi dhe ruajtja e kapaciteteve si brenda dhe jashtë Shqipërisë, për gadishmërinë tonë në lidhje me ndryshime të situatës që mund të ndodhin në Shqipëri apo Jugosllavi. Veprimi që do të merret në lidhje me dobësimin apo eliminimin e rëndësisë së Shqipërisë për zyrën e Ciminform, si një bazë për operacionet kundër Jugosllavisë. Disa aktivitete specifike u përmendën në kuadër të objektivave të reja. Ato përfshinin mbështetjen e Komitetit me propagandë, ndihmë ekonomike, agjentë të infiltruar, si dhe me hetime për përjashtimin e qeverive të tjera nga marrja e inteligjencës së operacionit. Memorandumi i 6 dhjetorit u aprovua nga Departamenti i Shtetit dhe gjithashtu nga shërbimet britanike, përveç aspektit të infiltrimit të agjentëve dhe bashkëpunimin me shërbime të tjera të inteligjencës. Departamenti i Shtetit pranoi të paraqiste propozimet te britanikët, me qëllim marrjen e aprovimit të tyre. Ndërkohë, britanikët kanë sinjalizuar se mund të braktisin të gjithë operacionin.

Vlerësimi i objektivave

Siç u deklarua më sipër, dy nga objektivat janë listuar në planin e rishikuar të 6 dhjetorit. Paragrafët në fjalë citohen të plotë: Kemi kryer deri tani një masë të kufizuar operacionesh njohjeje në Shqipëri, me qëllim zbulimin e mundësive të ngacmimit të regjimit aktual të dominuar nga sovjetikët. Aktivitetet tona duhet të shfrytëzojnë situatën e re të krijuar prej konfliktit mes Titos dhe vendeve të Komiform. Prandaj objektivi ynë kryesor në lidhje me Shqipërinë është krijimi dhe ruajtja e kapaciteteve, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, që na japin fleksibilitet gjatë zhvillimit të situatave dhe na lejojnë të shfrytëzojnë zhvillimet e reja si në Shqipëri dhe Jugosllavi. Veprimi në lidhje me Shqipërinë duhet të hartohet me qëllim zvogëlimin e rëndësisë së saj për vendet sovjetike, si bazë operacionesh kundër Jugosllavisë. Operacionet të rishikohen sipas zhvillimeve të reja. Një ekzaminim i paragrafit të parë sjell dyshime serioze në përcaktimin e një objektivi, pasi “krijimi dhe mbajtja e kapaciteteve të cilat të na lejojnë në të ardhmen fleksibilitet në shfrytëzimin e situatave të reja” është më shumë një gjendje se sa një qëllim i qartë. Ndërsa paragrafi i dytë deklaron objektivin e parandalimit të një sulmi mbi Jugosllavinë nga shtetet e Cominform, të nisur nga Shqipëria. Ky objektiv përfshin veprim që prej presionit politik deri te përpjekjet për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Prandaj asnjë nga dy paragrafët nuk përcakton si duhet qëllimet tona, apo t’i përkufizojë ato me qartësi të mjaftueshme. Zhvillimet kryesore që prej nisjes së operacionit ishin menduar të ishin pushimi i luftës civile në Greqi, dhe rritja e interesit amerikan në konfliktin mes Jugosllavisë së Titos dhe BRSS. Me heqjen e problemit të guerrilasve grekë nga lista e objektivave tanë, zvogëlohet dhe rëndësia e Shqipërisë si pjesë e objektivave tonë të luftës klandestine (Meqenëse ky ishte një nga objektivat primarë të planit fillestar britanik Valuable, është e mundur që ky zhvillim të jetë dhe shkaku i humbjes së interesit të britanikëve në operacionin tonë FIEND). Intensifikimi i debatit Jugosllavi-BRSS dhe vullneti i SHBA për të parë që Tito i qëndron i patundur presionit sovjetik, ka bërë të nevojshëm rivlerësimin e objektivit maksimal të operacionit BGFIEND, pra të përmbysjes së regjimit të Hoxhës në Shqipëri. Teksa sovjetikët bëhen gjithnjë e më të vendosur për likuidimin e herezisë së Titos në Jugosllavi, bëhet e udhës për SHBA mosshkaktimi i preteksteve të tjera në rajonin e Ballkanit për përdorimin e forcave ushtarake të BRSS. Prandaj mendohet se çdo përpjekje për rrëzimin e regjimit të Hoxhës, do të jepte një arsye për pushtimin e Jugosllavisë nga shtetet e Cominform (Nëse për konfliktin në fjalë mes Titos e Cominform ndodhin zhvillime të paparashikuar më sipër, atëherë do të ishte e nevojshme një tjetër rishikim i objektivave të operacionit BGFIEND). Pas këtyre zhvillimeve, duhet të përjashtojnë grushtin e shtetit në Shqipëri, ose objektivat tanë këtu bien për nga prioriteti pas atyre në Bullgari, Hungari, Rumani, Çekosllovaki e Poloni. Por duhet të pranohet se pas energjive që tashmë i kemi kushtuar Shqipërisë, OPC ka krijuar asete të rëndësishme atje, siç janë njohuritë e zgjeruara dhe një pjesë të personelit të specializuar që nuk mund të transferohet për përdorime të tjera.

