Në konferencën e fundit Rama është kujdesur që gjatë gjithë fjalimit të tij, ta ndajë kohën e Shqipërisë në dy epoka: Ajo me Reformë në Drejtësi të miratuar, sipas draftit që ai mbështet dhe një tjetër “apokaliptike”, nëse ajo nuk miratohet.

Ai ju ka tundur gishtin shqiptarëve, duke i paralajmëruar se ata që kundërshtojnë variantin aktual të Reformës në Drejtësi, nuk janë thjesht “armiq” të saj, por të së ardhmes së tyre. Dhe këtë të ardhme Rama e ka pikturuar, në rast mos votimi nga opozita dhe LSI në datën 21 korrik, me një penel të ngalosur, me ngjyrat më të errëta. Sipas kryeministrit, kundërshtarët e reformës që do ai, tani e tutje duhet të identifikohen nga 4.4 milion shqiptarët, edhe si armiq të së ardhmes Evropiane dhe Euroatlantike të vendit.

Ja çfarë thotë ai…

“Kam një SMS për qytetarët, për 4.4 milionë shqiptarët: Unë dhe bashkëpunëtorët e mi për reformën kemi bërë gjithçka që kemi në dorë për një reformë të thellë e çliruese dhe të miratohet bashkë me opozitën, kemi bërë lëshime, por pas këtyre, gjejmë ftesën për luftë kundër SHBA e BE. Kështu kuptohet kërkesa e sovranitetit për të përjashtuar partnerët nga reforma…

Do humbasim të tjera vite, që nuk dihet sesa, për tu rikthyer në sytë e aleatëve një hap larg nga hapja e negociatave me BE. Sovranistët po thonë se ç’na duhet ne BE? Pa këtë reformë, ne mund të mbetemi sovran brenda shtëpisë sonë, por s’kemi shans të hyjmë në BE. Pa ketë reformë, do mbetemi prapa derës së BE që ka frymëzuar rrëzimin e diktaturës. Duke e refuzuar këtë reformë, do kthehemi në një hije në mes të Evropës, do jemi vend i sunduar nga frika e të korruptuarve dhe i nënshtruar nga pushteti sovran i korrupsionit…”.

Nuk ka asnjë dyshim që në pamundësi për të vazhduar qeverisjen e tij, Rama ka gjetur sloganin më të ri për fushatën, në zgjedhjet e parakohshme që po përgatit.

Por këto artikulime të tij janë teje të rrezikshme. Ai këtë herë po luan seriozisht me zjarrin! Kush po e fton Ramën ti hapë luftë SHBA dhe BE, opozita e sotme që ka firmosur anëtarësimin në NATO, ka negociuar hapat kryesorë drejt anëtarësimit në BE dhe arritur liberalizimin e vizave? Apo LSI e cila që në krijim ka të deklaruar si synim madhor (ashtu si edhe ka emrin) integrimin e vendit në Bashkimin Europian. A e di Rama se sa miliona njerëz përfaqësojnë këto dy parti dhe të tjera që nuk mendojnë, si ai?

A mban përgjegjësi ai për këtë përçarje që tenton të mbjellë në Shqipëri, (në pro perëndimorë dhe anti perëndimor) në mënyrë artificiale, vetëm për ca vota që i duhen për të qenë edhe njëherë kryeministër?

Dikush duhet ta ndalojë në këtë lojë të rrezikshme. Të parët miqtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, SHBA dhe BE.