Rekomandime

Nga ky vlerësim besojmë se objektivat tanë për operacionin BGFIEND duhet të jenë si më poshtë: Krijimi i kushteve brenda Shqipërisë që ajo të kthehet në një përgjegjësi për Bashkimin Sovjetik, apo dhe një shqetësim për të. Përgatitja për kohën kur Shqipëria nuk do të jetë më një satelit i BRSS. Sipas këtyre objektivave duhet të aprovohen dhe aktivitetet përkatëse. Ajo duhet të fokusohen në ruajtjen e komitetit politik dhe zhvillimit të tij në një trup të unifikuar të elementëve anti-fashistë. Duhet të vazhdojë gjithashtu lufta psikologjike për krijimin dhe vazhdimin e situatës së pakënaqësisë së popullatës. Kjo e fundit duhet të dallojë nga propaganda që ka si qëllim nxitjen e kryengritjes kundra qeverisë. Lufta ekonomike duhet të përkeqësojë kushtet aktuale ekonomike dhe ta bëjë më të vështirë për BRSS ndihmën ekonomike për Shqipërinë. Infiltrimi i agjentëve në Shqipëri duhet të vazhdojë me qëllimin e përhapjes së propagandës, për operacionet e njohjes dhe mbledhjes së inteligjencës, si dhe për organizimin dhe unifikimin e grupeve të rezistencës. Nëse eksperienca britanike do të na shërbente si një guidë, këto operacione janë mjaft të kushtueshme në raport me përfitimet, burimet dhe energjitë e shpenzuara. Por besohet se fokusi duhet të jetë nisja e disa agjentëve dhe mbajtja e tyre në vend për periudha më të gjata se agjentët britanikë. Mbeten ende për t’u vlerësuar politikat e OPC në rast të një tërheqjeje të britanikëve nga operacioni. Nëse një tërheqje e tillë bëhet pa kundërshtimin e OPC, ne duhet të vazhdojmë drejt objektivave tanë të kufizuar. Nëse zhvillimet e ardhshme tregojnë për një degradim të mundshëm të regjimit stalinist në vend, duhet të bëhen konsultime me britanikët për koordinimin e politikave mes britanikëve dhe SHBA. Nëse britanikët shprehin vullnetin për braktisje të përbashkët të operacioneve, ne duhet të anulojmë BGFIEND dhe të nisim një projekt të ri, me një plan të ri operacional. Nëse duhet të vazhdojmë apo jo veprimet pas kundërshtimeve britanike, kjo do të vendoset kur qëndrimi britanik të jetë më i qartë.

Përmbledhje

Në konkluzion rekomandohet që OPC të vazhdojë përgatitjen për aktivitetet e listuara më sipër. Ato përfshijnë rekomandimet në memorandumin e 6 dhjetorit, përveç kampit të refugjatëve shqiptarë dhe problemit të bashkëpunimit me shërbimet e tjera. Kampi i stërvitjes konsiderohet si shumë i kushtueshëm në lidhje me prioritetin e operacioneve shqiptare, kurse problemi i ndërprerjes së lidhjes së grekëve italianëve e jugosllavëve, do të vendoset sipas zhvillimit të rrethanave të operacionit. Rekomandohet gjithashtu që objektivat e këtyre aktiviteteve të marrin ulje të prioritetit, sa i përket masës së përpjekjeve, e cila duhet të jetë më e ulët se ato në vende të tjera satelite. Rekomandohet që SHBA të mos dallohet si e influencuar nga vendimet britanike, gjatë vazhdimit të bashkëpunimit në operacion.

Memorandumi, 6 dhjetor 1949

Është pranuar nga shërbimet britanike dhe amerikane se është e nevojshme dhe e kohës një riekzaminim i statusit, objektivave dhe kryerjes së operacionit FIEND-VALUABLE. Siç është konceptuar dhe aprovuar, operacioni FIEND-VALUABLE kishte si objektiv minimal krijimin e konflikteve të brendshme në Shqipëri, aq sa për të reduktuar aftësinë materiale të mbështetjes ndaj grupeve guerile greke, ndërsa objektivi maksimal ishte përmbysja e regjimit të Enver Hoxhës. Objektivi maksimal është i dëshirueshëm sepse 1. Do të eliminonte Shqipërinë si një bazë për guerrilasit grekë, 2. Do t’i mohonte ushtrisë sovjetike mundësinë e bazave ajrore, detare e tokësore ushtarake në Mesdhe, 3. Do të shërbente si një faktor i rëndësishëm psikologjik stimulues për vende të tjera të Evropës lindore për përmbysjen e një diktaturë të fortë komuniste. Që prej nisjes së operacionit FIEND-VALUABLE dhe formulimit origjinal të objektivave të tij, kanë ndodhur dy ndryshime madhore në faktorët kryesorë të operacionit dhe objektivave. I pari është ndalimi, të paktën për momentin, i lëvizjeve guerrilase greke në kufirin shqiptar, dhe i dyti është intensifikimi i presionit të vendeve të Cominform ndaj regjimit të Titos, çka ka sjellë dhe një ndryshim të politikave të SHBA e Britanisë në mbështetje të Titos si një bllok ndalues zgjerimin e mëtejshëm të influencës sovjetike. Përveç kësaj, ekzistenca e operacionit dhe fakti i interesit të SHBA dhe Britanisë tashmë njihen gjerësisht. Ndryshimet e sipërpërmendura sigurisht që nuk prekin objektivat fillestarë, por sjellin Shqipërinë në një fokus të ri, sepse e ardhmja e saj është shumë e lidhur me atë të Jugosllavisë dhe të Greqisë. Faktorët e rinj nuk krijojnë rreziqe të shtuara, siç mund të ishte njohja e gjerë e ekzistencës dhe qëllimeve të operacionit FIEND që mund të sillte konflikt mes Jugosllavisë, Greqisë e Italisë për regjimin e ardhshëm në Shqipëri nëse arrihet objektivi maksimal i tij. Sipas zhvillimit të politikave në lidhje me natyrën e regjimit që do të zëvendësojë qeverinë e Hoxhës, SHBA dhe Britania nuk do të përfaqësojnë asnjë nga palët e interesuara fqinje. Aktualisht ne kemi në ekzistencë Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA) i cili deri tani nuk ka kryer ende aktivitete në mbështetje të operacionit. Formimi i tij u njoftua në gusht 1949, dhe shkaktoi zhurmë në skenën shqiptare të vendit dhe të emigracionit. Deri tan aktivitetet e propagandës kanë konsistuar në transmetime të buletineve të BBC dhe Zërit të Amerikës. Gjatë gjashtë muajve të parë shërbimet britanike stërvitën dhe infiltruan në pjesën jugore të Shqipërisë gjashtë grupe agjentësh me refugjatë, qëllimi kryesor i të cilëve ishte marrja e informacioneve mbi kushtet e brendshme, te të cilët të bazoheshin për operacione të së ardhmes. Rezultatet e këtij aktiviteti sugjeronin se infiltrimi i vazhdueshëm i agjentëve nga qendra dhe veriu i Shqipërisë, kishte shanse të mira suksesi sa i përket mbijetesës dhe veprimtarisë njohëse e politike. Duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit, rekomandohet që operacionet e ardhshme të përshtaten duke marrë në konsideratë sa më poshtë:

Objektivat

Deri tani kemi kryer një numër operacionet të kufizuara njohjeje me qëllim zbulimin e mundësive të ngacmimit të regjimit aktual të dominuar nga sovjetikët. Aktivitetet tona tashmë duhet të drejtohen te mënyrat e shfrytëzimit të situatës së re të tensionuar mes Titos e Cominform, në avantazhin tonë. Objektivi ynë në lidhje me Shqipërinë do të jetë krijimi dhe ruajtja e kapaciteteve që na lejojnë shfrytëzimin e mëtejshëm të situatës në lidhje me Shqipërinë dhe Jugosllavinë. Veprimet që duhet të merren në lidhje me Shqipërinë duhet të japin përshtypjen se kanë vetëm qëllime inteligjence, dhe se shtyhen nga të dhënat e këqija të mëparshme të regjimit shqiptar për thyerjet e ligjeve ndërkombëtare dhe refuzimit të bashkëpunimit me vendet e tjera për ruajtjen e paqes. Ne duhet të vazhdojmë mbështetjen ndaj Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë si një faktor me potencial për skenën politike shqiptare, dhe të kryejmë aktivitetet e zakonshme të transmetimeve klandestine radio, lëshimit të broshurave dhe përhapjes së zhurmave të konfuzionit. Duhet menjëherë të nisin aktivitetin fushën ekonomike për të përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e rëndë ekonomike në Shqipëri, duke dobësuar në këtë mënyrë edhe kredibilitetin e qeverisë dhe dobësimin e saj në kryerjen e operacioneve në vendet fqinje. Këto operacione përfshijnë ndalimin e fluksit të furnizimeve në vend nga jashtë, të mbështetur nga aktivitetet e luftës psikologjike me të njëjtin qëllim të përkeqësimit të situatës në vend. Ne duhet të rekrutojmë, sipas kushteve përkatëse të sigurisë, një forcë të vogël rezerve shqiptare, nga anëtarët e migracionit për përdorim të vazhdueshëm, nëse lind nevoja. Duhet të heqim dorë nga idea e forcës së impaktit të shpejtë në përpjekjet e krijimit të rezistencës. Ne duhet gjithashtu të vazhdojmë me infiltrimin e agjentëve në Shqipëri, veçanërisht në rajonet qendrore e veriore, për qëllimin kryesor të mbledhjes së informacionit, dhe për qëllimin përfundimtar të shfrytëzimit të situatës në rast zhvillimesh të mëvonshme. Personeli për këtë aktivitet duhet të nxirret nga rezervat e përmendura në paragrafin e mësipërm. Eksperienca jonë e deritanishme sugjeron se duhet ekzaminuar problemi i pjesëmarrjes së disa qeverive të tjera në operacionin tonë. Nga ana teknike mund të jetë e nevojshme përfshirja e agjencive franceze, greke dhe e shërbimeve italiane në infiltrim dhe mbledhje të inteligjencës.

Lini një koment